Kush janë “Kobra City”

“Kobra City” quhet një lokal nate në Prizren, i cili më së shumti njihet nëpërmjet valltares Donjeta Kosumi, e njohur me nofkën “Kallashi”. “Kobra City” është bastisur nga Policia e Kosovës në gusht të vitit të kaluar, ku ishin arrestuar pesë persona, ndër ta pronari Dibran Hoxha dhe “Kallashi”.
Policia kishte sekuestruar tri pistoleta dhe një pushkë gjysmë automatike, një sasi e konsiderueshme e fishekëve të kalibrave të ndryshëm, po ashtu edhe një sasi e narkotikëve që janë në formë të pilulave dhe një peshorë që matë gjësende të imëta.

Bastisja kishte ndodhur pasi PK-ja kishte siguruar një incizim ku anëtar të “Kobra City”-it kishin rrahur katër persona në një pompë të karburantit.

Dibran Hoxha njihet si pronar i lokalit dhe menaxher i valltares “Kallashi”. Emisioni “Drejtësia në Kosovë”, pati cituar më herët drejtorin e Policisë për Regjionin e Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, se Donjeta Kasumi i ka të regjistruara në databazën e Policisë 40 raste, 21 prej tyre me elemente të veprave penale ndërsa Dibran Hoxha me mbi 150 raste të regjistruara.

Megjithatë në Gjykatën Themelore në Prizren, janë vetëm nëntë raste të evidentuara ndaj këtyre personave. Ndërkaq në Prokurorinë Themelore gjenden 84 raste, 61 prej tyre si kallëzime penale janë përfshirë në një lëndë që kanë të bëjnë me trazirat e marsit të vitit 2004. Por ndaj të gjitha këtyre rasteve, sipas kryeprokurorit Sylë Hoxha, hetimet janë pushuar pasi nuk është provuar ajo që është pretenduar.

Dibran Hoxha kishte deklaruar për “Drejtësia në Kosovë”, se veprat e tij nuk kanë lidhje me krim, por janë disa rrahje të cilat kanë ndodhur në mbrojtje të vendit ku punon.

“Nuk kanë të bëjnë me krimin, Policia munden me deklarua, por për ta quajtur dikë kriminel duhet të kenë fakte. Por, sa i përket rrahjes së fundit, unë nuk kam qenë i përfshirë në atë rrahje, unë vetëm kam ndërhy me i nda. Unë përfundova në burg në mënyrë vullnetare”, kishte deklaruar Hoxha.

Edhe pse Policia e Kosovës disa herë kishte kërkuar nga Komuna e Prizrenit që ta mbyllë këtë lokal, ata asnjëherë nuk kishin marrë përgjigje. Kjo kishte ndodhur vetëm një herë pasi Drejtoria e Inspektoratit, e kishin mbyllur lokalin për shkak të papastërtisë në kuzhinë, mirëpo sipas tyre, kushtet ishin përmirësuar shpejtë dhe lokali prapë ka hapur dyert.

Por këtë gjë e kishte mohuar Dibran Hoxha, duke thënë se nuk mban mend që lokali i tij ishte mbyllur ndonjëherë.

Sidoqoftë, Policia ka njoftuar sot në mëngjes se sulmues të panjohur i kanë sulmuar punëtorët e “Kobra City” si dhe i kanë vënë flakën lokalit.
kobra