Kurti: Kosova është vend pa sovranitet

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se Vetëvendosje është një lëvizje e cila vepron edhe brenda edhe jashtë Kuvendit të Kosovës, me fjalimet, me punën e saj në seanca plenare e komisione parlamentare, e po ashtu dhe në demonstrata që i konsiderojmë jetike për një shoqëri të emancipuar.

Lideri i VV-së këto komente i ka bërë në fshatin Ponoshec të Gjakovës, ku Lëvizja Vetëvendosje mbajti një tubim me qytetarë për të diskutuar lidhur me situatën politike sociale dhe ekonomike.

Përveç Kurtit, panelistë në këtë tubim ishin edhe kryetari i qendrës së VV-së në Gjakovë, Tuha Qurdina, dhe sekretari organizativi VV-së, Dardan Molliqaj.

Kurti theksoi se Lëvizja Vetëvendosje është që me çdo kusht Kosova të bëhet një shtet me sovranitet dhe integritet territorial, duke shtuar se sovraniteti është çështje e brendshme e jona, për të cilën mund të gjejmë miq dhe armiq nga jashtë, por nuk mund ta marrim atë nga jashtë.

“Sovran bëhesh. Sovraniteti merret, nuk jepet, nuk dhurohet. Sovraniteti është politik edhe institucional, pra sistemi shtetëror, udhëheqja shtetërore që vepron në interes të përgjithshëm. Sovraniteti është edhe ekonomik, pra pasuritë natyrore, ndërmarrjet strategjike, ndërmarrjet publike. Pastaj kemi edhe sovranitetin ushtarak, pra mbrojtjen e kufijve shtetëror” tha Kurti.

“Sovranitet politik dhe institucional nuk e kemi, ngase e kemi EULEX-in mbi kokë, që nuk na jep llogari nga njëra anë dhe strukturat kriminale që veprojnë në çerekun e shtetësisë. Sovranitet ekonomik nuk e kemi për shkak se janë shitur mbi 600 ndërmarrje publike pa pyetur asnjëherë se çfarë, si dhe pse duhet të privatizohet dhe sovranitet ushtarak nuk kemi ngase nuk kemi ushtri që na mbron kufijtë shtetëror”, tha Kurti.

Sipas tij, Kosova po bëhet vend i pajetueshëm për popullsinë autoktone.

“Nuk ka kuptim liria me këtë pabarazi, ngase liria me ketë pabarazi është liri për disa e kjo liri për disa është diktaturë. Ne do ta ndryshojmë gjendjen duke e ngritur popullin në këmbë, këta mund të na e vonojnë por jo të na ndalin”.
“Ne, Lëvizja Vetëvendosje kurrë nuk do të lejojmë që politika të mbetet pa moral e pa ideal. Gjithmonë do te jemi në ballë për çfarëdo që e kërkon nevoja, por për se do të na duhet edhe përkrahja e popullit për ta realizuar këtë”, tha Kurti.