Manchester United me super ofertë prej 70 milionë € për Bale

bale

Nuk është vetëm Cesk Fabregas dhe zgjidhja e së ardhmes së Wayne Rooneyt shkaku i nisjes urgjente të shefit ekzekutiv të Manchester United, Ed Uduard, nga Australia drejt Manchesterit. Numri 1 i klubit të “djajve” ka lënë grumbullimin e skuadrës në Sidney për t’u ulur në skrivaninë e tij në “Old Trafford” dhe përgatitur detajet e një superoferte për Gareth Bale. “Mirror” ka zbuluar se kampionët do të bëjnë një ofertë të çmendur prej 70 milionë eurosh për yllin uellsian të Tottenhamit brenda datës 31 korrik.

20 herë kampionët janë gati të regjistrojnë blerjen më të shtrenjtë në historinë e tyre (35 milionë euro kushtoi Berbatovi në vitin 2008. Sulmuesi bullgar erdhi nga Tottenhami) dhe të Premier Ligës. Por pengesë do të kenë presidentin e “gjelave”, Daniel Levi, që kur bëhet fjalë për klube angleze, e rrit artificialisht vlerën e lojtarëve të tij për të mos forcuar rivalët. Tottenham deri më tani u kanë rezistuar joshjeve për asin 24-vjeçar, i cili u shpall dhe “Lojtari i Vitit” në Premier Ligë. Mirëpo “djajtë” do të bëjnë brenda këtij muaji një ofertë zyrtare, ndërsa numri “11″ i londinezëve ka parakaluar Cristiano Ronaldon në garën për të firmosur në “Old Trafford”.

Emri i Bale është lidhur me Real Madridin, gjithsesi spanjollët kanë vendosur ta shtyjnë me një vit ofensivën e tyre për talentin më të kërkuar të dekadës në futbollin britanik. Moyes është dorëzuar në luftën për të mbajtur Rooneyn, ndërsa drejtuesit e Manchester United kërkojnë të minimizojnë publicitetin negativ që mund të sjellë largimi i sulmuesit nga “Teatri i Ëndrrave”. Moyes, i cili ende nuk e ka bërë goditjen e tij të parë (po të lëmë jashtë talentin Guijermo Varela), pohoi publikisht ditë më parë se ai ka një çek të bardhë për të firmosur me një superyll. Mediat spekuluan edhe për emrin e Ronaldos, por “Mirror” zbulon se emri i vetëm për të cilin po hartohet një plan në këto momente është ai i Bale. Për më tepër, “The Sun” zbuloi një ditë më parë se Ronaldo ka nxjerrë në shitje shtëpinë e tij në Manchester (4.3 milionë euro), duke përforcuar zërat se do rinovojë në “Santiago Bernabeu”.