Masakrohet gjyqtari pasi e vrau një futbollist

Brazili


Një gjyqtar vrau me thikë një futbollist në fushë, përpara se tifozët të hakmerreshin duke i prerë kokën. Ngjarja makabër, e raportuar të premten nga “Globoesporte”, ndodhi gjatë një ndeshje amatore në Maranhao, në veri të Brazilit.
Gjatë ndeshjes, gjyqtari 20-vjeçar, Otavio Jordao da Silva de Catanhede i tregoi karton të kuq një futbollisti, 31-vjeçarit Josenir dos Santos Abreu.
Ky i fundit, në irritim e sipër e qëlloi me shqelm dhe gjyqtari, i papërmbajtur, nxorri një thikë dhe e qëlloi për vdekje.
Lojtari ndërroi jetë rrugës për spital, por ngjarja shokuese bëri që publiku të pushtonte fushën, të lidhte arbitrin pas shtyllës, ku i prenë kokën, të cilën më pas e vunë mbi traversë.
E pabesueshme, por e vërtetë, policia tashmë ka nisur hetimet dhe ka realizuar dy arrestimet e para. Të tjerë nga publiku rrezikojnë të përfundojnë në pranga, për këtë linçim mesjetar, në një ngjarje që shfaq anën më të keqe të futbollit, atje ku ai konsiderohet më shumë si një fe se sa një sport. /LajmeOnline/