Kush është “Zeusi” shqiptar i kokainës së klasit A në Greqi, biznesmen “i krimbur” në lekë

Skema se si funksiononte grupi shqiptaro-grek i kokainës është zbardhur nga policia greke dhe në këtë hetim është përfshirë edhe DEA amerikane e vendosur në Athinë.

Kokaina me origjinë kolumbiane e klasit A ishte paketuar me logo të PlayBoy-t. U sekuestrua plot 21 kg dhe shuma të mëdha parash (rreth 800.000 €) u përfituan nga shitja dhe shpërndarja e drogës.

4 ditë më parë u arrestuan 5 persona, mes të cilëve 4 shqiptarë të moshës 34-56 vjeç dhe një biznesmen grek 61-vjeçar i njohur në zonën e Trikalas në Greqi.

“Truri” i organizatës së kokainës në Ballkan është një 53-vjeçar shqiptar i quajtur Arian Senaj, i cili jeton në Greqi në një vilë në zonën e quajtur Kavuri. Biznesmeni shqiptar është një nga më të pasurit në Shqipëri dhe është i përfshirë në tregtinë e gazit natyror, shkruan gazeta greke “Protothema”, e cila shton se është ndër njerëzit më të pasur në Shqipëri dhe i përfshirë në fushën e transportit të gazit natyror.

Biznesmenit grek, të cilit iu gjet gjysma e sasisë së kokainës, është pronar i një kompanie nafte në Shqipëri, ai quhet Thanasis Karatzounis. Emri i tij u bë i ditur nga mediat greke.

Gjysma tjetër e sasisë iu gjet një 35-vjeçari shqiptar të quajtur Sami H. tashmë të arrestuar. Ky i fundit e kishte fshehur drogën poshtë sediljes së shoferit dhe të pasagjerit në një vend të modifikuar posaçërisht.

Agjencia amerikane e zbulimit të trafikut të drogës ka dyshime të forta se biznesmeni shqiptari që drejtonte këtë rrjet droge, ka lidhje të forta në Shqipëri dhe hetimet mund të nxjerrin në dritë të tjera informacione të vlefshme.