Mediat botërore “ngrenë në qiell” Gjermaninë

0“Kampionë bote”. Kaq i mjafton gazetës më të madhe gjermane “Bild” për të celebruar suksesin e katërt botëror pas fitores 1-0 në “Maracana” kundër Argjentinës.

“Kampionë bote”. Kaq i mjafton gazetës më të madhe gjermane “Bild” për të celebruar suksesin e katërt botëror pas fitores 1-0 në “Maracana” kundër Argjentinës. E përditshmja gjermane e ilustron faqen e parë me një foto të heroit Mario Gotze, i cili shënoi golin që e katapulton drejt e në librat e historisë së futbollit. “Bild” shkruan gjithashtu se Gjermania arriti ta fitonte betejën më të rëndësishme, duke qëndisur në fanellë yllin e katërt që mungonte që prej 24 vjetësh. Ndërkohë, gazeta më e madhe sportive në Argjentinë “Ole” nuk ka asnjë kritikë për nënkampionët, madje I mbështet djemtë e Sabellas me titullin “Zemër kampionët”, duke nxjerrë në plan të parë paraqitjen e kombëtares Albiceleste në finale. “Ole” shton gjithashtu se trishtimi nuk duhet ta errësojë atë që kjo kombëtare tregoi gjatë këtij Botërori sepse lojtarët luftuan në “Maracana” për 120 minuta si të barabartë. Me nota më të trishtuara hapet “Clarin” që shkruan: “Ëndrra përfundoi me një gol në kohën shtesë, Gjermania kampione”.

E përditshmja argjentinase “Uno” vendos theksin te fakti se Argjentina rezistoi deri në fund të ndeshjes, pavarësisht disfatës. Për madrilenen “AS”, “Gjermania zbuloi Amerikën” pasi për herë të parë një skuadër europiane arrin të fitojë në kontinentin përtej Atlantikut. Në brendësi, gazeta analizon ndeshjen duke vënë në dukje rastet e pashfrytëzuara të Higuain, Messit dhe Palacios. “La Gazzetta Dello Sport” luan me një lojë fjalësh pasi hapet me titullin “Mondialfest” dhe më tej vë theksin në faktin se Gjermania është kampione bote për të katërtën herë. E përditshmja me qendër në Milano vlerëson gjithashtu edhe arbitrimin e italianit Rizzoli, duke theksuar se xhaketa e zezë e drejtoi ndeshjen në mënyrë perfekte. “L’Equipe” e cilëson “Monumentale” fitoren e Gjermanisë pas një turneu spektakolar të zhvilluar nga djemtë e Joachim Low në Brazil 2014.