Lorik Cana në “Top-5″ e mbrojtësve më të mirë në Serie A

0Lorik Cana është në listën e “Top-5″ mbrojtësve më të mirë në Itali. Lajmi bëhet i ditur nga uebfaqja “calciomercato.it”, e cila në një shkrim kushtuar mbrojtësve që kanë rikuperuar më shumë topa në dyluftime me kundërshtarët e vendos kapitenin kuqezi në vendin e katërt, duke nënvizuar edhe një detaj mjaft domethënës: Cana është mbrojtësi më i mirë në këtë listë për sa u përket skuadrave të ashtuquajtura “big”. Duhet thënë se deri në javën e shkuar Loriku ishte në podiumin e kësaj liste, pra në vend të tretë. Por mjaftoi një ndeshje, ajo ndaj Interit, ku trajneri Edi Reja e la në stol, që mbrojtësi të humbiste terren. Gjithsesi, kapiteni i Kombëtares shqiptare mbetet në listën e më të mirëve, duke treguar se të paktën deri tani ka bërë një sezon relativisht pozitiv.

Statistikat – Cana është aktivizuar rregullisht në 16 nga 18 ndeshjet e luajtura deri tani në kampionat dhe ka munguar në vetëm dy të tilla: një për arsye pezullimi me kartonë dhe një tjetër për shkak të zgjedhjeve të bëra nga trajneri. Në fakt duhet thënë se ardhja në krye të Lacios e Edi Rejas ka bërë që Loriku të rikthehet në pankinë, kjo për shkak të përplasjeve në 2011- 2012 të këtij të fundit me lojtarin shqiptar. Ndonëse asnjëherë e bërë publike, edhe në atë sezon Cana nuk parapëlqehej nga Reja, aq sa u desh edhe një përplasje e tij me drejtorin sportiv Igli Tare, pikërisht për aktivizimin me pikatore të kapitenit kuqezi. Ndërsa me Petkoviçin Cana ka qenë një lojtar stabël i formacionit bazë dhe kjo ka bërë që mbrojtësi shqiptar të vihej në krye të statistikave, të paktën sa u përket dyluftimeve me kundërshtarët dhe topave të fituar ndaj tyre.

Renditja – Në vend të parë për momentin është mbrojtësi i Parmës, Alesandro Lukareli, i cili në 16 ndeshje të luajtura ka rikuperuar pa faulle plot 388 topa ndaj lojtarëve kundërshtarë. Pas tij vjen Davide Astori i Kaljarit, me 361 topa të fituar në 15 ndeshje të luajtura. Në vend të tretë është Danilo i Udinezes (358 topa të rikuperuar në 17 ndeshje), i cili i ka marrë pikërisht vendin Canës, pas javës së 18-të që luajti para katër ditësh. Loriku renditet në vend të 4-t me 344 topa të fituar në 16 ndeshje. Pas tij vjen Emerson i Livornos dhe Mehdi Benatia i Romës. Në vendin e shtatë është Kristian Zapata i Milanit, ndërsa mbyllin 10- shen më të mirë Federiko Çekerini (Livorno), Stefan Saviç (Fiorentina) dhe në fund një tjetër shqiptar, Shkodran Mustafi, i cili luan për Sampdorian. Ky i fundit ka luajtur më pak se të gjithë të tjerët, por, gjithsesi, gjendet në “Top-10″. Kujtojmë që Mustafi ka pasaportë gjermane dhe ka luajtur për Shpresat e këtij vendi.