Majlinda Kelmendi shkëlqen edhe në “Grand Prix”

majlinda

Krenaria e sportit të Kosovës, Majlinda Kelmendi nuk ka të ndalur. Xhudistja e famshme kosovare ka fituar medaljen e artë në turneun prestigjioz “Grand Prix”, që është mbajtur në Samsun të Turqisë. Xhudistja pejanë në finalen e kategorisë 52 kilogramë ka mposhtur gjermanen Mareen Kraeh. Ky sukses i Majlinda Kelmendit vjen pas suksesit të arritur ditë më parë në turneun ‘Grand Slam’ të mbajtur në Dusseldorf të Gjermanisë, ku Majlinda kishte fituar medaljen e artë, shkruan Kosovapress.

Kelmendi ka shkëlqyer në turneun e madh “Grand Prix”, që është mbajtur në Samsun. Për të arritur deri në finale, Majlinda ka zhvilluar tri lufta. Fillimisht ajo me short u pozicionua në vazon A në kategorinë deri në 52 kilogramë. Kelmendi në raundin e parë u kualifikua pa luftë, derisa në raundin e dytë mposhti xhudisten nga Turqia, Derya Cibir. Kelmendi doli fituese e vazos A, pasi në raundin e tretë mundi kongolezen Tsolmon Adiyasambuu.

Në gjysmëfinale të kësaj gare prestigjioze, xhudistja jonë u përball me rusen Natalia Kuziutina, të cilën arriti që me sukses ta mposhtë. Pas kësaj fitoreje, Majlinda i hapi vetës rrugë për të garuar në finale me gjermanen Mareen Kraeh, të cilën e mundi për t’u stolisur me medaljen e artë në këtë turne të madh, ku morën pjesë garuesit më të fortë në botë.

Pjesë e këtij turneu ishte edhe xhudistja tjetër kosovare Nora Gjakova. Ajo ka garuar në kategorinë 57 kg, mirëpo, është eliminuar në rundin e dytë nga rusja Irina Zabludina. Turneu “Grand Prix” i Samsunit është i fundit për xhudistet kosovare para kampionatit evropian. Vendi i parë në Grand Prix siguron 300 pikë në renditjen botërore. Aktualisht Majlinda është e dyta në kategorinë deri 52 kg, ndërsa vendi i parë mund ta ngrejë në krye. Gjakova është e 30-ta në kategorinë 57 kg.