“Kosova e Re” rrezikohet nga kriza politike

Pa u formuar Qeveria e re, nuk pritet të nënshkruhet kontrata me kompaninë fituese të këtij projekti, që është zvarritur prej disa vitesh.
Situata politike në vend është bërë peng i projektit më të madh energjetik. Shtyrja e afatit për shpalljen e fituesit të tenderit për termocentralin “Kosova e Re” është bërë për shkak të zhvillimeve paszgjedhore. Kështu kanë bërë të ditur burime brenda Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE). “Ky është projekt madhor, aktualisht ekzekutivi është në detyrë, madje këtë e kanë kërkuar edhe investitorët, që nënshkrimi të bëhet vetëm atëherë kur formohet Qeveria e re”, ka thënë ky burim. Po i njëjti ka thënë se ky projekt, siç është ndërtimi i ‘Kosovës së Re‘, nuk do të mund të realizohet pa themelimin e Qeverisë së re. “Nuk ka mundësi që tash të shpallet fituesi i projektit ‘Kosova e Re’, kjo pasi Qeveria është në detyrë”, ka thënë ky burim./Kosova sot/