Matthaus: Bayern Munchen, ekipi më dominues që kam parë

loading...

0

loading...
Ikona e futbollit gjerman, Lothar Matthaus është i bindur kur thotë se Bayerni i Mynihut është ekipi më dominues që ka parë gjatë gjithë karrierës së tij të lavdishme. Me Heynckes vitin e kaluar, bavarezët triumfuan në kampionat, në Kupën e Gjermanisë e në Champions League, ndërkohë që rruga e thyerjes së rekordeve po vazhdon nën drejtimin e Guardiolës me mbrojtjen e titullit në Bundesliga, 7 javë para fundit të sezonit.

“Sigurisht që për lojtarët është bukur kur dëgjojnë shifra rekordesh, sepse ndihesh krenar kur je pjesë e një suksesi. Në të gjitha vitet e mia si lojtar dhe si trajner, qoftë në Itali, Spanjë apo kudo tjetër, kurrë nuk kam hasur një ekip kaq dominues sa është Bayerni i Mynihut”.

Matthaus më tej vlerësoi në veçanti holandezin Arjen Robben, i shndërruar tashmë në një nga lojtarët kyç për bavarezët pas një fillimi të vështirë të jetës në Mynih, ku nga shumë analistë shpesh është quajtur egoist brenda fushës së gjelbër.

“Ka patur një perceptim të gabuar në fillim, nga i cili Arjen mund të jetë dëmtuar, por sot mund të shikojmë se është pikërisht ai që ka përfituar më shumë nga ndryshimi i trajnerit. Tani Robben luan me kokën lart e gjithmonë duke bërë presing përpara”.

Ish mesfushori legjendar i Bayernit, në dy periudha të ndryshme e ka fituar 7 herë trofeun e Bundesligas, ndërkohë që vazhdon të mbajë rekorde si ish lojtar i kombëtares gjermane.

loading...