Lajmi i vitit,per vizat Kosovaret mund te hecin pa viza…

loading...


Gjatë dy ditëve të ardhshme, me 17 dhe 18 Mars, në Kosovë do të qëndrojë një Komision i ekspertëve nga shtetet anëtare të BE’së, për të vlerësuar nëse vendi ka përmbushur 8 rekomandimet e fundit të Komisionit Europian në procesin e Dialogut për Liberalizim të Vizave. Kjo është konfirmuar për Gazetën Express nga vet Ministri i Integrimeve, Bekim Çollaku, i cili tregon edhe pritshmëritë e tij që Kosova të marrë raport pozitiv që do ti mundësonin heqjen vizave me BE’në.
I zhgënjyer me dështimin e Kuvendit të Kosovës, që një ditë më parë, nuk arriti t’i votojë anëtarët e rinj të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Ministri i Integrimeve Bekim Çollaku shprehet i sigurt se para se Komisioni Europian të përpilojë raportin përfundimtar nga ekspertët vlerësues, deputetët do t’i votojnë emërimet e reja në OSHP, pas ri-procedimit, për të dytën herë, nga Qeveria e Kosovës.
“Sigurisht që dështimi i djeshëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës për të votuar anëtarët e rinj të bordit të OSHP ishte një zhgënjim krejt i papritur dhe i panevojshëm. Mirëpo është e drejtë e deputetëve që të jenë autonom në votën e tyre dhe kjo duhet të respektohet nga të gjithë”, tha për Gazetën Express, Ministri Çollaku.
“Kjo është një gjë që mund të riparohet shpejt dhe unë jam i sigurt se Kuvendi i Kosovës në një afat optimal kohor, së bashku me institucionet tjera të përfshira në këtë proces, do të arrij të bëj emërimin e anëtarëve të rinj të bordit të OSHP. Qeveria e Republikës së Kosovës do të riprocedoj me propozimet për emërimin e anëtarëve të rinj gjatë kësaj jave dhe pastaj presim që procedurat tjera të zbatohen me urgjencë”, shtoi ai.
“Jam i sigurt se deri në përpilimin e raportit përfundimtar nga ana e ekspertëve të misionit vlerësues, edhe Kuvendi i Kosovës do të votoj anëtarët e ri të bordit të OSHP’së”, shprehu optimizmin e tij, Ministri i Integrimeve.
Tutje, Bekim Çollaku tregoi të mërkurën për Gazetën Express se në dy ditët e ardhshme në Kosovë do të qëndrojë një mision vlerësues i ekspertëve nga shtetet anëtare të BE’së për të vlerësuar përmbushjen e 8 rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian në procesin e Dialogut për Liberalizim të Vizave për vendin tonë.
“Pritjet e mia janë pozitive lidhur me raportin e ekspertëve të misionit vlerësues për përmbushjen e tetë rekomandimeve të fundit. Ne për katër vite jemi duke punuar në plotësimin e të gjitha kritereve të parapara me udhërrëfyes dhe Kosova ka punuar dhe arritur rezultate në këtë proces më shumë se të gjitha shtetet që kanë përfituar nga ky proces, qofshin ato nga rajoni i Ballkanit Perëndimor apo më gjerë”, tha Ministri, duke mos mundur të saktësoi një afat kohor se kur Komisioni Europian mund të dalë me një raport të ri, përfundimtar, nëse Kosova ka plotësuar 8 kushtet e vëna nga BE’ja, në dhjetor të vitit të shkuar, për heqjen e vizave për qytetaret e vendit.
“Këtu nuk bëhet fjalë për afte strikte kohore. Plotësimi i kritereve është i domosdoshëm për liberalizimin e vizave. Këtë javë bëhet vlerësimi nga ana e ekspertëve dhe ata në përfundim të misionit të tyre do të shkruajnë raportin e tyre me të gjeturat faktike”, tregoi Ministri Bekim Çollaku duke folur për Gazetën Express.
“Dinamika e punës se misionit vlerësues dhe përpilimi i raportit është në diskrecion të ekspertëve që dërgohen nga shtetet anëtare”, tha ai.
Më 18 dhjetor 2015, Komisioni Evropian kishte publikuar raportin e fundit në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Nga ky raport, sipas Ministrit Çollaku, u konstatua se nga gjithsej 95 kritere të udhërrëfyesit, 87 janë zbatuar plotësisht.
Gjersa, BE’ja i kishte dhënë vendit 8 rekomandime si kritere që ishin vlerësuar si të plotësuara pjesërisht.
Raporti i dhjetorit 2015 që Komisioni Evropian e ka quajtur të fundit në këtë proces, përcaktonte katër prioritete kyçe për periudhën e mbetur të dialogut për liberalizimin e vizave që përfshinë: 1). Transferimin e një numër të mjaftueshëm të gjykatësve në departamentet e krimeve të rënda të gjykatave; 2). Ndërtimin e një histori të hetimeve, vendimeve të gjykatës dhe konfiskimet në rastet e rënda të krimit të organizuar dhe korrupsionit; 3).Sigurimin për pavarësinë operacionale të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik dhe Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik; dhe 4) demonstrim se legjislacioni për ndryshimin e emrit është zbatuar.
Poashtu, Komisioni Evropian kishte përcaktuar katër kritere të cilat do të monitorohen, përkatësisht: progresin në ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, shpenzimin e fondit për riintegrim; adresimin e arsyeve për shkallën e ulët të njohjes për azil-kërkuesit; dhe në sigurimin e objektit dhe pavarësisë financiare të Institucionit të Avokatit të Popullit.
Gjitha këto kritere Ministri kosovar i Integrimeve beson se Kosova i ka përmbushur dhe se shumë shpejt qytetarët e vendit do të mund të lëvizin lirshëm, pa viza, në vendet e Bashkimit Europian.
“Ne mendojmë që të gjitha këto kritere janë plotësuar mirëpo tani i takon misionit vlerësues që të jap vlerësimin e vet profesional”, përfundoi Ministri Bekim Çollaku.
VIS

loading...

loading...