Kusari – Lila tregon se kush është kryetar i partisë së re


Mimoza Kusari-Lila në emisionin “Rubikon” të KTV-së duke mos dashur të tregojë se kush do ta drejtojë partinë e re, ka shtuar se kryetar i kësaj partie është qytetari i Kosovës.

Kusari-Lila të hënën mbrëma publikoi një fotografi me deputetin Ilir Deda derisa tregoi se kjo fotografi është shkrepur nga kryetari ose kryetarja e Iniciativës së re, por në emisionin “Rubikon” ajo nuk ka treguar saktësisht se kush e ka realizuar fotografinë.

“Kryetar është qytetari i Kosovës”, ka thënë Kusari-Lila. “Kryetari është qytetar i Republikës së Kosovës”.

“Kemi qenë pesë persona [të hënën]. Janë qytetarë që besojnë në këtë ide”, shtoi ajo.

Sipas saj iniciativa e tyre po merr jetë dhe emrat tjerë do të prezantohen në mënyrë formale.

“Do të prezantohen në mënyrë formale në më pak se një muaj”, ka thënë ajo duke shtuar se kjo iniciativë është e hapur për të gjithë ata që janë të gatshëm t’i hyjnë kësaj sfide dhe besojnë në këtë ide.

Gjatë emisionit, Kusari-Lila ka treguar se shumë herë ka pasur mundësi të jetë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës.

“Kam pasur mundësinë të jem pjesë e PDK-së nga fillimi. Nuk kam pasur nevojë që të shkoj në një subjekt politik dhe të ushtroj ndikimin e subjektit e tjetrës”, ka thënë Kusari – Lila.

Ajo ka thënë se ka zgjedhur rrugën e vështirë për të ushtruar funksionin e saj politik.

Kusari-Lila ka thënë se për pjesëmarrjen në partinë e re ka biseduar edhe me deputeten e LDK-së, Vjosa Osmanin, por kjo e fundit, sipas kryetares së Gjakovës, ka vendosur që të punojë në reformimin e partisë së saj.

“Kemi bisedu disa herë me Vjosen mirëpo ajo ka zgjedhur të vazhdojë punën për partinë në të cilën ajo beson”, shtoi ajo.
k