Konfiskohen rreth 1 mijë kremra të prodhuara në Kosovë në emër të firmës maqedonase

krema

Nga gushti i vitit të kaluar Policia e Kosovës po hetonte një lokal kozmetike në Prishtinë dhe një tjetër në Drenas nën dyshimin se po përdornin në mënyrë të paautorizuar markat e huaja për të zhvilluar aktivitetet e tyre biznesore. Të mërkurën policia kishte bastisur në bashkëpunim me inspektorët fitosanitarë të Agjencisë së Ushqimit dhe të Veterinarisë këto lokale dhe kishte konfiskuar 944 copë kremra me mbishkrime “Monica” dhe “Monika”. Burimet brenda policisë tregojnë për Koha Ditore se bëhet fjalë për NTP “Kozmetika Ilirija”, që gjendet në një depo në tregun me shumicë në zonën industriale në Prishtinë, si dhe në një lokal me të njëjtin emër në Drenas. Sipas këtij burimi, kremrat e konfiskuara prodhoheshin në Kosovë në mënyrë të jashtëligjshme, duke shfrytëzuar emrat e preparateve të një kompanie maqedonase dhe se këto kontrolle po u bëheshin këtyre lokaleve për të dytën herë nga policia.

“Këto produkte kozmetike, pra kremra, janë prodhuar në Kosovë pa pasur ndonjë të drejtë patente nga kompania për t’i prodhuar dhe prandaj nuk mundet me dalë as produkti i njëjtë. Por ende nuk dihet nëse është ndonjë materie e dëmshme dhe e rrezikshme për shëndetin e njeriut”, ka shtuar burimi brenda policisë.

Në raportin policor lidhur me këtë rast thuhet se në bazë të urdhëresës se Gjykatës Themelore në Prishtinë-Dega në Drenas, Drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike në bashkëpunim me AUVK-në kanë bërë kontrollimin në lokalet e një kozmetike në tregun e Prishtinës dhe në Drenas me ç’rast kanë gjetur dhe konfiskuar 944 copë krem.

Arbër Beka, zëdhënës i PK-së, ka bërë të ditur gjatë së enjtes se policia në bashkëpunim me institucione tjera sasinë e konfiskuar të kremrave e ka dërguar për ekzaminim laboratorik.

“Jemi në pritje të rezultateve konkrete nga analiza-ekspertiza e laboratorit lidhur me përmbajtën e këtij produkti”, ka thënë Beka, sipas të cilit ende nuk dihet nëse ky preparat ka dalë në shitje dhe se lidhur me këtë rast nuk ka të arrestuar.

Hamdi Ibrahimi, kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka thënë se është lëshuar një urdhëresë nga Dega në Drenas për kontrollimin e lokaleve dhe nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me këtë rast.

“Ndodhin raste të përdorimit të emrave të brendeve të njohura në Kosovë sidomos për preparate kozmetike dhe pije alkoolike”, ka shtuar ai.

Ndërsa Lamir Thaçi, zyrtar për informim në Agjencinë e Ushqimit dhe të Veterinarisë të Kosovës, ka bërë të ditur se të mërkurën me kërkesën e policisë për inspektim të një sasie të kremrave nën dyshimin e keqpërdorimit të emrit, por edhe në përbërje  inspektorët fitosanitarë të kësaj agjencie  kanë dalë menjëherë në vend të ngjarjes si dhe kanë marrë mostra të cilat do të dërgohen jashtë vendit për testim.

“Sasia është ndaluar për qarkullim të brendshëm deri në verifikim të gjendjes shëndetësore të produktit dhe sigurisë për përdorim nga ana e konsumatorëve. Në aspektin e përbërjes së produktit jemi ne kompetentë që do ta verifikojmë përmes rezultatit të analizave”, ka thënë Thaçi.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se kjo agjenci do ta verifikojë edhe përputhshmërinë e përbërjes së produktit me deklaracionin që ka produkti.