KMDLNJ: Kryeparlamentari u zgjodh në mënyrë të parregullt

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka vlerësuar se seanca i ngjau një tregu të plaçkave.
Sipas KMDLNj-së, e vetmja e mirë që ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës dje ka qenë mospërdorimi i
dhunës fizike midis deputetëve të Kuvendit dhe të tjerëve që kanë qenë të pranishëm në këtë seancë.
Gjërat e tjera dhe i tërë procesi më shumë kanë ngjarë në një kaosi apo anarkie se sa një seance të kuvendeve të vendeve normale.
“Udhëheqja e seancës e përcaktuar nga kalendari ( mosha) e jo nga cilësia ka qenë e dobët dhe situata shumë herë ka qenë jashtë kontrollit të kryesueseve, znj. Flora Brovina si deputetja më e moshuar dhe Teuta Rugova, si deputetja më e re. Bashkëpunimi midis tyre thuaja nuk ka ekzistuar shkaku se kanë qenë përfaqësuese të subjekteve konfrontuese në Kuvend (zonja Brovina pjesë e koalicionit e udhëhequr nga PDK) ndërsa zonjusha Rugova, deputete e LDK- së. Raporti i tyre ka qenë konfrontues dhe jo bashkëpunues sepse kanë rënë nën ndikim të subjekteve politike që i kanë përfaqësuar. Seanca ka dalë jashtë kontrollit shkaku se deputetë të LDK-së, Vjosa Osmani dhe ArmendZemaj, deputetja e AAK – së Donika Kada- Bujupi e kanë penguar tërë kohën kryesuesen e seancës duke bërë presion ndaj zonjës Brovina e cila në kushte të një presioni nuk e ka kontrolluar në shumë raste situatën. Këtij presioni pastaj i janë bashkangjitur kryetarët e partive opozitare, Isa Mustafa, RamushHaradinaj dhe Albin Kurti ndërkaq që deputetët e PDK- së, kur është konstatuar se ka mungesë kuorumi i kanë sugjeruar kryesueses me gjestikulacione ta përfundojë seancën që nuk ka qenë obligim i tyre por sekretariati është dashur ta njoftojë kryesuesen se si duhet të veprohet për shkak të mungesës së kuorumit”, thuhet në një komunikatë të KMDLNj-së.
Sipas tyre, kryesuesja nuk ka qenë e lirë ta lëshojë karrigen për as një çast shkaku se koalicioni i palegalizuar LDK-AAK dhe Nisma tentonin që Teuta Rugova të ulej në karrigen e kryesueses për ta çuar deri në fund synimin e tyre pavarësisht se sipas Rregullores kryesuesja ( deputetja më e moshuar) e çon seancën deri në fund, ndërsa deputetja më e re vetëm i ndihmon asaj.
KMDLNj thotë se tërë këtë konfuzion si dhe asaj që ka ndodhur në seancën inaguruese e cila më shumë i ka ngjarë një tregu të plaçkave se një institucioni me 120 përfaqësues të popullit i ka paraprirë vendimi i Kryesisë në ikje të Kuvendit të Kosovës dhe kryetarit të saj Jakup Krasniqi që të fusë si pikë të rendit të ditës propozimin që koalicioni paszgjedhor LDK-AAK-Nisma të llogaritet si grupi më i madh parlamentar dhe në këtë kontest të ketë të drejtën të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.
“Ky ka qenë veprim i kundërligjshëm sepse vetëm kryesia e zgjedhur e përbërjes së re të Kuvendit ka mandat t’i legalizojë grupet e reja parlamentare. Kryesia në ikje e Kuvendit duke e keqpërdorur raportin e forcave në kryesi gjatë marrjes së këtij vendimi (4 vota pro koalicionit paszgjedhor: LDK-AAK-LVV dhe Nisma(Jakup Krasniqi) dhe një votë e PDK + 1 e pakicave nuk e ka pasur vështirë ta imponojë rendin e ditës për mbledhjen inaguruese të 17 korrikut 2014. Për pasojë kemi pasur një mbledhje të tipit aksham – pazar të seancës konstituive të Kuvendit e cila ka qenë krejtësisht e përcjellur me parregullësi të shumta që edhe më shumë e kanë forcuar ngërçin politik duke krijuar një raport bllokues dhe paralizues të institucioneve të Kosovës, në rastin konkret të Kuvendit të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Sipas KMDLNj, shkelja më e rëndë në seancën konstituive është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit pasi që kryesuesja e seancës e ka përfunduar seancën në mungesë të kuorumit dhe pastaj koalicioni i palegalizuar ka mbajtur mbledhje të re pa e njohtuar fare pozitën e që nënkupton se kryetari është zgjedhur në mënyrë të parregullt.
Ata thonë se nuk ka ndodhur më heret në seancat e kuvendit kur një mbledhje ka përfunduar për mungesë të kuorumit ndërkaq që ka vazhduar të njëjtën ditë dhe me të njëjtën procedurë sikur kjo e datës 17 korrik.
“Nëse Gjykata Kushtetusese e njeh gjendjen e krijuar atëherë KMDLNj do t’i propozojë presidentes së Kosovës që edhe mandatarin për formimin e qeverisë ta caktojë nga radhët e opozitës në mënyrë që të mos bëhen shpenzime të panevojshme , të kursehet koha dhe të formohen institucionet sa më shpejt që është e mundur. Ndërkaq, nëse Gjykata Kushtetuese e vlerëson procesin e votimit për zgjedhje të kryetarit si të kundërligjshme, atëherë në mungesë të një marrëveshjeje politike duhet të shkohet në zgjedhje të reja pas së cilave do ta kishim një situatë shumë më të qartë .KMDLNj mendon se vetëm Gjykata Kushtetuese e Kosovës është kompetente të vlerësojë shkeljen e Kushtetutës nëse ka pasur dhe se të gjitha koalicionet si dhe subjektet politike duhet t’i binden interpretimeve të kësaj Gjykate”, thuhet në komunikatë.