Kouchner: Triumf diplomatik i Evropës në Kosovë

loading...

loading...
Ish kryeadministratori i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Bernard Kouchner në një shkrim autorial në të përditshmen The Wall Street Journal, e quan politikën e jashtme të Brukselit një ‘triumf diplomatik të Evropës në Kosovë,’ për rolin ndërmjetësues në negociatat midis Prishtinës dhe Beogradit.
“E shtuna shënoi përvjetorin e Marrëveshjes së Brukselit, e ndërmjetësuar nga BE për normalizimin marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kosovës,” shkruan Kouchner, ndërsa reflekton në (mos)veprimet e mëhershme kur BE bëri pak për të parandaluar luftërat e viteve në 90-ta në Ballkan.
“Si përfaqësues i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë 1999-2001, kam kuptuar se pas një konfrontimi të tillë të përgjakshëm nuk kishte asnjë perspektivë për fillim të bashkëjetesës apo pajtimit midis serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës dhe ishte e qartë se duhej kohë para se të dy palët do të mund të binden për të folur me njëri-tjetrin”.
Kouchner, i cili njëherësh ka qenë edhe shef i dioplomacisë franceze, përmend ndryshimet që ndodhën në Serbi më 2012 kur qeveria e koalicionit e udhëhequr nga kryeministri, Ivica Daçiq dhe zëvendëskryeministri Aleksandar Vuçiq, ishte e bindur se fati i Serbisë ishte në BE dhe se parakusht i saj në negociatat me Brukselin ishte normalizimi i marrëdhënieve me Prishtinën.
Kryedimplomati francez shkruan për takimet midis kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb, Daçiq, cilët pas nëntë raundesh të negociatave nën udhëheqjen e BE-së, nënshkruan marrëveshjen 15 pikëshe për normalizimin e marrëdhënieve më 19 prill, 2013, transmeton RTK.
“Duke marrë parasysh thellësinë e armiqësisë në të dy anët, marrëveshja me të drejtë mund të quhet një pikë kthese historike, ndërkaq udhëheqësit në Beograd dhe në Prishtinë meritojnë lëvdata që treguan guxim politik për marrjen e vendimeve jopopullore. Marrëveshja nuk do të kishte qenë e mundur pa BE-në e cila palët i mbante të fokusuara tek shpërblimi: fillim negociatash anëtarësimi për Serbinë dhe marrëveshja e Stabilizim Asocimit me Kosovën”.
Në fund të këtij shkrimi autorial në të përditshmen njujorkeze ish kryediplomati francez shkruan se “marrëveshja e Brukselit tregoi se me udhëheqje dhe stimuj të duhur edhe konfliktet më të rënda mund të shqyrtohen dhe të negociohet rruga përpara”.

loading...