Mbyten në Itali dy vajza shqiptare

Breme, 1 korrik – Dy vajza 10 dhe 11 vjeçe, të cilat dyshohet se janë shqiptare, janë mbytur dje në lumin Po, në Itali, teksa ishin duke u larë me familjarët e tyre. Lajmi raportohet nga mediat italiane, sipas të cilave ngjarja e rëndë ka ndodhur në Breme, provincë e Pavias.

Sipas informacioneve të para, transmeton shqip, vajzat, kushërira me njëra tjetrën, ishin në shoqërinë e një të rrituri, i cili ka mundur të mbijetojë, kur janë përpirë nga rrjedha e lumit. Polumbarët, të njoftuar nga familjarët e vogëlusheve kanë nisur menjëherë kërkimet në ujë, nga ku kanë mundur të nxjerrin trupin e pajetë të njërës prej tyre, ndërkohë që vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit të vajzës tjetër.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, vajzat ishin duke luajtur në breg të lumit kur kanë rënë brenda tij dhe janë rrëmbyer nga një vorbull uji.