Lajmi fundit,Veseli dhe Haradinaj bëjnë koalicion


Burime të besueshme të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, si dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, disa ditë më parë e kanë “prerë pazarin” e koalicionit, respektivisht për përfshirjen e AAK-së në Qeveri. Haradinaj do të bëhet kryeparlamentar, ndërsa Veseli zëvendëskryeministër dhe shef i diplomacisë

Përçarja e bllokut opozitar duket se ka një prapaskenë. Burime të besueshme të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, si dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, disa ditë më parë janë takuar te restoranti “Ura e Gurit” në Maxhunaj të Vushtrrisë, ku e kanë “prerë pazarin” e koalicionit, respektivisht për përfshirjen e AAK-së në Qeveri.

“Në restorant kanë qenë të pranishëm Kadri Veseli dhe Adem Grabovci, si përfaqësues të PDK-së, ndërsa Ramush Haradinaj dhe Muharrem Nitaj nga AAK-ja. Fillimisht është parë që Ramushi ka qenë mjaft i tensionuar, ndërsa më vonë i cakërronin gotat pasi bënë marrëveshjen”, bëri të ditur burimi.

Sipas të njëjtit burim, AAK-ja do të presë 7 majin 2016 kur Kadri Veseli pritet të formalizohet si kryetar i PDK-së dhe menjëherë do të ndodhë riformatimi i Qeverisë.

Sipas kësaj marrëveshjeje, Veseli ka pranuar që PDK-ja të heqë dorë nga disa dikastere qeveritare për t’ia lëshuar të njëjtat AAK-së.
Madje, ai është shprehur i gatshëm t’ia lëshojë Haradinajt edhe “kolltukun” e kryeparlamentarit dhe vetë të shkojë si zëvendëskryeministër dhe shef i diplomacisë në vend të Hashim Thaçit. Po ashtu Veseli i ka garantuar partnerit të ri të koalicionit se e ka mbështetjen e plotë edhe të kryeministrit, Isa Mustafa, si kryetar i LDK-së.

Gazeta “Zëri” e ka kontaktuar edhe shefin e deputetëve të LDK-së Ismet Beqirin, i cili ka refuzuar ta komentojë marrëveshjen.

“Kadriu i ka thënë Ramushit se nëse Isa Mustafa shpreh pakënaqësi jemi të gatshëm edhe t’i shpallim zgjedhjet e parakohshme. Madje, ka qenë Grabovci ai i cili ka thënë se në një situatë të tillë personalisht do ta kërkonte votëbesimin e Qeverisë për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme”, ka potencuar një burim i sigurt nga AAK-ja.

Përveç postit të kryeparlamentarit, AAK-së do t’i takojë edhe dikasteri i Drejtësisë, për të cilën pozitë është lakuar emri i Riza Smakës, ndërsa për Ministrinë e Mjedisit është rekomanduar Adrian Gjini, i cili, sipas të njëjtit burim, ka përvojë të madhe në çështjet e ambientit, me theks të veçantë në projektin e Hades.

Ndërsa ministri aktual i Ambientit, Ferid Agani, pritet të shkojë ambasador i Kosovës në Ankara dhe si i preferuar i presidentit Erdogan mund të sigurojë fonde për ndërtimin e xhamisë më të madhe në Prishtinë, në afërsi të PTK-së.

AAK-ja do të marrë edhe disa poste të zëvendësministrave, dy nga LDK-ja dhe dy nga PDK-ja, duke përfshirë këtu edhe postin e zëvendësministrit të Brendshëm, për të cilin Ramushi ka insistuar që ta dërgojë Burim Ramadanin, pasi që lideri i AAK-së është kumbarë i vajzës së Ramadanit.

Derisa marrëveshja pritet të konkretizohet kah mesi i majit, Haradinaj e ka siguruar Veselin se do të jetë i pranishëm në ceremoninë e betimit të presidentit të ri të Kosovës, Hashim Thaçi, më 8 prill 2016.

Madje, sipas këtyre burimeve, pikërisht kjo marrëveshje e diskutuar para protestës së 26 marsit ka qenë shkak pse deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet partiake.(Aprililiiiiiiii)
auto_Kadri_Veseli-Ramush_Haradinaj1459488899