Kombëtarja, gati formacioni anti-Norvegji

loading...

formacioni-sakte

loading...
Mesfushori Migjen Basha ka marrë përgjigje pozitive dhe do të jetë i gatshëm për ndeshjen e radhës me Norvegjinë. Ky fakt nuk ka gëzuar vetëm Migjenin, De Biazin, por mbarë tifozerinë shqiptare. Lajmi se do të ketë në dispozicion shërbimet e mesfushorit e ka kënaqur pa masë teknikun De Biazi, por në të njëjtën kohë prania e Bashës i ka hapur shumë punë italianit, i cili ka në plan ta aktivizojë që nga minuta e parë kundër vikingëve. Gjatë seancave stërvitore mesfushori është parë të aktivizohet përpara katër mbrojtësve, ku dhe ka bindur me paraqitjen e tij. Ndonëse tekniku italian nuk ka vendosur ende të përcaktojë lojtarët me të cilët do të formojë skuadrën që do të përballet me Gjeorgjinë, në sy binte fakti që mesfushorët Meha dhe Vila nuk bënin pjesë në skuadrën e titullarëve. Tekniku italian i ka kushtuar shumë vëmendje lojës fizike të norvegjezëve, prandaj ka menduar t’i presë ata me forca të shumta në mesfushë, duke i neutralizuar sulmet e tyre aty. Çanit do t’i duhet që përveçse të ndihmojë Salihin në të majtë të sulmit, të kthehet të ndihmojë shokët e skuadrës teksa mbrohen.

Kështu, kur topi të jetë në këmbët e norvegjezëve, Çani do të pozicionohet në mesfushë, ku do të luftojë për topin e parë. Deri në këto momente De Biazi ka zgjidhur vetëm problemin e sulmit. Mesfusha është reparti që italianit i duhet ta blindojë, por nuk ka menduar ende se si do të rreshtohet ajo. Numri 1 i pankinës kuqezi po bën eksperimente të ndryshme, në mënyrë që të gjejë formulën perfekte. Gjatë seancës së djeshme, në skuadrën e titullarëve në mesfushë, u provuan disa lojtarë në krah të Bashës si: Lila, Roshi, Vila, Meha etj. Gjithsesi, italiani ka mjaft alternativa dhe mjaftueshëm kohë në dispozicion për të bërë përzgjedhjet e duhura.

Stërvitja Ora 17:00 e pasdites së djeshme kuqezinjtë i ka gjetur në fushë, ku po përgatiten në kuadër të ndeshjes së radhës. Stërvitja ka nisur si zakonisht, fillimisht me nxehmjen, ndërsa më pas skuadra është marrë në dorë nga vetë De Biazi, i cili aplikoi skema të ndryshme. Në mungesë të disa lojtarëve titullarë si: Cana, Curri dhe Bulku, të cilët nuk janë stërvitur dje me skuadrën, italiani është munduar të përshtatë lojtarë të tjerë në vend të tyre gjatë minutazhit të lojës. Trajneri nuk është njohur ende me formën e të gjithë futbollistëve, prandaj edhe gjatë seancës së djeshme pjesën më të madhe të kohës e ka zënë sërish loja. Pa u realizuar mirë nxehmja e nevojshme, italiani e ndau skuadrën në dy grupe dhe urdhëroi lojë. Në krahun e titullarëve bënin pjesë: Berisha, Dallku, Osmani, Mavraj, Agolli, Lila, Basha, Roshi, Arapi, Çani dhe Salihi, ndërsa në krahun tjetër: Ujkani, Veliu, Hysaj, Hyka, Vila, Meha, Lilaj, Vajushi, Bogdani e Sadiku. Pas më shumë se tridhjetë minutash lojë, ka përfunduar seanca stërvitore e pasdites së djeshme, ndërsa paraditen e sotme kuqezinjtë do të zbresin sërish në ambientet sportive për të vijuar me përgatitjet.

Në seancën stërvitore që kuqezinjtë zhvilluan pasditen e djeshme u vunë re disa mungesa si: Cana, Curri dhe mesfushori Ervin Bulku. Mbrojtësit Cana e Curri kanë disa shqetësime të vogla, ndonëse mësohet se nuk ka vend për alarm, pasi duke nisur që nga sot do të jenë të gatshëm. Ndërsa mesfushori Ervin Bulku është stërvitur veçmas dhe e ka lënë qendrën stërvitore i pari. Ndërkohë që Curri vijonte me terapinë intensive në infermieri, kapiteni Cana ka qenë në fushë duke ndjekur shokët. Sipas menaxherit Denis Bastari nuk bëhet fjalë për dëmtime serioze dhe stafi beson se lojtarët do të jenë të gatshëm.

Kombëtarja, stërvitja e fundit në “Ulleval Stadion”

Kombëtarja do të lërë sot Shqipërinë në orën 07:30 të mëngjesit, teksa do të udhëtojë me destinacion Oslon, vendin ku do të zhvillohet të premten ndeshja Norvegji-Shqipëri. Kuqezinjtë do të grumbullohen në një nga hotelet luksoze të kryeqytetit norvegjez, ndërkohë që në orën 19:00 do të zhvillojnë stërvitjen e fundit. Seanca do të kryhet në stadiumin “Ulleval”, vendi ku do të luhet takimi. Ky impiant ka një kapacitet prej 25 mijë vendesh, por sipas mediave norvegjeze nuk do të ketë më shumë se 12 mijë tifozë të pranishëm. Mes tyre pritet të ketë një numër të konsiderueshëm shqiptarësh, shumica e të cilëve janë prej vitesh emigrantë në shtetin nordik. Mendohet se do të jenë 2 mijë të tillë, por numri i tyre mund të rritet nesër. Nga Shqipëria pritet të nisen rreth 100 tifozë në mënyrë të organizuar.

Mavraj: Luajmë për fitore, s’u trembemi norvegjezëve

Nuk tërheq paralele mes klubit të tij Grojter Fyrthit në Gjermani dhe Kombëtares shqiptare. Pavarësisht se skuadra ku luan është në pikiatë drejt Bundesligës 2, Mavraj thotë se kjo nuk ndikon aspak në mënyrën se si ai luan me ekipin përfaqësues. Veç kësaj, mbrojtësi pohon se ndodhet në superformë në të gjitha aspektet, gati për të dhënë maksimumin në ndeshjen e nesërme në Oslo. “Jam rikthyer në Kombëtare dhe më vjen mirë që gjej të njëjtën ngrohtësi si më parë. Ndoshta ju si media, analistët, shikojnë ndryshime rreth Mërgimit në Bundesligë dhe Mërgimit në Kombëtare, por unë ju siguroj se në fushë jam po i njëjti. E vërtetë që me klubin gjërat nuk na kanë shkuar aspak mirë dhe jemi në një pozicion të vështirë, por kjo nuk ka lidhje me Kombëtaren, pasi janë dy gjëra krejt të ndryshme. Unë edhe te klubi im kam dhënë maksimumin, mirëpo gjërat nuk kanë shkuar në sensin e duhur. Psikologjikisht dhe fizikisht jam mirë, ndaj garantoj maksimumin në fushë. Për momentin mendja ime është te Kombëtarja dhe te ndeshja me Norvegjinë. Kur të kthehem në Gjermani do mendoj për klubin dhe mundësinë që në këto 9 javë të mbetura të mund të bëjmë diçka për të qëndruar në Bundesligë. Sa i përket merkatos, mendoj se është tepër herët që të flas, pasi deri në verë shumë gjëra mund të ndryshojnë”, – tha fillimisht Mavraj dje në konferencën për shtyp. Më tej mbrojtësi shqiptar, njëkohësisht kapiten te Grojter Fyrthi, bëri një ekspoze të shkurtër të kundërshtarit, duke pohuar se në fushë Shqipëria do zbresë vetëm për fitore, pavarësisht se luhet në transfertë. “Ndeshja me Norvegjinë është shumë e rëndësishme, por nuk do të thotë që vendos gjithçka për ecurinë tonë. Sigurisht, ne do shkojmë atje për të fituar dhe nuk i kemi aspak frikë, pavarësisht se ata luajnë në fushën e tyre. Mbrojtja kuptohet që ka peshën e madhe në të tilla takime, por llogaritë për sa i përket rezultatit duhet që t’i bëjmë në fund të këtij 90-minutëshi. Nuk ka shumë rëndësi fakti se në çfarë fushe luajmë apo se në moti, për arsye se në të tilla kushte do luajë edhe kundërshtari. Në këtë këndvështrim, ne nuk duhet assesi të ankohemi, por të futemi në fushë si të barabartë dhe të kërkojmë rezultat. Lojtarët e tyre janë të njohur, pasi luajnë në skuadra të mira në Europë, por nga ana tjetër edhe trajneri ynë na ka përgatitur më së miri për këtë ndeshje”, – u shpreh Mavraj. Mbrojtësi do të jetë me shumë gjasa titullar përkrah kapitenit Cana, duke qenë se së bashku kohët e fundit kanë krijuar një dyshe tejet kompakte, e cila të jep siguri në repartin e mbrojtjes, si asnjëherë tjetër më parë.

“Frikë” nga Shqipëria, Olsen “përplaset” me median

Trajneri i Norvegjisë, Egil Olsen, është kritikuar nga një pjesë e mirë e gazetarëve dhe analistëve, për shkak se gjatë një interviste të para dy ditëve pohoi se Shqipëria është një skuadër që nuk duhet nënvlerësuar. Pikërisht mbi këtë fakt mediat kanë “shfryrë”, duke hamendësuar që tekniku po mbrohet ende pa zbritur në fushë, edhe pse sipas tyre kundërshtari nuk është i një niveli për t’u marrë kaq shumë në konsideratë. I menjëhershëm ndërkaq ka qenë reagimi i teknikut: “Nëse ju (gazetarët) e mendoni kështu, për mua nuk ka asnjë problem, por duhet t’ju saktësoj se ishte kjo Shqipëri që ndali Portugalinë para pak vitesh në barazim, edhe pse luajti me 10 lojtarë. Është kjo Shqipëri që ka bërë lojëra të mira edhe ndaj shumë skuadrave të tjera, si Suedia, Holanda etj. dhe fitoi së fundmi edhe me Slloveninë. Fakti që nuk e nënvlerësoj kundërshtarin nuk do të thotë se ne i druhemi”, – ka saktësuar tekniku Olsen në një prononcim për mediat vizive. Ndërkohë, tekniku ka anashkaluar totalisht thumbimet e bëra nga mediat suedeze, lidhur me shitjen e një numri të vogël të biletave. “Nuk merrem fare me ata, pasi kam gjëra shumë herë më të rëndësishme. E di fare mirë që është ftohtë dhe janë shitur pak bileta, por ajo që më intereson më shumë është të fitojmë këtë ndeshje. Nëse doni mendimin tim, edhe sikur në stadium të jenë pesë persona, për mund nuk përbën problem, derisa skuadra të fitojë. Shumë njerëz e ndjejnë veten më rehat për ta parë ndeshjen nga televizioni. Këtu nuk jemi në Gjermani, ku pavarësisht se sa ftohtë bën dhe ndaj cilës skuadër luhet, stadiumi është plot. Sakaq, siç e dini do të luhet në temperatura nën zero, por kam përshtypjen se ky do jetë më shumë një problem për shqiptarët sesa për neve”, ka pohuar tekniku.

Presidenti i Federatës Norvegjeze të Futbollit: Dua 6 pikë me Shqipërinë

Sakaq, dje pjesë e debatit lidhur me ndeshjen e së premtes u bë edhe presidenti i Federatës Norvegjeze të Futbollit, Yngve Hallen, i cili nga ana tjetër kërkoi me çdo kusht që skuadra të marrë 6 pikë të plota në dy takimet e radhës, që të dyja ndaj Shqipërisë. “Nuk duhet ta mendojmë si të fituar ndeshjen, por duhet të futemi në fushë vetëm për të fituar. Sidoqoftë, nuk duhet t’i dramatizojmë gjërat. Kemi bërë një start jo shumë të mirë, por më pas kemi arritur të marrim pikët e duhura. Nuk jemi kualifikuar në një kampionat europian apo botëror që nga Europiani i vitit 2000, ndaj mendoj se ka ardhur koha që kjo skuadër të presë biletën këtë sezon kualifikimesh për në Brazil”, – ka thënë presidenti i federatës. Ndërkaq, ai nuk i ka dhënë shumë rëndësi faktit se për përballjen me Shqipërinë nuk janë shitur më shumë bileta se gjysma e kapacitetit prej 25 mijë vendesh të stadiumit të Oslos.

Luhet në fushë sintetike, favorizohen norvegjezët

Takimi i së premtes Norvegji-Shqipëri do të luhet në “Ulleval Stadium”, që ka një kapacitet diçka më shumë se 25 mijë vende të ulura, por një fushë me bar sintetik. Kjo gjë favorizon dukshëm skuadrën vendëse, futbollistët e së cilës janë mësuar të luajnë shpesh në fusha të tilla dhe krijon probleme për kuqezinjtë, të cilët në pjesën më të madhe të kohës (edhe në klubet e tyre) luajnë në fusha me bar artificial. Ndërkaq, për të qenë akoma më të avantazhuar në këtë aspekt, trajneri i Norvegjisë, Egil Olsen, ka ndryshuar edhe programin e stërvitjes. Ai dje u ka kërkuar të tijve që të stërviten pikërisht në fushën e “Ulleval Stadium”, me qëllim që lojtarët të ambientohen gjithnjë e më shumë me këtë tapet. Ndërkohë, sipas programit, nesër në mbrëmje do të bëjë një seancë të shkurtër stërvitore në këtë impiant edhe skuadra jonë.

Mediat norvegjeze: Shiten 12 mijë bileta për Shqipërinë

Ka bërë lajm për mediat norvegjeze, fakti që deri ditën e djeshme janë shitur 10 mijë bileta për ndeshjen e së premtes, Norvegji-Shqipëri. Sakaq, thuhet se deri para këtij takimi, me siguri do të mund të shiten edhe të paktën dy mijë bileta të tjera. Kjo është një shifër e mirë, për norvegjezët, duke qenë se Shqipëria nuk konsiderohet si një kundërshtar me histori dhe me peshë. Sakaq kujtojmë se takimi do të luhet në “Ullevaal Stadion”, në Oslo, i cili ka një kapacitet prej 25,572 vendesh të ulura. Ky impiant është ndërtuar në vitin 1925 dhe inaugurimi i tij është bërë më 26 shtator 1926. Sakaq stadiumi është rikonstruktuar disa herë në vitet 1938, 1967, 1985, 1991 dhe 1998. Pronar i impiantit është Federata Norvegjeze e Futbollit dhe në të zhvillohen kryesisht ndeshje të ekipit kombëtar (femra meshkuj), finale të ndryshme të kampionatit si dhe është shtëpia e Valerenga IF.

Henriksen Mesfushori i Alkmarit, Markus Henriksen ka vlerësuar Kombëtaren shqiptare. “Do jetë një ndeshje shumë e vështirë. Shqipëria ka ndryshuar shumë në krahasim me pak vite më parë. Ka lojtarë me kualitete, por neve luajmë në fushën tonë dhe nuk na falet që të lëmë pikë këtu. Jemi entuziastë dhe besojmë se do mund të fitojmë këtë takim, me qëllim që të vazhdojmë rrugën drejt botërorit”, ka pohuar mesfushori.

Gjykon Blom, arbitri që dënoi Shqipërinë në Bosnjë

Norvegji-Shqipëri do të gjykohet nga një treshe holandeze me kryesor Kevin Blom. Për kuqezinjtë, “bilbili” holandez nuk është një i panjohur, përderisa na ka gjykuar edhe në ndeshjen e para dy viteve në muajin qershor ndaj Bosnjës në Zenicë, ku Shqipëria humbi 2-0. Por, përveç kësaj, arbitri u përfol pikë së pari për faktin se bujti në të njëjtin hotel me kombëtaren boshnjake (e palejueshme totalisht nga ana e FIFA-s dhe UEFA-s) dhe së dyti për “dorën e rëndë” sa i përket kartonëve. Në atë takim, ai ndëshkoi direkt me karton të kuq mbrojtësin tonë Andi Lila në minutën e 86-të, pas një ndërhyrjeje në mesfushë kundër Rahimiç. Vendimi shkaktoi goxha zemërim te kuqezinjtë, por në fund askush nuk u mor me arbitrin, kjo për faktin se gjithë mediat dhe analistët kritikuan zgjedhjet e ish-trajnerit tonë Josip Kuzhe (nxori në pushim të ndeshjes Bogdanin dhe futi Duron) duke ulur ndjeshëm forcën tonë goditëse në fraksionin e dytë të lojës (kur dhe u shënuan dy golat e boshnjakëve). Blom është 39 vjeç dhe krahas gjykimit është edhe nëpunës në federatën holandeze. Përtej kësaj, Blom do të mbahet mend edhe për ndëshkimin që i bëri Skocisë në ndeshjen e fundit në grup për kualifikimet e EURO 2012 ndaj Çekisë. Ai dha një penallti shumë të dyshimtë pro çekëve, e cila më pas rezultoi në moviolë se ishte simulim i sulmuesit çek dhe nga aty rezultati shkoi në 2-2. Një minutë më vonë ai nuk dha një penallti të pastër për skocezët, madje edhe e ndëshkoi lojtarin e Skocisë për gjoja simulim. Pas kësaj gafe të dyfishtë, Federata Holandeze e Futbollit e hoqi emrin e këtij gjyqtari nga lista për ata që do shkonin të gjykonin në EURO 2012.

loading...