Konflikt me sëpata e dru mes familjeve në një fshat në Malishevë

Një sherr nisur në mes të familjeve Zabelaj dhe Bytyqi nga fshati Temeqinë e Malishevës ka rezultuar me konflikt të përcjellë me të shtëna armësh dhe mjete rrethanore, përfshirë sëpata, shkopinj druri dhe gjësende të tjera, ndërsa për pasojë dy persona janë lënduar, ndërsa policia ka arrestuar 11 familjarë të ndërlikuar.

Zëdhënësi i policisë në Prizren, Hazir Berisha, konfirmoi se dy persona të lënduar pas ofrimit të ndihmës së parë në Shtëpinë e Shëndetit në Malishevë për shkak të plagëve të rënda janë transferuar në QKUK në Prishtinë

“Njësite të policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer veprime hetimore me ç’rast kanë arrestuar 11 të dyshuar të ndërlikuar në këtë konflikt”, tha ai pa treguar për motivin që çoi ato në konflikt.

Njëri nga të dyshuarit thuhet se ka shkrehur me armë zjarri në ajër, ndërsa policia vlerëson se ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm.

Pistoleta është sekuestruar dhe do t’i kalojë prokurorisë për procedurë të më tejme. Pasi është njoftuar prokurori, i njëjti ka urdhëruar që tre të dyshuar të ndalën nën masën e arrestit policor, ndërsa të tjerët të ndiqen penalisht sipas procedurës së rregullt./ZERI/