“Më kanë vrarë vëllanë, motrën e dajën në atentat”, vlonjati tregon tmerrin e djeshëm

Një prej ngjarjeve të ndodhura ditën e djeshme në lagjen “15 tetori” në qytetin e Vlorës është edhe ajo e hedhjes në erë të një automjeti, i cili ishte i parkuar në anë të rrugës.
Elton Ismaili, pronari i mjetit ka folur në lidhje me këtë ngjarje që është kthyer në rutinë në jetën e tij. Ai shprehet për gazetarin Enrik Mehmeti se nuk e ka idenë se kush mund t’i ketë bërë atentat, teksa tregon se vite më parë i kanë vrarë disa nga pjesëtarët e familjes dhe në asnjë rast nuk është gjetur autori.

Eltoni bën me dije se ndihet i frikësuar për jetën e fëmijëve të tij, ndërsa mbrëmë makina shpërtheu sapo hapën derën e shtëpisë. Ata ndodheshin rreth 4 metra larg automjetit dhe vetë Ismaili e cilëson si mrekulli shpëtimin.

Në orën 9 kisha vajtur tek shtëpia e plakut familjarisht për vizitë. Ndenja dy orë. Sa hapa derën e shtëpisë dëgjova një shpërthim të fuqishëm. U ulëm të gjithë në tokë. U shokuam. Ishim 4 metra larg. S’është shaka shpërthimi i makinës”,- rrëfen Elton Ismaili.

Ai shton se në të kaluarën ka pasur edhe presione e kërcënime të tjera.

Kërcënime kam pasur. Më kanë ndodhur 4-5 ngjarje të rënda. Nuk ndihëm i sigurt, më shumë për fëmijte, se vet… Asnjë nga të gjitha 4-5 vrasjet nuk është zbardhur. Para disa vitesh pranë pronës time tek Xhamia vunë tritol. Edhe ajo e pazbardhur”, – sqaron Ismaili.

Ndër të tjera vlonjati bën me dije se nuk ka konflikte dhe nuk e di nga i vijnë këto gjëra.

Shpresoj që ngjarja të zbardhet sa më parë dhe autorët të vihen para përgjegjësisë”, – përfundon ai intervistën e shkurtër me gazetarin Mehmeti.

Eton Ismailit vite më parë i kanë vrarë në atentat vëllanë, motrën, dajën dhe ortakun. Për asnjë nga ngjarjet nuk ka një autor.