Maradona dhe Blatter: Messi nuk e meritonte “Topin e Artë”

0Ikona e Argjentinës në futboll, Diego Maradona, mendon se Lionel Mesi nuk e meritonte fitimin e “Topit të Artë” në Botërorin e Brazilit, pas shfaqjeve të tij zhgënjyese në këtë turne.

Ylli i Barcelonës mundi sërën e Tomas Myler, Arjen Roben dhe James Rodriguez në dhënien e cmimit prestigjioz individual, pasi shënoi katër gola në shtatë ndeshje të Kupës së Botës së kësaj vere, por Maradona ndien se “Topi i Artë” iu dha 27-vjeçarit vetëm për arsye komerciale.

“Mesi? Unë do t’i jepja atij qiellin nëse është e mundur, – tha Maradona gjatë shfaqjes në “Telesur”. – Por, kjo nuk është e drejtë. Kur dikush fiton diçka që nuk e ka merituar, atëherë më bën të mendoj se “Topi i Artë” i Botërorit iu dha Mesit vetëm për shkak të disa planeve të marketingut.”

Maradona pastaj vazhdoi të shprehë zhgënjimin e tij për humbjen 1-0 të Argjentinës në finalen e së dielës kundër Gjermanisë, pas golit të Mario Gëtzes në kohën shtesë. “Më vjen keq për vendin tim. Goli i Mario Gëtzes më ka lënduar vërtet. Ka një trishtim të madh në zemrën time, se kemi humbur në finale. Meritonim më shumë. Gjermania fitoi vetëm si rezultat i një keqkuptimi në mbrojtjen e Argjentinës.”

Fituesi i Kupës së Botës në vitin 1986 kishte fjalën e tij edhe për vendimin e Alejandro Sabejës, që zëvendësoi Ezekuel Lavecin me Serxhio Agueron dhe argumentoi se trajneri i Argjentinës veproi gabim. “Unë nuk e kuptoj zëvendësimin e Lavecit. Ai ishte fenomenal nga krahu i tij. Kun Aguero nuk ka të njëjtin ndikim. Nuk ishte turneu i tij.”

* * *

Që nga tifozët e deri te Maradona, të gjithë kritikuan zgjedhjen e Fifa-s për t’i dhënë Messit çmimin si “Lojtari më i mirë i Botërorit”.

Këtë herë “Topi i Artë” i Botërorit bëri që të bien dakord të gjithë, madje dhe Sepp Blatter. Që nga tifozët e deri te Maradona, të gjithë kritikuan zgjedhjen e Fifa-s për t’i dhënë Messit çmimin si “Lojtari më i mirë i Botërorit”, dhe presidenti i Fifa-s, nuk e fshehu sikletin mbi këtë çështje.

“Të tregohem diplomatik apo të them të vërtetën? Edhe unë vete mbeta pak i befasuar kur pashë Messin të ngjitej për të marë trofeun. Sigurisht pastaj, nëse bëhet krahasimi me fillimin e turneut, duhen parë dhe golat e Messit që ishin deçizivë”.

Justifikim pak i bindshëm, aq sa dhe Walter de Gregorio, Drejtori i Komunikimit në Fifa, pranoi se mund të ndryshohen kriteret e përzgjedhjes, ku këtë herë nuk u përfshi votimi i gazetarëve. Përtej çmimit, Blatter u shpreh i kënaqur me organizimin e turneut në Brazil.

“Ishte një Botëror shumë special. Çdo Botëror është ndryshe, por ky, brenda dhe jashtë fushe, ishte i jashtëzakonshëm. Edhe në planin e sigurisë shkoi gjithçka shumë mirë, e organizuar në çdo këndvështrim. Çfarë note do t’i jepja? 9.25. Edhe Papa më tha që ishte një Botëror i jashtëzakonshëm, edhe pse nuk ishte i lumtur për rezultatin e finales”.