“Krushqia e refuzuar” që çoi në krim të dyfishtë, dy fiset gjejnë rrugën e paqes (Video)

Screenshot_237

Fshatit Drisht në Shkodër i dëgjohet sërish emri pas ngjarjes së janarit që tronditi të gjithë Shqipërinë.

Zija, dhimbja, lotët e humbjes se 2 vëllezërve nuk bënë që pjesa tjetër e familjes Shkami të humbnin logjikën, përkundrazi, me ndërmjetësimin e pleqësisë, përveç pjesëtarëve të shtëpisë së Aleksandër Dushaj, ata liruan nga ngujimi të gjithë pjesën tjetër të fisit.

Kishte kërkuar për martesë vajzën e Skënderit, por krushqia e refuzuar e çoi deri në vrasje…e menjëherë pas pjesëmarrjes në varrimin e të ndjerëve të gjithë u ngujuan…

Sipas Ibrahimit, fillimisht me nismën e shoqërisë u bisedua me pajtimtarët, më pas ata organizuan një takim me disa nga anëtarët e familjes Dushaj për të vendosur fatin e të ngujuarve.

“Erdhën më thanë sepse donim ta dëgjonim gojarisht…si ishte vendosur e që realisht kishte ndodhur“, thotë Ibrahimi.

Dita e parë e daljes nga pragu i shtëpisë nuk ishte i lehtë për të.

”U ndjeva i lirë…nuk mora rrugë të gjatë e asgjë, por prapë më vinte turp nga njerëzit si do i takoj…si do iu dal përpara”.

Ramazani thotë se kurrë nuk i kanë bërë keq askujt, por jeta të përball më shumë vështirësi…

Njiheshin me të gjithë që fëmijë, ishin miq, pak metra ndajnë shtëpitë e tyre. Ka kaluar më shumë se 1 muaj e ata sërish zgjodhën të jepnin një shembull të mirë…Ndoshta më vonë, siç thuhet me shumë shpresë tek banorët, mirësia e tyre mund të shkojë edhe më tej.

“Ia kemi lënë në dorë drejtësisë…“, thotë Ramazani.

Ishte ngjarja e parë e tillë në këtë vend. Askush nga banorët e zonës nuk kishte menduar se mund të ndodhte, por gjithsesi ata ndjehen krenarë për pajtimin dhe dashamirësinë për të kaluar këtë situatë, por kurrsesi për të harruar vëllezërit e tyre.

Të dyja familjet bashkohen në një mendim që duan ta percjellin në çdo familje shqiptare, tek çdo gjakmarrës e çdo i ngujuar që kalon ditët e ngrys netët pa kaluar pragun e shtëpisë.

“Ngjarje të tilla nuk duhet të përsëriten…“, shprehet Ibrahimi.