Kualifikohet Bayerni, por mes drithërimash – VIDEO

loading...

arsenal

loading...
Verdikti dukej i shkruar pas blicit të Bayernit në “Emirates Stadium” me një 3-1 që i jepte pak shpresë Arsenalit. “Topçinjtë” e provuan deri në fund: pas 3 minutash shënuan me Zhirudin, por më pas nuk dhanë kurrë shenja se mund ta përmbysnin ndeshjen, deri 5 minuta nga fundi kur shënoi Koshielni. Goli i belgut veç rezultatit final 2-0, solli edhe një fund drithërimash në “Alianc-Arena”, me Arsenalin që hidhte topa të gjatë përpara, por nuk iu afrua golit të tretë, i cili edhe do t’i kualifikonte.

BAYERN MYNIH-ARSENAL 0-2
GOLAT: Zhirud 3′, Koshielni 85′

BAYERN MYNIH (4-2-3-1): Nojer, Lahm, Van Bujten, Dante, Alaba, Kros (Timoshuk 81′), Martinez, Myler, Roben, Gustavo, Manxukiç (Gomez 73′) Trajner: Jup Hejnkes

ARSENAL (4-2-3-1): Fabianski, Gibs, Xhenkinson, Mertezaker, Koshielni, Arteta, Uollkot (Çembërlein 72′), Roziçki, Kazorla, Ramsej (Zhervinjo 72′), Zhirud Trajner: Arsen Venger

KARTONË TË VERDHË: Lahm 57′, Martinez 83′, Gomez 89′/ Gibs 44′, Roziçki 62′, Zhirud 73′, Mertezaker 80′, Kazorla 83′ Koshielni 86′
GJYQTAR: Pavel Kralovec (Çeki)

Kalon Bayerni i Mynihut, por mos u gënjeni nga rezultati i mbrëmshëm: gjermanët, të privuar nga shërbimet e Ribery-së (i dëmtuar) dhe Shvajnshtaigerit (i pezulluar), zbritën në fushë sikur e kishin prerë biletën në ¼-at, pa agresivitet dhe të shpërqendruar. Përpara arritën të krijojnë diçka, sepse sa i përket talentit, kanë një skuadër inferiore vetëm pas dy gjigantëve spanjollë. Por nuk arritën për asnjë moment në nivelet ku jemi mësuar t’i shohim, në ato nivele që e bëjnë një prej favoritëve të Champions- it (nëse nuk do të harrojnë kokën në dhomat e zhveshjes, ashtu siç bënë mbrëmë). Heynkes bëri 3 ndryshime të detyruara nga skuadra që mundi 3-2 Dyseldorfin të shtunën. 67-vjeçari riktheu Marinezin dhe Danten për Shvajnin e Boatengun, ndërsa Robben kishte detyrë të zëvendësonte Ribery në të majtë.

Menjëherë Zhirud – Venger, i cili lë jashtë Vermalenin, i tmerrshëm në ndeshjen e parë, rikthen Uollkotin në të djathtë për të mbështetur Zhirudin pikë të vetme. Dhe nga këmbët e sakta të Kazorlës kalojnë të gjithë topat e anglezëve. Ndeshja nuk ka kohë për të marrë formë, sepse merr tjetër rrjedhë pas vetëm 180 sekondash. Rrëshqitja e Alabës i lejon hapësirën e nevojshme Uollkotit për të dhënë asistin perfekt për sulmuesin francez në qendër të zonës, dhe 1-0. E nëse të gjithë mendojnë se goli i shpejtë do të ringjallë një ndeshje, e cila i kishte të gjitha pritshmëritë për të mos qenë e bukur, e kanë gabim. Sepse ndodhin pak gjëra, për të mos thënë asgjë deri në pushim: Bajerni kontrollon lojën dhe ngacmon Fabianskin me gjuajtje nga distanca të Mylerit e Krosit. Arsenali nuk krijon më asgjë. Në mbrojtjen e Bajernit është vetëm Dante ai që ka të njëjtën siguri dhe saktësi si në Bajernin e harruar në dhomat e zhveshjes.

Është e njëjta kopje edhe në pjesën e dytë. Uollkoti ndalet për një pozicion jashtë loje inekzistent, ndërsa Roben shpërdoron nga vetëm dy hapa golin e barazimit. Venger bën përpjekjen e fundit për të provuar misionin e tij të pamundur: hedh në fushë Zhervinjon dhe Çembërleinin. Afrikani shpërdoron me të djathtën përpara se të vijë goli i dytë. Dhe është një goditje standarde ajo që ndëshkon Bajernin. Koshielni arrin të gjejë hapësirën për të goditur me kokë përpara se Martinezi të pastronte zonën dhe mposht Nojerin në goditjen e dytë brenda kuadratit. Mungojnë 5 minuta, plus shtesa. Por nuk ndodh asgjë. Bajerni u bashkohet 7 skuadrave të tjera çerekfinaliste dhe nesër do njohë rivalen e saj.

Jup Heynkes merr frymë: Shpëtuam mirë

“Ishte një paraqitje e dobët, sidomos në pjesën e parë. Skuadra nuk arriti ta kontrollojë lojën. Ishte goli i shpejtë që pësuam ai që na prishi planet dhe ndikoi në aspektin psikologjik të futbollistëve. Arsenali dominoi, prandaj mendoj se shpëtuam mirë, – u shpreh trajneri i Bajernit të Mynihut, Jup Hejnkes. – Duhej të kishim shënuar një gol patjetër, por ato pak raste që krijuam, nuk i shfrytëzuam si duhet. Roben? Unë jam i kënaqur me paraqitjen e tij. Ka pak javë që është rikthyer nga dëmtimi dhe tregoi një formë të mirë fizike. Sigurisht që nuk është fajtor për humbjen tonë”, – shtoi kreu i pankinës bavareze.

Wenger: Bayerni u mbyll në mbrojtje

Arsen Venger shprehet i lumtur për paraqitjen e skuadrës së tij, por pranon se eliminimi erdhi për shkak të golit të tretë që pësuan në shtëpi. “Nëse do kishim humbur me një gol diferencë në fushën tonë, do ia kishim dalë mbanë. Jam krenar për skuadrën time, pasi realizuam një fitore të shkëlqyer në Gjermani. Bayerni u mbyll në mbrojtje dhe na e vështirësoi disi shënimin e golave. Bavarezët u munduan të rrezikojnë me kundërsulme, por mendoj se edhe ne bëmë një punë mjaft të mirë në repartin defensiv. Xhekinson, Mertesaker, Koshielni, Gibs dhe Fabianski ishin në formë të shkëlqyer. Nuk mund të pretendosh ndaj një kundërshtari të tillë, t’i pengosh që të krijojnë ndonjë rast për shënim. Gjithsesi, ne ishim shumë pranë kualifikimit dhe më vjen keq që nuk ia dolëm mbanë, pasi e meritonim”, – u shpreh Venger. Më tej ai kapet edhe me arbitrimin: “Gjyqtari na e bëri akoma më të vështirë kualifikimin. U bë disa herë protagonist me vendime të dyshimta. Por, tani nuk na mbetet gjë tjetër veçse të fokusohemi te kampionati dhe të realizojmë objektivin tonë aty”.

Hones: Në fillim të lojës fjetëm në fushë për disa minuta

Presidenti i Bajernit, Uli Hones, nuk i ka kursyer kritikat për skuadrën: “Në fillim të lojës fjetëm në fushë për disa minuta dhe normal që kundërshtari do shënonte. Lojtarët ishin nervozë, gjë që i pengoi të dalin në lojën e tyre. Nëse duam të fitojmë Ligën e Kampioneve, paraqitje të tilla nuk duhet të përsëriten asnjëherë. Rrezikuam shumë që të eliminoheshim”, – tha ai.

Rumenige: Bayerni pati shumë fat

Karl-Hainc Rumenige i falet fitores në ndeshjen e parë për kualifikimin në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. “Patëm shumë fat që shënuam tre gola në Angli. Me atë formë që tregoi Bayerni, sot (dje) nuk do kishim shanse të kualifikoheshim po të kishim fituar me një gol diferencë në transfertë. Arsenali ishte ndjeshëm superior në fushën e lojës, dominoi në çdo aspekt. Duhet lënë pas krahëve kjo humbje”, – u shpreh ai.

loading...