Kush ja dorëzoi Serbisë dokumentet e UÇK-së?

loading...


Nga Dilaver Goxhaj

Prej kur opozita politike në Kosovë filloi t’i kundërshtojë marrëveshjet antikombëtare të Qeverisë Mustafa-Thaçi, janë hedhur në sulm masiv kundër opozitës të gjitha mediat me zë, figurë e me shkrim. Ky sulm mediatik është shumëfishuar edhe më shumë kur shoqëria civile në Kosovë publikoi peticion për largimin e ambasadorit amerikan, Grew Delawie, ngaqë ai përkrah pa kufi Qeverinë e korruptuar të Kosovës, duke dënuar opozitën, edhe pse ajo përpiqet ta bëjë Kosovën një vend të ligjeve dhe jo një vend që të drejtohet nga kasapë partiakë. Këta apologjetë janë shtuar kur populli i akuzoi kasapët politikë për tradhëti kombëtare. Por, të rikthesh Serbinë në Kosovë nga dritarja, kur UÇK-ja e nxorri nga dera, a përbën tradhëti kombëtare?

Dhe, për ta mashtruar popullin, që ky të mos e mbështesë opozitën, krahas “argumentave” të tjerë, kjo armatë mediatike proqeveritare po përdor shprehjen: “Kjo është mosmirënjohje ndaj Amerikës dhe NATO-s që na siguruan lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.
Por cilët janë ata që bëjnë opozitë? Ata që luftuan.

Dhe “t’i akuzosh ata që e lindën Republikën edhe demokracinë, se nuk e deshën këtë të fundit, do të thotë se diç nuk është në rregull, jo vetëm në kokat e individëve, por në raportet në shoqëri”, na mëson Ukshin Hoti, (Filozofia politike, f.136). Dhe këta “analistë”, qëllimisht nuk e përmendin fare luftën e heroit-popull shqiptar, ku mori pjesë pothuaj i gjithë kombi ynë si dhe vullnetarë nga dhjetë shtete (SHBA, Kanada, Francë, Gjermani, Itali, Turqi, Finlandë, Austri, Australi, Algjeri) për t’i dhënë dorën vëllazërore popullit shqiptar në Kosovë, i cili ishte viktimë e neofashizmit serb.
Rasti i luftës në Kosovë është rasti i dytë në historinë e njerëzimit, ku pati vullnetarë ndërkombëtarë për çlirimin e një populli. Herën e parë ishte lufta në Spanjë. Prandaj dhe poeti ynë, Visar Zhyti e përjetësoi këtë rast botëror në vargjet:
Duan të shkojnë në luftë.
Në Trojë? Në Krujë? Në Spanjë?
Jo, jo, në Kosovë.
….ikën të gjithë karvan
të përsërisin “mes vedi”

Betejën e Kosovës.

Apologjetët e qeverisë harrojnë se Serbia i kishte sjellë në Kosovë 95.000 forca ushtarako-policore një vit më herët se të angazhohej NATO-ja me aviacionin e saj; gjë që e dëshmon edhe ish-Komandanti NATO-s, Gjenerali Uesli Klark në Gjyqin e Hagës, (“Kosova Sot”, 20.12.2003).
Me kë luftonin ato forca?
Mos vallë me mullinjtë e erës?
Jo, mor jo, me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila pati 28 Brigada me luftëtarë, të organizuara në 7 Zona Operative. Dhe këta kapso “intelektualë” të Kosovës kanë paturpësinë dhe nuk e përmendin aspak UÇK-në, por ulërasin: U BuBuuuu, u mohua Amerika! Pupu, ç’na gjeti!

Jo, ne nuk guxojmë ta mohojmë ndihmën që na dha Amerika, ndryshe do të ishim mosmirënjohës. Ne, pjesëtarët e UÇK-së e dimë më së miri se 80% e aviacionit të NATO-s, që u angazhua në luftë kundër Serbisë ishin avjonë të SHBA, dhe nga 34.000 fluturime që u kryen nga NATO, 85% e tyre u kryen mbi Sërbi dhe vetëm 5.100 fluturime u kryen mbi forcat serbe në Kosovë. Gjë që tregon se peshën kryesore të asaj lufte, edhe kur u angazhua NATO-ja, e mbajti mbi shpatulla UÇK-ja, të cilën e pagoi me gjakun e mbi 2.000 dëshmorëve dhe mijëra të plagosur, duke u “përballur me një kundërshtar, i cili është munduar që të maksimizonte vdekjet dhe mizeriet e njerëzve, ku gati një milion shqiptarë të Kosovës patën ikur”. (Uesli Klark, “Kosova Sot”, 25.12.2003). Por ne, nuk mohojmë gjithashtu edhe përkrahjen politike e diplomatike të Amerikës, përkrahje e cila e rriti shumë e më shumë besimin tonë për fitore dhe kurajon për të luftuar. gjithashtu, angazhimi i NATO-s me aviacion jo vetëm që e shpejtoi fitoren e luftës, por na shpëtoi mijëra e mijëra jetë njerëzish. Për këtë i jemi edhe më shumë mirënjohës Perëndimit.
I gjithë ky sulm mediatik kundër “pamundësisë luftarake të UÇK-së” gjatë këtyre 16 vjet të pasluftës, e që është intensifikuar kohët e fundit, është një presion i qëllimshëm që ne, pjesmarësit e asaj lufte të lëmë mënjanë gjykimin tonë ushtarak dhe t’u përshtatemi kërkesave politike të servilëve tanë tradhëtarë, të cilëve po u dalin në mbrojtje edhe disa apologjetë nga rradhët tona. Por, fiksojeni mirë, UÇK-ja u përball me një ushtri nga më të fuqishmet në Ballkan, duke pasur një Shtatmadhori që drejtohej nga oficerë të sprovuar në luftrat e tyre në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë. Dhe, si e tillë, po të mos ishte lufta e UÇK-së aviacioni i NATO-s do ta kish më se të vështirë ndeshjen me Serbinë. Po të mos ishte lufta jonë, të jeni të bindur se ushtria e Serbisë nuk do qe shkulur edhe sot nga Kosova.
Mos u duket çudi dhe as vetëmburje. Sepse, së pari, “Historia nuk njeh ndonjë rast që fuqia ajrore të ketë pasur sukses e vetme”,… “ngaqë e keqja e fuqisë ajrore kur është e vetme është se e lën inisiativën në duart e armikut”,… “Në çdo luftë është këmbsoria që duhet të ngrejë flamurin e fitores në fushën e betejës.”, ( Shefi i Shtabeve të Bashkuara Amerikane, Kolin Pauell, “Udhëtimi im amerikan”, f.371,381, 388). Dhe,së dyti, duke i mbajtur UÇK-ja të angazhuara forcat tokësore serbe, vetëm kështu aviacioni amerikan mundi të plotësonte misionet e tij.
Nuk ka ushtarak me përvojë që të mos e dijë se një nga parimet operative bazë është që komandanti në terren ka gjithmonë të drejtë. Dhe ai komandant ishim ne, UÇK-ja, ndërsa komandantët e NATO-s e shikonin situatën nga larg, të cilët pa ndihmën tonë do të ishin përherë të gabuar. Ne ishim në skenë, ne e preknim terrenin, duke u përballur me forcat serbe dhe duke i gjykuar ato. Aviacioni i frontit, sado i shumtë e i fuqishqëm që ishte, po mos të kish bashkëveprimin tonë që luftonim nga toka, po të mos kish informacionin tonë për frontin dhe në thellësi të armikut, i cili në terminologjinë ushtarake quhet shenjëtregim, do ta kish pothuajse të pamundur nënshtrimin dhe kapitullimin e kundërshtarit, sikundër e thekson edhe vetë Gjenerali Kolin Pauell. Dhe këtë detyrë të domosdoshme UÇK-ja e kreu 24 orë në 24 orë gjatë 78 ditëve të asaj fushate ajrore. Informacionin e jepnim ne. Kush nuk e di, le ta mësoi: informacioni është fuqi. Planifikimi jo vetëm i luftës por edhe i çdo sulmi nga toka dhe ajri kundër objektivave tokësorë të kundërshtarit është një mozaik i dhjetra e qindra detajeve shqetësuese; dhe këto detaje i jep informacioni që është në kontakt me forcat tokësore të armikut.

Avionët e NATO-s, por edhe ne, me të vërtetë synonim të bombardoheshin forca serbe të fshehura nëpër qendrat e banuar e nëpër pyje, por duhej të bënim kujdes që mos të bombardoheshin gratë dhe fëmijët, si dhe forcat tona. Lista e objektivave që raportonim ne në çdo 2-3 orë, por edhe më shpesh, përfshinte që nga dislokimi i instalimeve e forcave serbe, deri tanke të veçuar e të groposur, në front e në thellësi, deri tek transhetë e armikut si dhe gjithë linjat e tij të furnizimit e të ndërlidhjes, pa harruar vijën e ndodhjes së forcave tona dhe të popullsisë. Këtë e pranon edhe Gjenerali U.Klark kur i bëhet pyetje në Gjykatën e Hagës: “Cilat ishin burimet tuaja të informimit? Përgjigje: Këto ishin burime të besueshme të inteligjencës amerikane, plus raportimet nga vetë terreni”, (“Kosova Sot”, 26.12.2003, f.15).Prandaj e thashë dhe e them me bindje, se po të mos ekzistonte UÇK-ja, ushtria serbe edhe sot nuk do qe tërhequr nga Kosova.
Nuk e besoni këtë domosdoshmëri? Po u jap një seri shembuj të tjerë të hershëm e të tashëm.
Të gjithë e dimë që edhe pse zgjati 10 vjet fushata e bombardimeve sistematike “Rrolling Thunder” e SHBA kundër Vietnamit të Veriut (RDV), prej Gushtit të vitit 1964 deri në vitin 1973, nuk e nënshtruan dhe nuk e nënshtruan dot RDV. Dhe atë luftën “e vetme nga ajri” e bënte po kjo Amerikë që veproi edhe mbi Serbi, superfuqia më e madhe e gjithë kohrave, e cila bombardoi me të gjitha llojet e armëve e municioneve, si dhe me të gjithë teknologjinë më të sofistikuar ushtarake për atë kohë, duke hedhur mesatarisht 7 kg bomba për çdo vietnamez, ose tri herë më shumë bomba se gjatë gjithë Luftës së Dytë Botërore. Dhe përfundimi? Përgjigjen na e jep ish-sekretari Henri Kissinger: “Me kalimin e muajve, debati i brëndshëm u përqëndrua gjithnjë e më shumë në parakushtin e Hanoit që Shtetet e Bashkuara të caktonin në mënyrë të njëanshme një datë për tërheqjen,si formë për përfundimin e luftës.”, (Diplomacia,f.689). që do të thotë se ishin SHBA që kërkuan të uleshin në bisedime. Pala humbëse kërkon bisedime. Edhe pse kundër Vietnamit u përdorën bombat me napalm dhe lëndët kimike, madje edhe bomba me peshë 7 ton, të hedhura nga aeroplanët e rëndë bombardues B-52, të cilat shkrinin gjithçka në një rreze prej 100 metrash atje ku binin dhe shkaktonin një tërmet disaballësh në një rreze prej 3,5 kilometrash, e përsëri kundërshtari nuk kapitulloi. Dhe si shpjegohet kjo tërheqje e SHBA nga ana ushtarake? Sepse aviacioni amerikan i mungonte informacioni nga toka. Ishte kjo mungesë që e kish çuar Amerikën, sikundër shprehet pjesmarrësi në atë luftë, Gjenerali Kolin Pauell: “Ne kishim humbur lidhjet me realitetin. Gjithashtu ishim mashtruar nga teknologjia. Armiku ishte primitiv, ndërsa ne ishim vendi me teknologji më të përparuar në botë. Kështu, nga dyqani i Maknamarës dilnin mrekulli të tilla si “nuhatësi i njerëzve”, një pajisje që mund të diktonte që nga avjoni edhe koncentrimin e urinës në tokë. Nëse diktohej urinë në territorin armik, e kuptonim që aty kishte përqëndrim të tyre dhe ky përbënte një objektiv për goditjen tonë.”, (“Udhëtimi im amerikan”, f. 114).
Për mungesë bashkëveprimi nga toka dështoi edhe operacioni i koduar “Desert one”, i 24 prillit 1980, për të shpëtuar 53 pengjet amerikane të kapur nga iranianët e që mbaheshin robër në ambasadën amerikane në Teheran që prej pesë muajsh. “Plani parashikonte, shkruan Kolin Pauell, që helikopterët të transportonin trupat në një zonë pranë Teheranit dhe agjentët e SHBA në Iran do të sillnin aty kamionët për të dërguar komandot në ambasadën amerikane, ku do të përpiqeshin të eleminonin rojet… Por ishin dobësitë në zinxhirin e komandim- komunikimit që kontribuan në dështimin e misionit.”, (Po aty, f. 179-180)
Për të bindur edhe më skeptikun, por jo analistët e mirëpaguar të mediave pro-qeveritare të Kosovës, sepse ata edhe pse janë të bindur nuk mund ta kapërdijnë një të vërtetë të tillë sado shkencore të jetë analiza, prandaj dhe po i referohemi luftës së 29 shteteve më të fuqishme të botës, përfshi këtu edhe Rusinë, që kanë 5 vjet që po luftojnë kundër ISIS-it, madje në një terren krejtësisht fushor, kundër një ushtrie pothuajse guerile, duke kryer jo më pak se 100 fluturime në ditë, dhe nuk po e mundin dot. Pse? Sepse u mungon informacioni nga terreni, ai informacion që i jepte UÇK-ja NATO-s.
Këta shembuj që unë solla nuk janë të vetmit, ka edhe shumë raste të tjerë, por çfarë na tregojnë? Tregojn1 atë që e pranon Gjenerali Kolin Pauell: “Historia nuk njeh ndonjë rast që fuqia ajrore të ketë pasur sukses e vetme”, nëse nuk ka tradhëti nga pala që goditet me aviacion, sikundër ndodhi në Luftën e Irakut në vitin 2003.
Mund të lindë natyrshëm pyetja se ku e mbështeste UÇK-ja besimin në fitore, vallë vetëm te zgjatja e luftës? Edhe atje, pasi është strategji e domosdoshme për një luftë guerile, të cilën e thekson edhe Henri Kissinger: “Çdo vend që angazhohet në luftë guerile duhet të përgatitet për një luftë të gjatë. Ushtria guerile mund të vazhdojë për një kohë të gjatë taktikat godit e tërhiqu edhe me forca shumë të pakta”.(Diplomacia,f.629). Dhe këtë strategji të suksesshme, “godit e tërhiqu”, UÇK-ja e bëri formën kryesore të luftës së saj ditën që Serbia u largoua nga Rambujeja dhe filloi Operacionin “Patkoi”. Kjo strategji e re u bë tmerr për ushtrinë serbe. Këtë e kanë pohuar edhe vetë gjeneralët serbë në Gjyqin e Hagës. Njëri prej tyre është gjenerali Bozhidar Nikolla Deliç, i cili gjatë Luftës në Kosovë ishte komandanti i Br.529 të Këmbësorisë së Mekanizuar, me bazë në Prizren, i cili deklaroi: “Mënyra e luftimit të UÇK-së ishte duke iu shmangur çdo lloj luftimi të drejtpërdrejtë. Ata përdornin taktikën: godit dhe ik”. Ishte kjo strategji që bëri të mundur dështimin e operacionit “Patkoi”, me të cilin “Serbia desh të bënte pastrimin etnik në shkallë të gjerë kundër popullatës shqiptare në Kosovë”, (U.Klark,”Kosova Sot”,22.12.2003).
Vlen të theksohet se këtë objektiv të Operacionit “Patkoi”, UÇK-ja, me strategjinë e re të saj e kish bërë të dështonte para se aviacioni i NATO-s të fillonte sulmet kundër forcave serbe në Kosovë. Dihet që sulmet e aviacionit të NATO-s kundër forcave serbe në Kosovë filluan në 14 Prill, tre javë më pas si kishin filluar luftën nga ajri; si rrjedhojë e kushteve të vështira meteorologjike. Është vetë Millosheviçi që e pranon në Hagë që vetëm në muajin nëntor 1998 UÇK-ja ka kryer 470 sulme kundër forcave ushtarako-policore të tij, ndërsa në muajin dhetor 1998 1854 sulme, duke i shkaktuar atyre vetëm për dy muaj 244 të vrarë dhe 566 të plagosur, gjë që e pranon në parim edhe Gjenerali Klark. (“Kosova Sot”, 24.12.2003). Dhe këtë mision ne e arritëm pa ndihmën e NATO-s, të cilën e pranon në Hagë edhe vetë Gjenelari U.Klark: “Sqaroj, unë nuk e kam komanduar UÇK-në. Ne kurrë nuk e kemi ndihmuar UÇK-në. Ne nuk e kemi udhëzuar UÇK-në. Ne nuk e kemi ndihmuar formacionet e saj”, (“Kosova Sot”, 24.12.2003).
Duke pasur parasysh se NATO e kish luftën e saj të parë dhe, si e tillë, ajo kish hyrë në një luftë të kufizuar, me mandat të kufizuar, për një qëllim të kufizuar, ndaj dhe duhej të përmbushej sa më shpejt. Mirëpo, dihet që lufta është një ndërmarrje që thith gjithçka. NATO e filloi luftën, por po të mos e kish afruar UÇK-në për bashkëveprim, kish gjasa ta humbiste perspektivën e përfundimit të asaj lufte. Ajo perspektivë e NATO-s nuk humbi falë UÇK-së; ishte ajo që ia mundësoi Perëndimit ta realizonte atë luftë për 78 ditë, dyfishin e kohës së Luftës së Gjirit, “Stuhia e Shkretëtirës”, e vitit 1991, edhe pse kishin të bënin me një ushtri 3 herë më të vogël se ajo e Irakut, si në forca edhe në mjete, edhe pse zotëronin totalisht ajërin. Prandaj kemi të drejtën morale të themi: Me të vërtetë që SHBA dhe NATO na ndihmuan të çliroheshim shumë më shpejtë e shumë më lehtë se sa ne parashikonim, por ama ishte edhe UÇK-ja ajo që ua zbardhi faqen atyre. NATO-ja dhe UÇK-ja ishin si dy duar që lajnë njëra-tjetrën.
Dikush edhe mundet me kokëfortësi ta kundërshtoi këtë të vërtetë. Por po sjell këtu faktin tjetër që e njëjta situatë ishte edhe në Bosnjë, luftë e cila zgjati tre vjet sepse nuk u vendos bashkëveprimi që u vëndos me UÇK-në. Dhe këtë na e pohon vetë Shefi i atëhershëm i Shtabeve të Bashkuara të SHBA, Gjenerali Kolin Pauell: “Zgjidhjet tona varionin nga goditjet e kufizuara ajrore përreth Sarajevës deri në bombardimet e serbëve në të gjithë teatrin e luftimit. Unë theksova se asnjëri nga këto aksione nuk garantonte që të ndryshonte sjelljen e serbëve. Vetëm trupat tokësore mund ta bënin këtë. Bombardimet e rënda mund t’i bindnin ata të lëshoni diçka, por nuk mund t’i detyronin t’i ndërprisnin luftimet. Dhe, përballë goditjeve ajrore të kufizuara, serbët nuk do ta kishin të vështirë t’i fshihnin tanket dhe artilerinë në pyjet dhe mjegullën e Bosnjës, ose t’i mbanin ato afër popullsisë civile.”, (“Udhëtimi im amerikan”, f.454). U desh t’i ofrohej Milloshit Çmimi Nobel i Paqes që të ndërpritej lufta dhe Amerika të mos angazhohej në Bosnjë me forcat e saj tokësore.
Ato taktika si në Bosnjë përdorën forcat serbe edhe në Kosovë, të cilën e pohon Gjenerali Uesli Klark, duke e pranuar edhe faktin se ishte UÇK-ja ajo që i nxirrte forcat, tanket dhe artilerinë serbe nga pyjet, qendrat e banuara dhe mjegullat e Kosovës, duke i ekspozuar para aviacionit amerikan: “Ne gjithashtu pranonim informata nga UÇK – ja, që kishin të bënin me luftën, e cila zotëronte vijën dominante, vijën kyçe të komunikacionit në veri, në drejtim të Beogradit…Lufta e vazhdueshme e saj i detyronte shpesh forcat serbe të delnin në terren të hapur, ku na jepej neve mundësia t’i godisnim ato. Ne kishim informata të konsiderueshme rreth planeve të UÇK – së për të sulmuar brenda në Kosovë… UÇK – ja i nxirrte batalionet serbe nga fshatrat, permes dyluftimeve, duke na dhënë neve mundësinë t’i sulmonim nga ajri.”, ( Uesli K. Klark “ Waging Modern War”, f. 330)
Por Gjenerali Uesli Klark pranon edhe atë çka shrehëm më lartë, se fitorja e asaj lufte nuk erdhi vetëm prej NATO-s. Ajo ishte fitore e përbashkët, e NATO-s dhe e UÇK-së. Si e tillë, prandaj e kanë urdhëruar Klarkun që atë luftë të mos e quaj luftë, por thjesht një operacion; stërvitje, me demek. Dhe ai, duke i qëndruar besnik kodit të nderit të oficerit amerikan, nuk mundet ta mohojë të vërtetën, prandaj, qysh në hyrje të librit të tij, (“Waging Modern War”, Oxford, UK, 2001,f.V), shkruan: “Ne është dashur ta festojmë suksesin tonë, por për arsye se nuk mund ta cilësonim si luftë, nuk mund ta cilësonim atë as si fitore, edhe përkundër faktit se e tillë ishte”.

Por, kohët e fundit është bërë e njohur se KFOR-i, me në krye Gjeneralin anglez Xhekson, pasi e mori gjithë dokumentacionin e luftës së Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, në nëntorin e vitit 1999, ia ka dorëzuar Serbisë! Pse Amerika dhe Anglia nuk i deklasifikojnë dokumentat e luftrave të tyre para një çerek shekulli e më shumë, ndërsa dokumentat tona luftarake ia dha pales sonë kun dërshtare?! Si ta kuptojmë këtë veprim të NATO-s? Prandaj dhe Serbia ka deklaruar se këto dokumenta do t’i përdorë si fakte për ata që do të dalin para Gjykatës Speciale Ndërkombëtare kundër UÇK-së, e cila po instalohet në Belgjikë. Me sa duket kjo Gjykatë ka qenë paravendosur qysh në Rambuje, ndryshe pse NATO do të rrëmbente ditaret tanë luftarakë dhe t’ia dorëzonte Serbisë? Këto lajme na bëjnë të hedhim dyshime se cilat kanë qenë arsyet që z.Agim Çeku nuk i ka dorëzuar ato dokumenta në Arkivin e Kosovës porsa u instaluam si SHP në Prishtinë, por i mbajti deri sa një ditë ka pranuar t’ia dorëzoi KFOR-it? Derisa edhe zotërinjtë Hashim Thaçi e Kadri Veseli nuk kanë reaguar kur Serbia deklaroi se i ka marrë këto dokumenta nga KFOR-i, do të thotë se z. Agim Çeku nuk ia dorëzuar me nismën e tij. Kjo duhet të jetë vallë edhe arsyeja kryesore e gradimit të z. Agim Çekut, Gjeneral, nga Përfaqësuesi Special i OKB, francezi Kushner, si shpërblim pse ai realizoi dorëzimin e këtyre dokumentave luftarake KFOR-it, si dhe pse çarmatosi totalisht UÇK-në, si dhe pasi ndryshoi të gjithë emërtimet e formacioneve të ish-UÇK-së?! Na lind kjo pyetje, pasi Çeku në luftë erdhi një muaj pasi u angazhua NATO dhe s’kish meritat e atij që ai zëvendësoi, Bislim Zyrapit, i cili ishte ai që e ringriti UÇK-në, kur ajo pothuajse u shpërbë gjatë verës së vitit 1998.
A duhet të ketë pasur vallë një marrëveshje politike a ushtarake që komanda e KFOR-it t‘ia dorëzojë Serbisë dokumentat e SH.P. të UÇK-së? Apo kjo të ketë ndodhur ngaqë e quajnë ende Kosovën pjesë integrale të Serbisë? Miratimi i Zajednicës dhe zgjedhja e Thaçit President me si rrjedhojë e ndihmës së deputetëve serbë, bashkë me përkrahjen e gjithë ambasadorë perëndimorë të bën ta besosh këtë gjë. Kështu që, edhe nëse janë të vërteta akuzat e Dik Marti e të Karla Del Pontes, as mos u shkojë ndër mend se mund t’i jepen të apostrofuarit e tyre Gjykatës Speciale Ndërkombëtare, pasi me të mirat që ata i kanë bërë dhe po i bëjnë Serbisë i kanë shlyer fajet e tyre para Perëndimorëve, edhe nëse i kanë bërë. Atje do shkojnë ëndërrimtarët, edhe pse Gjenerali U.Klark deklaroi me zë të lartë para Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë: “Unë nuk e pranoj definimin e UÇK-së si organizatë terroriste… ajo ishte një shpërthim i një lëvizjeje të rezistencës.Unë dua ta them këtë për tu regjistruar si e dhënë.” (“Kosova Sot”, 25.12.2003).
Duke u bazuar në Marrëveshjen e Rambujesë, ku UÇK-së as që i përmendet emri, por nënkuptohet dhe përcaktohet që të çarmatoset dhe t’i jepet gjyqit, si dhe në sjelljen krejt ndryshe me UÇK-në, në mënyrën më barbare, të forcave të KFOR-it, pasi ato hynë në Kosovë, duke mospranuar që të quheshim më ushtri aleate, si dhe në dorëzimin prej tyre të ditarëve të luftës sonë në Serbi, kemi të drejtën të dyshojmë se KFOR-i e ka eleminuar të gjithë dokumentacionin e bashkëveprimit të UÇK-së me NATO-n. Dhe kjo, për ta shuar nga historia UÇK-në. E shprehim këtë dyshim, bazuar jo vetëm në unanimitetin “patriotik” të mazhorancës parlamentare në Kosovë, për tre marrëveshjet antikombëtare të atij Parlamenti, por edhe në mohimin që i bëhet UÇK-së nga politikanët dhe ambasadorët e huaj në Prishtinë, duke ia dedikuar tërë lavdinë e asaj fitoreje vetëm Perëndimit. Tradhëtia nuk ka brirë. Jo më kot edhe Presidenti Kroat, Ivo Josipoviç, në takimin me Presidentin serb Nikoliçin, midis të tjerave, tha: “Ne nuk veprojmë si të mjerë, siç veprojnë shqiptarët e Kosovës, të cilët harrojnë gjithçka për asgjë!”.
Një shoqëri e drejtuar nga të tillë burokratë, që mohojnë luftën dhe gjakun e popullit, duke falur edhe trojet e vendit të tyre, duke ushtruar diktat ndaj popullit e përfaqësuesve besnikë të tij, nuk mund të funksionojë./Gazeta Dita/
dilaver-goxhaj-905x450-848x450

loading...

loading...