Mediat serbe japin detaje për raportin e Williamson’it, nuk ka aktakuzë kundër Thaçit

Në raportin e Williamson që pritet të publikohet më 28 korrik në Bruksel, thuhet se nuk ka dëshmi për tregti me organe në Kosovë e as për përgjegjësi të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK’së, shkruan gazeta Danas duke u thirrur në burime në Bruksel. Por, sipas këtij mediumi ka dëshmi të mjaftueshme që të ngrihet aktakuza ndaj 6 deri në 10 pjesëtarëve të UÇK’së.
Nuk ka dëshmi për tregtinë me organet në Kosovë, krimin e organizuar e as për përgjegjësinë komanduese të shtabit të përgjithshëm të UÇK’së, thuhet në raportin e prokurorit të Taskë Forcës së BE’së, merr vesh gazeta serbe “Danas”.

Por kjo gazetë bën të ditur se megjithatë ekipi i Williamson ka gjetur dëshmi të mjaftueshme për ngritjen e një aktakuze kundër 6 deri në 10 pjesëtarëve të UÇK’së siç thuhet për krime lufte ndaj civilëve.

Sipas “Danas” krimet kanë të bëjnë me zonat e Liqenit të Radoniqit, Kleçkës, Zoçishtes dhe Belaçevcit.

“Disa prej të dyshuarve janë mjaftë lartë në skenën politike të Kosovës, ndërsa ndaj tyre janë ngritur edhe më herët aktakuza” kanë thënë burime të Danas.

Në kontekst të dëshmive për tregti me organe, vlerësohet se kjo pjesë specifike e raportit të Dick Martyt, në bazë të të cilës janë iniciuar hetimet e Williamsonit, ka qenë mjaftë e ngushtë. Po ashtu fakti që nuk është konfirmuar përgjegjësia e udhë heqësisë së UÇK’së, nënkupton që Hashim Thaçi, lideri politik i UÇK’së nuk do të jetë i dyshuar.

Po ashtu Danas raporton se BE do të ndajë edhe rreth 300 milionë euro për formimin e Gjykatës Speciale e cila do të fillojë punën vitin e ardhshëm.

“Gjykata do të funksionojë në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, por me procedura ndërkombëtare në Gjykatën Speciale njësia në Hagë, por paraprakisht parlamentet e Kosovës dhe Holandës duhet ti japin autorizimet për këtë”