LDK nuk është pengesë për themelimin e FAK-ut

Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri ka hedhur poshtë pretendimet e kryeministrit, Hashim Thaçi se LDK-ja është pengesë për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Beqiri tha për Radio Kosovën se nëse kryeministri i bindë pakicat që të votojnë, për LDK-në nuk ka asnjë problem. Mirëpo, ai thotë se LDK-ja nuk do të pranojë në asnjë mënyrë që formimi i FAK-ut të kushtëzohet me vendet e rezervuara të pakicave.

Më shumë dëshiron që emrin ta kenë Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës, por Ismet Beqiri thotë se kjo për LDK-në, nuk paraqet problem. Ai thotë se LDK-ja është shumë e interesuar që të përfundojë transformimi i FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës, ndërsa mohon të jetë LDK-ja pengesë për këtë.

“Nëse kryeministri Thaçi me partnerët e koalicionit i bindë komunitetet joshqiptare që duhet të votojnë dy të tretat, atëherë le ta sjellë këtë çështje në Kuvend dhe LDK-ja do ta votojë, të tjerat janë marketing dhe janë të pavërteta që i thotë vetëm zoti Thaçi”, tha Beqiri, për Radio Kosovën.

“Ne nuk do të lejojmë në asnjë rrethanë që të kushtëzohet votimi i FAK-ut me vendet e rezervuara të komuniteteve pakicë dhe LDK-ja mban qëndrimin që ka pasur, pra ne nuk pranojmë që t’u vazhdohen mandatet sepse është veprim antikushtetues dhe nuk ka asnjë arsye për këtë”, tha ai.

Beqiri theksoi se LDK-ja është shumë e interesuar që para zgjedhjeve nacionale të përfundojë kjo çështje, mirëpo tha se nuk ka të bëjë me vullnetin e LDK-së, por me atë se sa kryeministri Thaçi arrin t’i bindë komunitetet pakicë që ta votojnë formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës pa kushte.