Kushtet e “Srpskas” e bllokojnë bllokun opozitar

Deputetët serbë të enjten, më 17 korrik, e votuan Isa Mustafën për kryeparlamentar dhe i dhanë shpresë bllokut opozitar, LDK-AAK-Nisma, se një gjë të tillë do ta bëjnë edhe nëse votohet mandatari për kryeministër, Ramush Haradinaj.

Mirëpo, vetëm dy ditë më vonë, deputetët serbë, apo më mirë me thënë, Qeveria e Serbia i tha jo Haradinajt pa kushte.
Në Kuvendin e Kosovës janë 9 deputetë që i takojnë Listës Srpska, e cila mbështetët dhe dirigjohet drejtpërdrejt nga kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq.

Serbët kërkuan që para se t’ia japin votën të nominuarit të bllokut për kryeministër, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj duhet t’i pranojnë disa kushte, por dy më specifike.
Treshja, sipas kushteve të serbëve, duhet t’i thotë sa më parë po formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, dhe duhet t’i thotë jo vazhdimit të privatizimit.

Dihet që këto kushte janë edhe kushte zyrtare të shtetit serb karshi Kosovës.
Burime të Indeksonline brenda bllokut opozitar kanë thënë sot se vendosja e këtyre kushteve i kanë tri partitë në pozitë të palakueshme, pasi që janë vështirë të pranueshme.

“Ndalja e privatizimit nuk mund të bëhet me asnjë kusht. Një kërkesë pak a shumë e tillë ishte edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, por ne si bllok nuk e pranuam. Po ashtu edhe formimi i Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe është problem i madh, pasi që statuti dhe kompetencat e kësaj Bashkësia mbesin të paqarta ende”, ka thënë ky burim që ka preferuar mos t’i përmendet emri.

Një bllokim nga “Srpska” për bllokun do të thotë se LDK-AAK-Nisma mbesin në kuotën e 47 deputetëve, duke marrë parasysh se 10 deputetët e minoriteteve tjera nuk kanë qëndrim të prerë.

Po ashtu edhe ngecja e marrëveshjes me Lëvizjen Vetëvendosje është një problem tjetër sa i përket marrjes së legjitimitetit nga Haradinaj dhe të tjerët nëse vije puna që të hedhet në votim përbërja e kabinetit të ri qeveritar.
Aleksandër Jablanoviq, kryesues i listës “Srpska” është shprehur për “Novosti” se serbët përkrahin ata “me të cilët do të mund të sigurohet sa më shumë dobi për serbët në Kosovë dhe Metohi. Këtu e kemi fjalën për formimin e Asociacionit të komunave serbe si dhe formimin e komunave të reja. Gjithashtu, do të bëjmë të qartë se privatizimi në vendbanimet serbe është i papranueshëm dhe se do të angazhohemi për kthimin e pronës Kishës Ortodokse Serbe”.

Ndërsa sipas Marko Gjuriq, shef i “Zyrës së Qeverisë Serbe për Kosovë e Metohi”, Beogradi do të mbështesë pjesëmarrjen e serbëve në qeverinë e Kosovës me qëllim që të zgjidhen disa nga problemet e grumbulluara, siç është “marrja e dhunshme e pronës nga komunitetet serbe si dhe privatizimin plaçkitës”.