Masakër në Itali, shqiptari godet tri herë me thikë të birin

Meqë hetuesit nuk kanë mundur të sigurojnë ende dëshminë e djalit, për shkak të gjendjes së rëndë, ata kanë siguruar me dhjetëra dhe pamje filmike nga të cilat mësohet se djali u qëllua pas shpine dhe se agresori e qëlloi tri herë
Zarif Hyseni 49 vjeç nga Mitrovica sulmon djalin e tij 17 vjeç në stacionin e autobusit në Bolzano. I riu në gjendje kritike për jetën. Policia prangos shqiptarin: ishte divorcuar me gruan nga Shqipëria, pasi kishte dhe dy martesa të tjera Tjetër masakër shqiptare në Itali. Babai sulmon të birin me thikë në stacionin e autobusit dhe e godet tri herë pas shpine. Djali, vetëm 17 vjeç, që kthehej nga puna ka rënë në tokë, ndërsa kanë qenë udhëtarët e shumtë që kanë mundur të ndërhyjnë për t`i shpëtuar jetën. Babai-vrasës ka ikur me vrap nga stacioni i autobusit duke marrë një tren për t`u larguar nga vendi i ngjarjes ndërsa qytetarët kanë lajmëruar policinë dhe ambulancën. 17 vjeçari A. Hyseni është dërguar në gjendje kritike për jetën në spital dhe pas të dhënave të para policia ka mësuar se i plagosuri ishte shqiptar. Dëshmitarët okular kanë treguar se i riu ishte sulmuar nga një burrë në moshë, duke bërë të mundur edhe dhënien e detajeve të tij fizike. Karabinierët janë vënë në ndjekje të burrit me karakteristikat e dhëna prej dëshmitarëve dhe pas prangosjes, kanë mësuar se në të vërtet atentatori i të riut ishte vetë i ati i tij. Referuar medieve vendase saktësohet se në pranga ka rënë Zarif Hyseni, 49 vjeç me origjinë nga Kaçandoll i Mitrovicës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e datës 3 prill në zonën e Brunicos në Bolzano, ndërsa 17-vjeçari mësohet se vijon të jetë në gjendje të rëndë, pasi njëra prej goditjeve i ka prekur veshkën. Mediet italiane i kanë dhënë hapësirë krimit të kryer nga shqiptari, pasi ai vjen vetëm pak ditë pas një tjetër akti barbar ku nëna shqiptare iu mori jetën tri vajzave të saj.

Ngjarja

Referuar medieve të lokalitetit të Bolzanos, të cilat prej tri ditësh vijojnë të shkruajnë për krimin e pazakontë të ndodhur në ato anë, ku babai tenton t`i marrë jetën të birit vetëm 17 vjeç, saktësojnë se në të vërtet autori ishte i divorcuar nga bashkëshortja e tij. Nga të dhënat e policisë italiane, të cilët e njohin mjaft mirë familjen shqiptare Hyseni, bëhet me dije se prindërit e A. Hysenit ishin të ndarë, ndërsa burri kishte edhe dy martesa të tjera. Ai është nga Kosova ndërsa nëna e djalit të plagosur është nga Shqipëria, ndërsa nga martesa e tyre janë pesë fëmijë. 17 vjeçari që lufton me vdekjen në spital, mësohet se është fëmija i madh i familjes, ndërsa katër motrat janë më të vogla në moshë. Çifti ishin divorcuar, ndërsa gjykata kishte lëshuar edhe urdhër mbrojtjeje për gruan shqiptare dhe nënën e 5 fëmijëve. Por pavarësisht faktit që Hysenit nuk i lejohej të afrohej në shtëpinë ku jetonte ishgruaja me pesë fëmijët, ai disa herë kishte kërcënuar ish-bashkëshorten se do ta vriste nëse nuk e lejonte të shkonte të shkonte në shtëpinë e saj. Kërcënimet kanë vijuar ndërsa i biri i ka kërkuar disa herë t`i linte të qetë, pasi ia kishte dhe dy gra të tjera dhe se ai tashmë ishte rritur dhe mund të kujdesej vetë për familjen e tij. Mediet tregojnë se shqiptari, ndonëse pa i mbushur ende 18 vite, punonte vetëm që të siguronte jetën me nënën dhe katër motrat e tij. Nga dëshmitë e babait-monstër që ka dashur t`i marrë jetën të birit në stacionin e autobusit është mësuar se ai nuk ka qenë i pajisur me thikë, por atë ia kishte marrë të birit, pasi ia kishte dashur ta vriste. Meqë hetuesit nuk kanë mundur të sigurojnë ende dëshminë e djalit, për shkak të gjendjes së rëndë, ata kanë siguruar me dhjetëra dhe pamje filmike nga të cilat mësohet se djali u qëllua pas shpine dhe se agresori e qëlloi tri herë.

(Shekulli)