Kosova e ka të vështirë t’i përmbush kriteret për liberalizim

Njohësi i proceseve integruese, Emrush Ujkani ka thënë për “Zërin” se ngecjet më të mëdha të Kosovës në procesin e plotësimit të kritereve të Udhërrëfyesit për liberalizmin e vizave janë në fushën e sundimit të ligjit.

Madje sipas tij është vështirë të parashihet se deri në çfarë afati Kosova do të arrin t’i përmbush kriteret e Udhërrëfyesit.

“Një pjesë e vërejtjeve që janë evidentuar në raport vetëm se po përsëriten. Vërejtjet i kisha nda në dy grupe kryesore: riatdhesimi, dokumentet e gjendjes civile, rritja e nivelit të vetëdijes për çështjen e liberalizimit mund të përmirëson për një periudhë ndoshta jo shumë të lagët. Ndërsa grupimi i dytë është shumë më problematik e ku përfshihet sundimi i ligjit.

Mendoj që do të jetë shumë sfiduese fuqizimi i sundimit të ligjit, dhe fuqizimi i gjyqësorit të pavarur”, është shprehur Ujkani
Megjithatë sipas tij, Kosova ka shënuar progres në përmbushjen e disa kritereve, prandaj sipas Ujkanit e rëndësishme është që po ngushtohet rrethi i vërejtjeve për Kosovën.

“Po ka pasur progres, por edhe po të mos kishte fare progres BE-ja, do të inkurajonte institucionet tona duke u deklaruar se ka pasur progres dhe mendoj që vërtet ka pas progres. Kohët e fundit ka pasur dinamikë në këtë proces, megjithatë akoma kemi shumë për të bërë. E rëndësishme është që po vjen duke u ngushtuar rrethi i atyre vërejtjeve”, ka vlerësuar Ujkani.