Ky është super-talenti i Prishtinës dhe e ardhmja e futbollit kosovar

popo

 

Pak njerëz mund ta kenë njohur atë para ndeshjes të së shtunës mes Prishtinës dhe Trepçës, mirëpo tash e tutje ju sigurojmë që zëri i tij do të dëgjohet shumë.

Bëhet fjalë për portierin 17-vjeçar(1.90cm) të Prishtinës, Visar Bekaj, i cili falë talentit të madh që ka dhe potencialit të padiskutueshëm për t’u bërë një portier i kalibrit të Gianluigi Buffon, fitoi rastin për të debutuar në Superligë.

Prishtina edhe kësaj radhe dëshmoi misionin e vet si një skuadër që punon për zhvillimin e talentëve dhe se ua jep mundësinë për ta dëshmuar veten, ndërsa më meritori për këtë është edhe trajneri Bylbyl Sokoli, i cili beson shumë në aftësitë e Visarit.

Ky i fundit i dha mundësinë Visarit për të debutuar në ndeshjen e së shtunës ndaj Trepçës dhe nuk u dëshpërua, pasi që Visari nuk bëri asnjë veprim të gabuar gjatë tërë ndeshjes dhe e mbajti portën e paprekur në fitoren e Bardhekaltërve prej 3 me 0.

Bekaj është prodhim i akademisë së Ramiz Sadikut, ndërsa te Prishtina u transferua që një vit e gjysmë. Ai iu bashkua skuadrës së parë që nga faza përgatitore e klubit në Mal të Zi, ku bëri paraqitje të jashtëzakonshme kundër ekipeve të ligës superiore.

Bekaj, i cili si i ri ka marrë pjesë edhe në kamp stërvitor të Juventusit, gjithashtu ka qenë i grumbulluar me grupmoshat U17 të Shqipërisë dhe ka bërë tri paraqitje zyrtare.

Talenti i tij është i padiskutueshëm, ndërsa fakti që është bërë portier i Prishtinës në moshën 17-vjeçare dëshmon se djaloshi ka një të ardhme të ndritur para vetës dhe se Kosova ka një super-talent për të ardhmen. /Telegrafi/