Mafia ballkanike me pasaporta kroate

ttt

Shqiptarët, serbët, grekët, bullgarët, të gjithë i bën bashkë aktiviteti mafioz. Sipas gazetës kroate ‘Jutranji List’, mes tjerash, pasaporta kroate kanë blerë edhe truproja e Seseljit, vrasësit e Zoran Djindjic, anëtarët e bandës Pink Panter, shefi i mafisë shqiptare, kontrabanduesit boshnjakë të armëve…

“Mendoj se në këtë mënyrë janë prodhuar dhe shitur afro 1000 pasaporta. Të paktën 20-30 prej tyre janë prodhuar për personat që cilat ua kam sjell vetë unë”, citon gazeta dëshmitarin e mbrojtur të USKOK, me nofkën e koduar Neno, i cili për disa orë rresht dha dëshminë e tij në atë që njihet si rasti më i madh i falsifikimit të dokumenteve zyrtare në Kroaci.

Kriminelët më të njohur

Për vite të tëra tek kriminelët më të njohur nga rajoni kapeshin vazhdimisht pasaporta të falsifikuara kroate. Për këtë gjë Interpoli vazhdimisht ia tërhiqte vërejtjen Kroacisë.

Fillimisht çështja ndërlidhej me të ashtuquajturin kontingjent nga Mostari, mirëpo para disa viteve u detektua se kriminelë të shumtë po vinin në posedim të pasaportave të reja, origjinale, në të cilat figuronte identiteti i vërtetë, por në të vendosej fotografia e kriminelit të caktuar. Kjo gjë dokumentin e bënte gati të pamundur që të zbulohej. Por një hetim disavjeçar, i cili kohë më parë rezultoi me ngritjen e aktpadive kundër shtatë personave, në rastin ‘Border’ (Kufiri), tani po e bënë të qartë se si realizohej e gjithë kjo punë. I akuzuari kryesor në këtë rast është Zvonko Sendulovic.

Një rrjet i tërë paralel

Sipas gazetës, fillimisht tërhiqej një certifikatë e lindjes për identitetet e njerëzve më pak të njohur në Kroaci, e pastaj në një sërë ambasadash kroate jashtë vendit prodhoheshin dokumentet e udhëtimit. Prokuroria shtetërore e Kroacisë (USKOK) ka ngritur aktpadi për 68 rast të prodhimit të pasaportave, megjithëse këtu bëhet fjalë vetëm për rastet kur krimineli i caktuar është kapur me pasaportë false. Janë zbuluar vetëm ndihmësit në qytet boshnjake Tuzla dhe Sarajevë, dhe është zbuluar se grupi i falsifikuesve kishte kontakte edhe me përfaqësi diplomatike kroate në Suboticë, Beograd dhe në Bruksel – ku edhe u zbuluan dokumentet në emër të serbit Branislav Srdjic.

Personat që shfrytëzonin pasaportat e falsifikuara kroate parimisht i përkisnin klaneve të ndryshme mafioze nga hapësira e ish-Jugosllavisë, dhe mund të thuhet se ata kryesisht ishin njerëz që policia i konsideronte ‘ajkë’ të këtyre klaneve, sqaron ‘Jutranji List’.
Gjithashtu, pasaportat përfundonin edhe në duart e pjesëtarëve të klaneve që ishin në luftë ndërmjet vete, andaj mund të thuhet se grupi i falsifikuesve nuk kishte ndonjë simpati të caktuar ndaj cilido grup kriminal, por udhëhiqej vetëm nga përfitimi material. Arsyet për furnizim të tillë me pasaporta ishin të ndryshme. Ndonjëherë nuk bëhej fjalë për dikë që kërkohej me fletarrest, por një person i tillë vetëm dëshironte t’i kalonte kufijtë ndërshtetërorë pa u regjistruar fare. Edhe pse, zakonisht bëhej fjalë për persona që ndiqeshin nga ligji, dhe atë për vepra serioze penale.

Shumë persona tek të cilët u gjetën pasaportat e tilla kanë lidhje edhe me vrasje të porositura në gjithë Europën, e në mesin e tyre janë edhe njerëz përgjegjës për vrasjen e ish-kryeministrit serb, Zoran Djindjic.
Pjesa më e madhe e padive ndaj shfrytëzuesve të pasaportave ka të bëjë me tregtimin ndërkombëtar të narkotikëve, dhe atë në sasi enorme, sqaron tutje gazeta zagrebase.
Një pjesë e vogël e shfrytëzuesve të pasaportave të rreme mund të ndërlidhen edhe me ekstremizëm politik, siç është për shembull ofrimi i ndihmës kriminelëve të luftës, etj.

Klani i Zemunit

E tërë udhëheqësia e atij që njihet si grupi më i brutal në Europë, gjegjësisht e Klanit të Zemunit, kishin pasaporta kroate në momentin kur u aratuan vitin e kaluar në Valencia (Spanjë). Themelimi i klanit, që u bë i njohur ndërkombëtarisht në vitin 2003, pasi që organizoi vrasjen e ish-kryeministrit serb, Zoran Djindjic, i përshkruhet kriminelit të luftës Zeljko Raznatovic Arkan. Pas vdekjes së tij, ‘komandën’ e mori përsipër Dusan Spasojevic Siptar, i cili u likuidua gjatë aksionit të policisë serbe ‘Sablja’ (Shpata), në vitin 2003.
Pas Spasojevic, si shefi i ri joformal i klanit u shpall Luka Bojovic – Pekar (38). Klani ndërlidhet me të paktën dhjetë likuidime, të kryera nga Serbia e deri në Spanjë. Pas ikjes shumëvjeçare, vitin e kaluar në Valencia (Spanjë) u kapën Bojovic, Vladimir Milisavljevic – Vlada Budala, dhe Sinisa Petric – Zenica, të cilët konsideroheshin krerët kryesorë të klanit.
Dy vite para tyre, në Kroaci u kapën Sretko Kalinic – Zver (që njihet si ekzekutuesi kryesor i klanit), pasi që kishte plagosur kolegun e tij, Milos Simovic.

Klani i Rozhajës

Klani më i fuqishëm i nëntokës nga Sanxhaku është i specializuar për tregtimin e heroinës nëpërmjet të së ashtuquajturës Rutë Ballkanike. Është i njohur shefi i këtij klani, Safet Kalic, i cili falë pasaportës kroate ndodhet në arrati që nga viti 2011, për shkak të akuzave se ka shpërlarë 8.5 milionë euro, të fituara nga tregtia me drogë. Më 2001, Kalic organizoi atë që njihet si njëra prej dasmave më ekscentrike mafioze në Ballkan, në të cilën ishin ftuar përfaqësuesit e të gjitha klaneve nga rajoni.
Në dasmën e Kalic këndoi ylli i estradës kroate, Severina Vuckovic, të cilën Kalic atje e solli me helikopter privat. Gjatë hetimeve në mal të Zi, Kalic’it policia e atjeshme ia bllokoi të gjitha pronat, me vlerë prej 28 milionë eurove: zinxhirin e pompave të benzinës, hotelet, restorantet, tokat dhe një vilë luksoze në Ulqin. Agjencia malazeze e pronave për dy herë me radhë tentoi që nëpërmjet ankandeve publike të shes pronat e Kalic, por askush në Mal të Zi nuk duket e ka guxim që t’i blejë ato. Përveç Safet Kalic, pasaportë kroate ka edhe kushëriri i tij, Sadko Kalic, i cili u arrestua para një viti gjatë hyrjes në Kroaci.

Klani i Saric’it

Sipas analizave të agjencisë amerikane DEA, këtu bëhet fjalë për grupin më të fuqishëm të kontrabandimit të kokainës në kontinentin europian. Grupi përbëhet nga afro 100 pjesëtarë nga të gjitha shtetet e krijuara nga ish-Jugosllavia, me të cilët Interpoli e DEA luftojnë tash e tre vjet, në kuadër të operacionit “Luftëtari Ballkanik”. Shef i grupit është ndërmarrësi malazez, Darko Saric, i cili (falë pasaportës kroate) tash e disa vjet ndodhet në arrati, respektivisht që nga viti 2009, kur ishte arrestuar në Uruguai bashkë me qytetarin e Pulës (Kroaci), Anastazije Martincic, dhe me 2.2 tonelata kokainë. Përveç Saric, pasaporta të rreme kroate kanë edhe disa dhjetëra bashkëpunëtorë të tij, si Dragan Beljkas, Luka Djurovic, Boris Laban, megjithëse një të tillë e kishte edhe dora e djathtë e Saric, Dragan Dudic – i cili më 2010 u likuidua në Mal të Zi – dhe Vitomir Bajic, i cili në shtator të vitit 2001 u varr në burgun italian Como, ku po qëndronte për shkak të akuzave për kontrabandimin e 220 kilogramëve të kokainës.

Pasaportë kroate posedonte edhe bashkëpunëtori i Saric, Drasko Vukovic, i cili kohë më parë nga prokuroria serbe fitoi statusin e dëshmitarit bashkëpunëtor kudër Darko Saric. Interesant është se, si shtetas kroat, Anastazije Martincic, përveç pasaportës origjinale kroate në emër të tij, posedonte dhe një tjetër rezervë, të falsifikuar, në emër të Zoran Vajagic, me të cilën i kalonte kufijtë pas evidentim.
Banda Pink Panther
Banda më njohur e plaçkitësve në botë, e cila kryesisht përbëhet nga kriminelë nga Serbia dhe mali i Zi, është përgjegjëse për mbi 100 plaçkitje nëpër botë, ‘gjahu’ i të cilave matet me qindra miliona euro. Kapja e bandës është ndër prioritetet kryesore të Interpolit.

Banda e ka marrë emrin sipas komedisë filmike “Pink Panther”, sepse pasi që më 2003 kishte vjedhur një diamant në Angli, njëri prej pjesëtarëve të saj e kishte fshehur atë në kutinë e kremës për fytyrë, njësoj siç ndodhë edhe në film. Disa nga plaçkitjet më të njohura që i përshkruhen kësaj bande janë kryer në Londër, Zvicër, Monaco, Japoni, Emiratet e Bashkuara Arabe, Francë… Në shënjestër kryesisht kanë dyqanet ekskluzive të stolive. Njëri nga shefat e Pink Panther, malazezi, Radovan Jelusic, u kap në vitin 2010, në Romë. Tek ai u gjet një pasaportë kroate në emër të Zelimir Vucetic.
Në momentin e arrestimit, Jelusic kërkohej nga disa shtete, përfshirë Japoninë, ku kërkohej për organizmin e plaçkitjes së vitit 2007, gjegjësisht të një arterie në Tokio, në rrugën Ginza. Nga Italia Jelusic u ekstradua në Spanjë, e pastaj, në fund të vitit, në Mal të Zi. Para një muaji, në Podgoricë filloi procesi gjyqësor kundër tij për plaçkitjen në Tokio, në fillim të të cilit Jelasic u deklarua i pafajshëm.

Mafia shqiptare

Para dy viteve në Zagreb u arrestua Princ Dorboshi, tek i cili ndërkohë u gjet një pasaportë e rreme kroate nga kontingjenti i lëshuar në Tuzla. Dobroshi u dënua me kusht. Shqiptari 50-vjeçar, me prejardhje nga Peja, nga agjencia amerikane FBI konsiderohet si njëra ndër figurat kryesore të sindikatës kriminale shqiptare në botë. Dobroshi, i cili deri më tani ka dhënë disa intervista për gazetat europiane, mohon se merret me krim, përderisa insiston se është tërhequr në njëlloj pensionimi, në vendlindjen e tij, në Pejë.
Në vitin 1993, për shkak të tregtimit të heroinës, Dobroshi u arrestua në Norvegji, dhe u dënua me 14 vjet burg. Mirëpo, sipas ‘Jurtarnji List’, ai arriti të ‘blinte’ rojet e burgut, dhe të ikte nga burgu Ullersmo (në Oslo), në vitin 1996. Gjatë ikjes, ai ka kryer një operacion plastik, duke ndryshuar kështu plotësisht pamjen fizike. Në shkurt të vitit 1999, në bazë të fletarresti të lëshuar nga shtetit norvegjez, Dobroshi u arrestua në Pejë, mirëpo mafia shqiptare i ofroi një shpërblim prej 600,000 dollarësh cilitdo roje burgu që parandalon ekstradimin e tij atje. Meqë kjo nuk doli e suksesshme, u planifikua një sulm i armatosur ndaj burgut Pankrac, por në fund Dobroshi, megjithatë, u ekstradua në Norvegji, ku vuajti dënimin deri në vitin 2005, kur edhe u lirua për shkak të sjelljes së mirë.
Sipas gazetës kroate, shërbimet perëndimore të zbulimit Dorboshin e lidhnin me Arfan Qaeder Bhatt, një islamist ky radikal që planifikonte një seri sulmesh terroriste kundër objekteve izraelite dhe amerikane në Norvegji. Por, në një intervistë për mediat çeke, edhe pse pranoi se njihej me Bhatt, Dobroshi mohoi kategorikisht të ketë qenë në çfarëdolloj dijenie për këto sulme.
Klani i Sarajevës lindore

Pjesëtarët e këtij klani i lidhin tregtia me narkotikë, plaçkitjet e armatosura të dërgesave të parave, dhe likuidimet e porositura, të cilat shumë shepsh janë të drejtuara edhe kundër institucioneve zyrtare të shtetit boshnjak. Grupi shpeshherë është vënë edhe në kontekstin politik të bashkëpunimit me serbët e Bosnjës që akuzohen për krime lufte.

Njëri nga shefat e klanit konsiderohet Djordje Zdrale, i cili kohë më parë është dënuar në mungesë me 20 vjet burg, për shkak se në vitin 200 vrau ish-shefin e policisë së Republika Srpska’s, Ljubisa Savic – Mauzer. Zdrale, i cili tash e disa vite ndodhet në arrati, mes tjerash lidhet dhe me plaçkitjen e selisë së Postës Kroate në Split, të kryer më 15 gusht 2008, kur nga atje u vodhën 15 milionë kuna (afro 2 milionë euro). Zdrale’s posedon pasaportë të rreme kroate në emër të Mato Dejanovic.

Veç tij pasaportë të njëjtë posedon edhe Veljko Borovina (nga Sokolac), i cili u kap nga SFOR’i në vitin 2004, për shkak të dyshimit se po e ndihmonte kriminelin e arratisur të luftës, Radovan Karazhic. Borovina kërkohet nga Italia për shkak të kontrabandimit të kokainës./