Masakra e Mynihut/Ëndrra e lënë përgjysmë e 14 – vjeçares Armela Segashi

armela

Familjarët e Armela Segashit, e cila humbi jetën në masakrën e së premtes, në Mynih të Gjermanisë kanë folur në “Info Magazine” të Klan Kosovës.

Vëllai i Armelës, Arbnori ka treguar për momentin kur morën vesh se kishte patur të shtëna me armë në Mynih.

“Armela ka dalë nga shtëpia rreth orës 18:00 pasdite, ndërsa pak pas orës 18:00, kam kuptuar që ka të shtëna, gjë që më frikësoi. Jam munduar ta kontaktoj mirëpo nuk është lajmëruar në telefon, pastaj kam filluar të kërkoj”.

Ai tha se kërkimi ka zgjatur për të rreth 12 orë, nga ora 18:00 pasdite deri në orën 6 të mëngjesit, kur edhe kanë marrë lajmin tragjik.

arbnor

“Në ora 6 në mëngjes ka ardhur lajmi tek prindërit për vdekjen e saj. Fillimisht prindërit ishin në shtëpi me shpresë që do të kthehej prapë, ndërsa unë isha nëpër spitale, stacione të policisë duke kërkuar nëpër këto vende. Nuk kam pasur konfirmim për vdekjen e saj”.

“Në 6 të mëngjesit kam qenë në stacionin e fundit të policisë e edhe aty më kanë thënë që nuk ka vdekur, pastaj më ka lajmëruar babai më ka thirr në shtëpi, kur aty e kuptova që ka vdekur”.

Për “Info Magazinë”, vëllai i 14 – vjeçares tregon se Armela nuk ka qenë në qendër tregtare, ku edhe ndodhi sulmi.

“Vendin e kemi vizituar shpesh, kemi edhe familjarë që punojnë në qendrën tregtare, Armela nuk ka qenë në qendër tregtare brenda, ka qenë në një restorant përballë dhe ka qenë e shoqëruar me një shoqe”.

Arbnori e përshkruan të motrën e ndjerë si një njeri plot jetë dhe plot dashuri ndërsa tregon se ishte në klasë të tetë.

Madje ai, në “Info Magazine” rrëfeu edhe dëshirën e të motrës për të ardhmen.

“Dëshira e saj ka qenë të punojë në sektorin e kozmetikës”.

“Çdo ditë që kam përjetuar me të, ka qenë e rëndësishme për mua, ajo nuk ka qenë vetëm motra ime, ajo ishte edhe shoqja ime”.

Trupi i 14 – vjeçares do të mbërrijë në orën 12 pas mesnatës në Aeroportin e Prishtinës, ndërsa varrimi do të bëhet nesër në orën 17:00 tek varrezat afër hekurudhës në Podujevë.

9 persona humbën jetën, 3 prej tyre nga Kosova dhe mbi 20 të tjerë u plagosën në sulmin me armë në qendën tregtare në Mynih, të premten e shkuar. Autori, 18 – vjeçari gjermano – iranian Ali Sonboly, u vetëvra me një plumb në kokë.