KUJDES / Kjo specie e rrezikshme “pushton” bregdetin shqiptar (FOTO)

Në bregdetin e Adriatikut shumë pushues fundjavën që kaloi përjetuan djegie të forta të shkaktuara nga kandilat e detit, duke përjetuar “ferrin” në lëkurë bashkë me temperaturat e larta në vlerën 38 deri 39 gradë celcius. Është koha kur të gjithë i drejtohemi bregdetit.

Zhytja në det dhe noti në thellësitë e tij është shpëtimi më relaksues ndaj të nxehtit përvëlues. Por kujdes! Rritja e pazakontë e temperaturave javën e fundit ka mbipopulluar gjithë Mesdheun me kandila deti, përfshirë edhe bregdetin shqiptar.

Një dyndje e tillë masive e kandilave të detit nuk është hasur prej dekadash. Situata pritet të qendrojë e tillë përgjatë gjithë sezonit veror, kjo pasi moti ekstremisht i nxehtë tërheq në mënyrë masive këto gjallesa shumë të vogla në pamje por tejet të rrezikshme kur bien në kontakt me trupin e njeriut. Kandilat e detit, me emrin shkencor Carybdea Marsupialis prej disa javësh kanë populluar gjithë Adriatikun duke u shfaqur shumë pranë, edhe pak metra nga bregu i detit. Por nuk është vetëm ky lloj kandili që në formë masive është përhapur në Adriatik. Disa lloje të tjerë kandilash, me emrin Rhizostoma dhe Cotyloriza, me përmasa të mëdha kanë shtuar gjithashtu prezencën e tyre në bregdet. Ekspertët shpjegojnë gjithçka lidhet me të nxehtin dhe veçanërisht me llojin e klimës që ka mbizotëruar gjatë dimrit dhe pranverës.

“Jemi në këtë situatë për shkak të motit tejet të nxehtë. Në rastet kur stinët në secilin interval të tyre tre mujor kanë qenë me klimë të ngrohtë, atëherë gjatë verës kandilat e detit rrisin praninë e tyre, sidomos në ujrat e ngrohta.” shprehen biologët. Çfarë shkakton Kandili i Detit Prekja nga një kandil deti shkakton jo vetëm djegie dhe irritime në lëkurë por ndikon negativisht edhe në organizmin e njeriut.

Menjëherë sapo kandili i detit bie në kontakt me trupin e njeriut, ai lëshon gjemba ekstremisht të vegjël brenda në lëkurë, duke injektuar një lëng helmues. Krahas djegies së lëkurës dhe plagëve në të, lëngu helmues i kadilit të detit ndikon edhe në shkaktimin e dhimbjeve të kokës, të vjellave, marrje mendsh, dobësim të muskujve dhe rrahje të shpeshta zemre. Në disa raste, prekja nga kandili i detit shkakton lotim nga sytë, probleme në frymëmarrje dhe rrufë. Alergjia është gjithashtu një nga simptomat që mund të shfaqë prekja nga kandili i detit. Në rastet të ngërçeve të gjata dhe të forta muskulore apo në rast se zona e prekur nga kandili i detit infektohet atëherë do t’ju duhet me patjetër të këshilloheni me mjekun.
Si të lehtësojmë efektet e thumbave nga kandilat e detit.

Trajtimi më i mirë që u bëhet simptomave të prekjes nga kandili i detit varet nga efekti që ai shkakton në lëkurë dhe organizëm. Por në përgjithësi, thumbat nga kandilat e detit mund të trajtohen dhe lehtësohen edhe në mënyrë natyrale në shtëpi.

Hiqni thumbat: Largoni çdo pjesë të tentakulave të kandilit që ka mbetur në lëkurë duke e shpëlarë atë me ujë deti. Evitoni prekjen e zonës së lëkurës së lënduar me rërë. Mos hidhni ujë të ftohtë në zonën e lënduar si dhe mos e fshini atë me peshqir. Këto dy mënyra mund të irritojnë edhe më shumë lëkurën duke i riaktivizuar tentakulat.

Shpëlani lëkurën e lënduar me uthull ose me sodë: Për 30 sekonda hidhni pak uthull mbi zonën ku lëkura është prekur nga kandili. Ose, aplikoni sodë të përzier me ujë deti. Secila nga këto dy metoda rrëzon tentakulat e kandilit dhe lehtëson dhimbjen e shkaktuar.

Dush të ngrohtë dhe kuba akulli: Përdorni ujë të ngrohtë-aq sa trupi ka mundësi për ta toleruar por jo mbi temperaturë 45 gradë, ndërkohë vendosni kuba akulli të ftohtë në zonën e lënduar. Kjo do të lehtësojë irritimin dhe dhimbjen gjithashtu.