‘Luftë’ për ’3G’

loading...

loading...
Ofrimi i shërbimeve në rrjetin “3G” ka futur në “luftë” dy operatorët e telefonisë mobile në Kosovë. Operatori i dytë i telefonisë mobile “IPKO” po kërkon nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike e Postare(ARKEP) që t’i japë leje për funksionalizimin e menjëhershëm të shërbimeve në këtë rrjet. Ndërkaq, operatori i telefonisë mobile “Vala” po kërkon nga ARKEP-ja që ofrimi i shërbimeve në këtë rrjet të shtyhet së paku edhe për tre muaj.

Përfaqësues të kompanisë e cila është shpallur fituese e tenderit për privatizimin e “Vala” kanë kërkuar që ofrimi i shërbimeve në rrjetin 3G të shtyhet edhe për një kohë të caktuar.

“Ata kanë kërkuar që implementimi të shtyhet deri sa ‘Vala’ ta bëjë gati infrastrukturën e nevojshme. Nëse ‘IPKO’ e fillon tash menjëherë me ofrimin e shërbimeve në këtë rrjet, kjo do të ishte një goditje shumë e rëndë për operatorin mobil të telefonisë mobile” bëjnë të ditur burime të besueshme të gazetës “/LajmeOnline/”.

Zëdhënësi i Postës dhe Telekomit të Kosovës(PTK) Menduh Abazi thotë se PTK-ja në planin e biznesit për vitin 2013 e ka paraparë funksionalizimin e shërbimeve në rrjetin 3G. Abazi nuk ka dhënë informacione më të detajizuara nëse aktualisht PTK-ja është duke punuar apo jo në këtë drejtim.Zyrtarë të operatorit të telefonisë mobile “IPKO” thonë se janë duke pritur sinjalin e ARKEP-së për të filluar menjëherë me funksionalizimin e shërbimeve në këtë rrjet.
Zëdhënësi i kësaj kompanie Alban Kastrati thotë se IPKO është e gatshme që të fillojë menjëherë me 3G.“Më herët ne e kemi testuar sinjalin, ndërsa tash jemi në pritje të vendimit nga ana e rregullatorit i cili do të na mundësonte fillimin e ofrimit të shërbimeve 3G”tha ai.

Në anën tjetër, Ekrem Hoxha kryetar i bordit Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike e Postare (ARKEP) thotë se operatori i telefonisë mobile “IPKO” është i njoftuar në detaje rreth procesit të shqyrtimit të kërkesës për fillimin e ofrimit të shërbimeve në rrjetin 3G.“Vendimet e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike e Postare janë në fazën finale dhe si ‘IPKO’, ashtu edhe ‘Vala’ duhet t’i presin ato. Për ne ka shumë pak rëndësi se a është bërë gati ‘IPKO’, apo ‘Vala’”tha ai.

Hoxha nga ARKEP-ja thotë se deri më tash zyrtarisht nuk ka marrë ndonjë kërkesë nga “VALA” për shtyrjen e implementimit të shërbimeve në këtë rrjet për një kohë të caktuar deri sa kompania të bëjë gati infrastrukturën e nevojshme.“Kërkesë zyrtare nuk kemi e fjalët që qarkullojnë ne nuk i komentojmë”tha ai përmes telefonit.

Çka është 3 G ?

3G është një teknologji e re, e cila mundëson transmetim të të dhënave me cilësi dhe shpejtësi të lartë. Këto të dhëna mund të jenë foto, video, lajme në kohë reale nëpërmjet shërbimit të Internetit me shpejtësi shumë të lartë, të tilla që mund të ofrojnë përdorimin e shërbimeve të ndryshme si p.sh telefonata me video (video call), internet të shpejtë, TV në celular, etj.

Kjo teknologji përfshin një grup standardesh të larta, të cilat mundësojnë për përdoruesit komunikimin në bandë të gjerë duke krijuar efektivitet të lartë në telefonata dhe në transmetimin e të dhënave. Standardi evropian për 3G njihet si UMTS – Sistemet Universale të Telefonisë së Lëvizshme. Versioni më i zhvilluar i 3G-së përfshin: Komunikimin me Shpejtësi të Lartë (teknologjia HSPA+), e cila përfshin: shkarkimin e të dhënave me shpejtësi të lartë (HSDPA) dhe ngarkimin e të dhënave me shpejtësi të lartë (HSUPA)./LajmeOnline/

loading...