LDK, nga pengesë për minoritetet, shndërrohet në ‘peng’ të tyre

Fati i aleancës paszgjedhore LDK-AAK-Nisma, si duket është duke mbetur në “duar” të minoriteteve.
Shumica e subjekteve politike, që mbanin “peng” vazhdimin e vendeve të rezervuara për pakicat, së shpejti ka gjasa të mbesin “peng” e vendimit politik të tyre.

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa dhe kryetari i Këshillit të partisë së re Nisma për Kosovën, Jakup Krasniqi, bashkë me Vetëvendosjen, ishin kategorisht kundër vazhdimit të mandatit të vendeve të rezervuara për minoritetet pa vullnetin e qytetarëve.

Ndërsa, pro vazhdimit të tyre ishte lideri i PDK-së, Hashim Thaçi. “Edhe njëherë po e them, LDK-ja nuk pranon që të ketë vende të rezervuara ose t’u vazhdohet edhe një mandat, dy apo tri, sepse ka të tillë që e kanë vendos në lirim punën e vendeve të rezervuara”, vlerësonte Ismet Beqiri prej LDK-së.

Ndërsa, kryetari në detyrë i Kuvendit, njëherësh nënkryetar i Nismës, Jakup Krasniqi, vlerësonte se nuk ishte e shëndetshme për demokracinë vazhdimi i mandatit të pakicave. Por, pro vazhdimit të tyre ishte me më së shumti jehonë PDK-ja e Hashim Thaçit.

“Pa trajtimin adekuat të minoriteteve, faktori ndërkombëtar nuk do ta na mbështesë në asnjë proces madhor për Kosovën”, kishte thënë Thaçi kur diskutohej për reformën zgjedhore.
Pas shkuarjes drejt dështimit të negociatave me Vetëvendosjen, fati i aleancës LDK-AAK-Nisma do të lidhet drejtpërdrejt nga vendimi politik i pakicave, ndërsa nëse do të jetë ky vendim në favor të tyre, ditëve në vijim mbetet të shihet./indeks/