Mbërrijnë në Tiranë edhe 16 muxhahedinë

Arrin në 109 numri i muxhahedinëve të strehuar në Shqipëri, pas transferimit nga kampi Ashraf i Irakut. Mesnatën e mbrëmshme zbritën në Aeroportin e Rinasit, nën masa të rrepta sigurie, edhe 16 të huaj, 9 meshkuj e 7 femra. Pas pritjes nga policia e Rinasit, ata u strehuan ashtu si të tjerët në Qendrën e Azilkërkuesve në Babrru të Tiranës.

Sikundër edhe pesë grupet e mëparshme, edhe kësaj here muxhahedinët kanë udhëtuar me linjën e Austrisë dhe më pas janë pritur në aeroportin “Nënë Tereza”. Ky është grupi i gjashtë i muxhahedinëve nga kampi Ashraf i Irakut, që mbërrijnë në Tiranë, në vijim të zbatimit të marrëveshjes për strehimin në Shqipëri të 210 muxhahedinëve, e cila është një përgjigje e qeverisë shqiptare ndaj kërkesës së qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Qeveria shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së Brendshme, ka marrë të gjitha masat për akomodimin dhe qëndrimin e sigurt të këtyre personave në Qendrën e Pritjes së Azilkërkuesve në Shqipëri.