Marquez i paprekshëm, triumfon në Austin

loading...

0

loading...
Një Deja Vue e sezonit të kaluar, një shëtitje pa shqetësimin më të vogël. Marc Marquez vazhdon i pamposhtur marshimin drejt mbrojtjes së titullit me triumfin dominues në raundin e dytë të sezonit të MotoGP, u nis dhe e përfundoi i pari garën në pistën e Austin me një shkëputje të ndjeshme që në kthesën e parë, duke lënë pas krahëve betejën mes pilotëve të tjerë.

I pafat në Amerikë Jorge Lorenzo me një gabim në start që i shkatërroi garën, e arriti i 10-ti vijën e finishit pas një penalizimi, ndërsa Dani Pedrosa ishte i vetmi që u përpoq të qëndronte sa më afër kampionit në fuqi, ndonëse gjatë gjithë kohës e ndoqi për ta mbyllur garën në vendin e dytë me një diferencë prej gati 4 sekondash.

Me suksesin në Austin, talenti spanjoll Marc Marquez barazoi arritjen e Mick Doohan në 1995, është i pari pas kaq shumë vjetësh që fiton dy garat e para të kampionatit duke u nisur nga pole position. Lajme të mira por edhe të këqija për Ducatin në kontinentin e Amerikës së Veriut. Me vendin e tretë, Dovizioso regjistroi podiumin e parë si pilot i skuadrës italiane, ndërkohë që lajmi i keq është përplasja dhe dëmtimi në dorën e djathtë për Cal Crutchlow, i cili më herët vuajti nga problemet me gomat.

Stefan Bradl e humbi për të mijëtat e sekondës mundësinë që të ngjitej në podium, pas një beteje të fituar me Bradley Smith për vendin e katërt, ndërsa Pol Espargaro e mbylli i gjashti garën. Një zhgënjim rezultoi Amerika edhe për Andrea Iannonen, i cili nga lufta mes kryesuesve në xhirot e para e pa veten të shtatin në fund, ndërsa problemet nuk lanë të qetë edhe pilotin e Yamaha-s, Valentino Rossi, që nuk mundi të siguronte më shumë se vendi i tetë në Teksas.

Me këtë sukses të Marc Marquez shkon në 9 numri i fitoreve radhazi të pilotëve të Hondas në tokën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i fundit pilot i një skuadre tjetër ka qënë Jorge Lorenzo në Laguna Seca në 2010-ën. Renditjen Marquez e kryeson bindshëm me 50 pikë, i ndjekur nga Pedrosa me 36 e Rossi me 28 pikë.

loading...