Kosova drejt Qeverisë teknike, Blerim Shala kryeministër?!

Kosova duhet që në shtator të ndryshojë kushtetutën për të mundësuar funksionalizimin e Gjykatës Speciale.
Kësisoj pritet që shtetet mbështetëse të Kosovës, në vijë me kërkesën e kancelares gjermane, Angela Merkel që qeveria të bëhet sa më shpejt, të kërkojnë nga qeveria e ardhshme të jetë edhe gjithëpërfshirëse.

Një qeveri PDK-LDK-AAK me një kryeministër teknik, po shihet si stabiliteti. Të paktën kështu thonë burime ndërkombëtare dhe vendore për Indeksonline.

Bile tashmë po përmendet edhe emri i kryeministrit të Qeverisë teknike.
“Derisa po flitet për tejkalimin e ngërçit politik, ndërkombëtarët na kanë sugjeruar që një Qeveri teknike PDK-LDK-AAK do të ishte ‘shpëtim’ për vendin. E kur merret parasysh edhe themelimi dhe funksionalizimi i Gjykatës speciale që do të merret me gjykimin e mundshëm të krimeve të pretenduar nga raporti i Dick Martyt, atëherë është shumë e besueshme që do të formohet”, ka thënë për Indeksonline një zyrtar i lartë i Qeverisë së Kosovës.

E në këtë konsultime vendore-ndërkombëtare, si emër për kryeministër që është i pranueshëm për të tri subjektet përmendet Blerim Shala.

E kaluara e tij politike dhe afërsia me të tria këto parti, e bëjnë Shalën të pranueshme edhe për ndërkombëtarët.
“Shala mund të jetë i pranueshëm edhe për Ramush Haradinajn i cili po e kërkon postin e kryeministrit, pasi që do të arsyetohej se kryeministri është i AAK-së”, thonë burimet.

Nënkryetari i AAK-së ka qenë edhe pjesë e delegacionit të Kosovës në bisedimet politike me Serbinë që janë zhvilluar në Bruksel.

E pikërisht roli i ti si negociator e bënë edhe më të pranueshëm Shala për ndërkombëtarët dhe vendorët, sepse atë e shohin si politikan të rryer dhe negociator me përvojë.