Kryeterroristi i Parisit donte të hidhte veten në erë në stadium, por ndërroi mendje


I dyshuari për pjesëmarrje në sulmet terroriste të 13 nëntorit të shkuar në Paris, Salah Abdeslam, ka pranuar se kishte planifikuar të hidhte veten në erë, por ndërroi mendje.
Lajmin e bëri të ditur kryeprokurori i Parisit, Fransua Molins, një ditë pasi 26-vjeçari u arrestua në Bruksel nga policia belge.

“Gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit belgë, Abdeslam pranoi se donte të shpërthente veten në stadiumin ‘Stade de France’, por më pas u tërhoq”, tha Molins.

Hetuesit shpresojnë që nga dëshmitë e Abdeslamit të mësojnë më tepër rreth rrjetit që fshihet pas sulmeve në kryeqytetin francez.

Abdeslam do të përpiqet ligjërisht të shmangë ekstradimin në Francë, por po bashkëpunon me autoritetet, bëri të ditur avokati i tij.
x