Manchester City largon 12 futbollist

city

Manchester City ka vendosur që të bëjë spastrime në masë. Pas një sezoni që duket i destinuar për t’u mbyllur si dështim, drejtuesit e klubit kanë në plan të rigjenerojnë ekipin. Në fakt përgatitet që të mbahen vetëm lojtarët më të rëndësishëm, duke hequr të gjithë ata që kanë gjetur pak hapësira dhe që nuk hyjnë në planet e trajnerit. Roberto Mançini dëshiron të fitojë edhe një shans tjetër nga sheikët e klubit, duke bërë gati një fushatë blerjesh të rëndësishme, kostoja e të cilëve do kompostohet nga largimet. Bëhet fjalë për plot 12 futbollistë, duke nisur nga porta, në sulm. Edhe pse një pjesë e mirë e emrave janë lojtarë që nuk kanë mundur të shkëlqejnë me Manchester City, ka edhe nga ata që kanë qenë titullarë të padiskutueshëm, por që në fakt trajneri italian ka në plan elementë më cilësorë në vendin e tyre.

Janë plot 12 emra, të zbardhur nga media britanike, si futbollistët që i kanë bërë gati valixhet. Pikërisht: Ian Hart, Aleksander Kolarov, Kolo Ture, Xholeon Leskot, Garet Berri, Xhejms Milner, Samir Nasri, Havi Garsia, Skot Sinkleir, Edin Xheko, Xhon Guideti, Karlos Tevez. Edhe pse për t’i blerë janë paguar shifra të çmendura, pritet që shitja e tyre të bëhet në përgjysmim kostoje, duke qenë se u ka rënë vlera për shkak të mosaktivizimit.

Edhe pse merkatoja e verës ende nuk është hapur, deri diku janë zbuluar edhe destinacionet e mundshme të disa prej futbollistëve. Karlos Tevez kërkohet nga shumë klube prestigjiozë në Europë, por largimi i tij ka të bëjë edhe me një zgjedhje deri diku personale. Sulmuesi dëshiron të rikthehet në Argjentinë dhe Boka Juniors i ka bërë gati një kontratë të majme, po ashtu si edhe një ofertë të pranueshme për Manchester City. Lojtarët që mund të sjellin më shumë të ardhura pritet të jenë Ian Hart dhe Edin Xheko. Për portierin janë përmendur klube si Manchester United, Reali i Madridit dhe Barcelona.

Ndërsa për bomberin boshnjak ka sirena nga Italia dhe Gjermania, ndërsa vlera e kartonit të tij është rreth 25 milionë euro. Samir Nasri duket shumë pranë PSG-së, pasi ka një interes të përbashkët në këtë lëvizje, ndërsa Havi Garsia është shumë pranë rikthimit në Spanjë. Sa i përket Leskotit, Berrit, Milnerit dhe Sinkleirit, pritet që të mbeten brenda Premier Ligës, pasi edhe skuadrat e interesuara janë vendosur nga Anglia. Ndërkohë Kolo Ture mund ta mbyllë karrierën si futbollist në Turqi, ku dhe ka marrë ofertat më të majme financiarisht. Duket se për Manchester City do jetë një punë e madhe gjatë verës, duke u munduar që të përfitojë sa më shumë nga shitjet, por njëkohësisht që të afrojë edhe lojtarët që dëshiron në merkato.

Ja objektivat e Manchester City në merkato

Ndërkohë që do të ketë largime masive, pritet të ketë gjithashtu mjaft afrime. Për portën është shënjestruar Begoviç i Stokes, i cili do zërë vendin e Hartit. Për sulmin ka balotazh mes Falkaos dhe Kavanit, lojtarë që kanë një kosto mjaft të lartë financiare. Në mesfushë përmenden emrat e Iskos dhe Navasit, ndërsa në mbrojtje ka një listë të gjatë alternativash, por më kryesori për qendrën e mbrojtjes është ajo e Humelsit nga Dortmundi.