Klopp: Ku do të luajnë Gomez dhe Robben sezonin e ardhshëm?

klopp

Trajneri i Borussias së Dortmundit, Jurgen Klopp zgjedh të flasë edhe për atë që po ndodh jashtë fushave të lojës, duke e transferuar vëmendjen jashtë skuadrës së tij pas goditjes që i dha Bayerni i Mynihut në çerekfinalen e Kupës së Gjermanisë. Tekniku kampion përfshihet në çështjen “Lewandowski”, duke kundërsulmuar rivalët që jo rastësisht kanë shfaqur interes për sulmuesin polak i cili nuk do ta rinovojë kontratën me kampionët e Gjermanisë që skadon në mesin e vitit 2014.

Në konferencën për shtyp, Klopp kërkoi nga gazetarët që më shumë se te Lewandowski, ta përqëndrojnë vëmendjen te dyshja e Bayernit, Robben-Gomez, të cilët po e ngrohin stolin me një frekuencë të lartë këtë sezon, duke parë edhe rritjen e konkurrëncës në skuadër. “Jam më shumë i interesuar të di se ku do të luajnë Gomez dhe Robben sezonin e ardhshëm sepse nuk e besoj se do t’ia lejojnë vetes edhe një tjetër vit në pankinë. Ndoshta kjo është një temë më interesante se sa të flasim përherë rreth të ardhmes së Lewandowskit”.

Pas një pjese të parë zhgënjyese në “Allianz Arena”, Borussia e Dortmundit tregoi më shumë dëshirë në fraksionin e dytë, por gjithsesi u shfaq shumë larg formës së dy sezoneve të shkuara. “Ishte një ndeshje intensive. Në pjesën e parë ne treguam shumë pak nga cilësitë tona, ndërsa në të dytën u paraqitëm më mirë. Kjo nuk mjaftoi sepse ndaj Bayernit duhet të luash në nivele të larta për 90 minuta”.

Në fund të deklaratës, Klopp nuk e pranon se kampionati është mbyllur, duke i dhënë kurajo skuadrës së tij. “Nuk i shikoj 17 pikët diferencë. Duhet t’i kishim shkaktuar më shumë probleme Bayernit gjatë 45 minutave të para dhe kjo duhet të na bëjë më të zemëruar me veten tonë. Diferencat mes dy ekipeve nuk janë të mëdha sepse ne do të vijmë edhe herë të tjera këtu dhe do të jemi në gjendje të fitojmë”.