Lajm i keq për ata që synojnë të shkojnë në SHBA, ja sa do mund ta prekin “tokën e premtuar”

Vetëm 45 mijë refugjatë do të lejohen të hyjnë vitin e ardhshëm në SHBA. Kjo është shifra më e ulët që nga hyrja në fuqi e një ligji mbi pranimin e refugjatëve 37 vjet më parë.
Uashingtoni zyrtar i paraqiti një propozim Kongresit, sipas së cilit parashikohet që në vitin e ardhshëm fiskal në SHBA të lejohet të pranohet vetëm një maksimum refugjatësh, respektivisht 19.000 nga Afrika, 5.000 nga Azia Lindore, 2.000 nga Europa dhe Azia Qendrore, 1.500 nga Amerika Latine dhe Karaibet, dhe 17.500 nga Lindja e Mesme dhe Azia Jugore.

Viti fiskal 2018 nis nga tetori 2017 deri në shtator 2018. “Siguria e popullsisë sonë amerikane është shqetësimi ynë i parë”, tha një zyrtar i qeverisë amerikane i cituar nga DË. Sipas tij duhej bërë gjithçka për t’u siguruar qe ne vend te lejoheshin vetëm ata njerëz që nuk përbëjnë rrezik.

Tradicionalisht në SHBA qeveria vendos një kufi maksimal vjetor për pranimin e refugjatëve. Kufiri më i ulët i dekadave të fundit u vendos nga Presidenti Ronald Reagan në vitin 1986 dhe ishte 67,000 vetë.

Gjatë kohës së ish-presidentit Barak Obama, në vitin 2016 kufiri ishte 110.000 refugjatë. Gjatë këtij viti, Shtetet e Bashkuara kanë pranuar deri tani rreth 54.000 refugjatë. Për krahasim në Gjermani kanë kërkuar azil nga janari deri në gusht 2017 rreth 150,000 vetë, shkruan tch.

Kufizimi i qartë i numrit të refugjatëve në Shtetet e Bashkuara lidhet me politikën rigoroze ndaj emigrantëve të presidentit Donald Trump, të cilën ai e justifikon me mbrojtjen ndaj terrorizmit.