Low: I thashë Gotzes t’u tregonte të gjithëve se është më i mirë se Messi

0Pas 2 vjetësh si asistent i Klinsmann dhe më pas 8 vjet në krye të stolit gjerman, Joachim Low ka çdo të drejtë të gëzojë si i çmendur.

Pas 2 vjetësh si asistent i Klinsmann dhe më pas 8 vjet në krye të stolit gjerman, Joachim Low ka çdo të drejtë të gëzojë si i çmendur sepse 10 vjet punë me përkushtim, pasion e sakrifica, dhanë rezultatet që të gjithë prisnin, Gjermania kampione e Botës në Brazil. Në një finale historike, pancerat mposhtën në 120 minuta Argjentinën e madhe, duke e nxjerrë kokëulur Messin nga Maracana.

Pas këtij triumfi që shkundi edhe kancelaren Merkel nga stoli, Low rrëfen se çfarë i tha djaloshit të mrekullisë gjermane. “I thashë Mario Gotze që t’i tregonte të gjithëve se është më i mirë se Lionel Messi dhe se mund ta vendoste ai fatin e Kupës e Botës. Gotze është i mrekullueshëm, mund të luajë në çdo pozicion dhe gjithmonë e kam ditur se mund të jetë deciziv, ashtu siç bëri kundër Argjentinës”.

Kupa e Botës është kulmi i një përmirësimi konstant në një dekadë punë të teknikut 54-vjeçar. Për Jogin, Gjermania e tij e ka merituar me të drejtë dhe pa asnjë diskutim Kupën e katërt në histori. “E nisëm këtë projekt 10 vjet më parë dhe kjo që arritëm është rezultati i shumë viteve punë. Gjatë kësaj kohe jemi rritur e përmirësuar vazhdimisht, deri në këtë moment final. Nëse kishte një skuadër që e meritonte Kupën e Botës, atëherë ishte pikërisht kjo me këta lojtarë fantastikë si Mertesacker, Podolski, Schweinsteiger, Lahm dhe Klose, që kanë qënë me grupin gjatë gjithë kohës”.

Në fund, trajneri i kampionëve të sapokurorëzuar të botës deklaroi se gjermanët kanë një arsye më tepër për t’u ndjerë krenarë sepse janë të parët europianë që e kanë fituar Kupën në tokën e Amerikës Latine dhe ky gëzim do të mbetet përgjithmonë në kujtimin e çdo gjermani.