Kjo shqiptare iu bashkua ISIS-it me djalin e saj 6 vjeç (Video)

Prokuroria italiane ka lëshuar urdhër arresti për gruan shqiptare që braktisi burrin e saj dhe dy vajzat për t’iu bashkuar ISIS-it në Siri duke marrë me vete vetëm djaline vogël. Ajo quhet Valbona Berisha.
Valbona Berisha rezidente në komunën Barzago në rajonin e Lombardisë akuzohet nga drejtësia italiane për sekuestrim personi. Më 17 dhjetor të 2014, 33-vjeçarja së bashku me djalin e saj vetëm 6 vjeç është larguar drejt Sirisë duke iu bashkuar Luftës së shtetit islamik ISIS. Afrim Berisha bashkëshorti i Valbonës ka denoncuar rreth një vit më parë ngjarjen.

Burri i saj, Afrim Berisha i martuar me Valbona Berisha, jeton në Itali prej vitit 1995, me profesion punëtor ndërtimi. Çifti ka tre fëmijë, dy vajza e një djalë.

Për autoritetet italiane ai ka rrëfyer se më datën 17 dhjetor 2014 pasi ishte kthyer në shtëpi në orarin e drekës, nuk kishte gjetur djalin e vogël 6 vjeç dhe as gruan.

Pak ditë më vonë, gjatë muajit janar të 2015 nga gruaja e tij Valbona kishte marrë mesazhin se ajo e djali ndodhen në Siri e se i janë bashkuar idealeve të luftës së shtetit islamik. Në një tjetër mesazh ajo i dërgon dhe tre fotografi të djalit duke e siguruar se janë mirë. Afrimi me ndihmën e një miku të tij shqiptar niset menjëherë drejt Turqisë për të kërkuar e rimarrë djalin e tij, por në kufi me Sirinë ndalohen nga një postbllok i luftëtarëve të ISIS duke u detyruar të kthehen pas.

Udhëtimin drejt Sirisë, Afrim Berisha e tenton dhe një herë të dytë i gatshëm të paguaj dhe rreth 180 mijë euro në shkëmbim të djalit, para të mbledhura nga zemërgjerësia e miqve e të afërmeve për ta ndihmuar, por pa asnjë rezultat.

Sipas hetimeve Valbona Berisha me djalin e saj 6 vjeç është larguar nga aeroporti i “Orio al Serio” i Bergamos drejt Stambollit e më pas ka udhëtuar drejt Sirisë.

Valbona rreth 3 vjet më parë u mbulua me veshjen e gruas myslimane. Banorët e qytezës së Barzagos e përshkruajnë ciftin Berisha “një familje me kulturë myslimane por jo xhihadistë.

Për të afërmit e çiftit Berisha gjithçka ka filluar përmes internetit, me anë të të cilit Valbona ka hyrë në kontakt me luftëtarë të Kalifatit Islamik e është bindur të braktis gjithçka duke marrë me vete djalin e saj 6 vjeçar e duke i lënë Afrimit dy vajzat më të rritura 10 e 8 vjeç.

Sipas ekspertëve të antiterrorizmit djemtë e kësaj moshe janë më të preferuarit e luftëtarëve të ISIS, pasi mund të manipulohen, të stërviten e të përgatiten për Luftën e Kalifatit Islamik. Ka kaluar më shumë se një vit nga dita kur Afrim Berisha nuk ka më asnjë lajm nga bashkëshortja e tij Valbona e nga djali.