“Kishte dashnor një burrë të martuar, i kam gjetur sms-t “, flet vjehrri i Eldës që helmoi mamanë e burrit

loading...

loading...

“Nusja nuk e ka dashur djalin tim. Atë e kanë martuar me zor prindërit e saj. Elda pranoi vetë në polici se e helmoi gruan time dhe se do të më helmonte dhe mua e veten e saj. I gjithë faji është i krushkut që arriti puna deri këtu. Pastaj vajza e tij dashuron një burrë me dy fëmijë nga fshati i saj i lindjes, në ZallReç të Dibrës. Ia kam gjetur mesazhet e dashurisë në celularin tim. Gjithashtu, nuses së tim biri i kam gjetur edhe një mal me letra dashurie. Të gjitha këto prova ia kam dorëzuar policisë”.

Kështu deklaroi dje Eduart Stafa nga fshati Milaq i Shijakut. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, 47- vjeçari tha se djali i tij 20-vjeçar u martua me shkuesi me vajzën 19-vjeçare nga Dibra dhe se mblesë u bë halla e kësaj të fundit, që është e martuar në fshatin Milaq. Ndërkaq, vjehrri i 19-vjeçares pohoi se krushku nga Dibra ia dërgoi të birin, Donaldin në Greqi pa dijeninë e tij dhe pa dokumente dhe ky është halli më i madh i tij.

Zoti Eduart, policia ka arrestuar nusen e djalit tuaj, pasi akuzohet se ka tentuar të helmojë bashkëshorten tënde, Arjanën. Çfarë mund të na thoni në lidhje me këtë ngjarjeje?

Nusja e tim biri, Elda Tanushi u arrestua nga policia, pasi e denoncova unë. Ishte djali i vogël që më lajmëroi se ime shoqe ishte sëmurë. E çuam urgjentisht në spital dhe aty mësuam se gruaja ime ishte helmuar, pasi nusja i kishte hedhur helm në gotën e kosit. Jam shumë i tronditur nga kjo që ndodhi.

Ju jeni i sigurt se nusja helmoi gruan tuaj?

Po, jam mëse i sigurt. Pastaj ajo vetë pranoi në polici se i kishte hedhur në gotë helm që përdorim kundër insekteve. Ajo e kishte vendosur të më helmonte dhe mua dhe pastaj veten e saj.

Nga e njohët 19-vjeçaren nga Dibra?

Elda ka hallën e saj të martuar në fshatin tonë. Kjo e fundit ndërhyri të martonte mbesën e saj me djalin tim të madh, Donaldin. Por, nusja s’e ka dashur asnjëherë djalin tim. Krushku e martoi të bijën këtu pa dëshirën e saj. Ai e ka ditur fort mirë se e bija nuk e donte djalin tim.

Përse e thoni këtë?

E them këtë se nusja do dikë tjetër. E kam zbuluar nga telefoni im. Duke qenë se në shtëpinë time s’kishte njeri tjetër telefon, ajo më kërkonte për çdo ditë që t’i jepja celularin për të folur me nënën, babain, vëllain dhe njerëzit e saj. Unë ia jepja, pasi e konsideroja si fëmijën tim. Zbulova se ajo fliste me të dashurin e saj, që është një burrë i madh në moshë (thotë emrin dhe mbiemrin e tij). Ky burri është nga fshati Zall-Reç, ka dy fëmijë, por i ka vdekur gruaja.

Ju po e akuzoni nusen e djalit, ku i keni SMS-të që dëshmojnë lidhjen e saj jashtëmartesore?

Nuk po e akuzoj, por po them një të vërtetë. Celularin tim e ka policia për verifikim. Aty gjenden dhe SMS-të e nuses me të dashurin e saj. Por, unë kam dhe prova të tjera që ia kam dorëzuar gjithashtu policisë. Në banesën time kam gjetur një mal me letra dashurie. E përsëris, jam i sigurt se ajo nuk e ka dashur djalin tim dhe prindërit e kanë martuar me zor. Elda ka grisur të gjitha fotot e bëra në dasmë. Ka ruajtur vetëm ato ku ka dalë me kushërinjtë e saj. Nuk ka asnjë fotografi me ne. Gjithë këtë e ka bërë krushku. Me nusen jam sjellë si baba, pasi kam tre djem dhe nuk kam vajzë. Pse duhet ta bënte ajo atë gjë që bëri, kur ne silleshim shumë mirë me të?! Ne ushqeheshim me duart e saj. Ajo bënte bukën e gjellën, ne e hanim. Jeta e gjithë familjes sime ishte në duart e saj. Por, problemi im më i madh nuk është e gjithë kjo që ndodhi. Halli im më i madh është im bir që ndodhet në Greqi.

Djali juaj është në dijeni të ngjarjes, keni folur me të?

Pas helmimit të gruas nuk kam folur, pasi celularin ku kisha numrin e tij ma ka marrë policia. Pas arrestimit të nuses së tij, njoftova krushkun nga Dibra dhe i thashë se vajzën e ke në polici. Krushku ka ardhur dhe e ka takuar të bijën, ndërsa unë nuk kam folur dot me djalin tim. Ishte krushku që ma çoi djalin në Greqi më 14 maj dhe nuk na tregoi gjë fare. Donaldi për herë të parë dilte nga fshati. S’kishte qenë asnjëherë në Greqi. Krushku e çoi atje pa dokumente me djalin e tij.

Do e falni nusen e djalit, e cila është e re në moshë dhe për më tepër ju thoni se faji nuk është i saj, por i prindërve të saj?

Jo, nuk mundem ta fal. Ajo bëri krim.

Çfarë tha nusja në polici

Elda Tanushi, nusja 19-vjeçare ka bërë të ditur se vjehrra e saj ia nxinte jetën. Ky ka qenë dhe shkaku që e ka detyruar të ndërmarrë veprimin e rëndë, hedhjen e helmit në gotën e kosit.

“Jam nga Dibra dhe nuk i kam bërë ende 6 muaj që jam martuar. Unë jam 19 vjeçe dhe im shoq është 20 vjeç. Sa u martuam, burri më tha që do të ikte në Greqi. Iu luta shumë të qëndronte, duke i thënë se jemi çift i ri. Qëndroi dy muaj, por prindërit e tij i thoshin: Ik, ik në Greqi se jemi fukarenj. Ai iku e më la në shtëpi me vjehrrën, me vjehrrin dhe vëllain e tij. Vjehrra ma nxiu jetën. Më donte 24 orë në këmbë.

Nuk i mjaftonte që punoja, por më ofendonte. Ajo nuk më do. Nuk më lë as të zë asnjë shoqe në fshat. Nuk bëhet fjalë për të dalë nga shtëpia. Vetëm në fushë, për të punuar tokën. Për çdo ditë sherr, për çdo punë që bëja. Unë e ndjej veten të huaj shumë në atë familje. Ma nxinë jetën”, – ka deklaruar Elda Tanushi.

Nusja e re ka thënë se priste të gjente ngrohtësi te familja e burrit, por ata e kanë trajtuar shumë keq. “E pranoj që në një çast shumë të rëndë, i hodha pak ilaç mizash vjehrrës në gotën e kosit. Kisha vendosur që të vdisja edhe vetë. Do të pija bar miu. Nuk kisha asnjë rrugëzgjidhje tjetër për të shpëtuar nga e gjitha kjo. Jeta ime nuk shtyhet më.

Nuk e shtyj dot, sepse burri rri në Greqi, ndërsa unë me familjen e tij në fshat. Vjehrra më thoshte ‘ja, ne po të mbajmë, të ushqejmë dhe të veshim’. Në punë nuk bëhet fjalë të më çojnë. Më torturojnë sepse e dinë që familjen time e kam larg, në Dibër”, – ka pohuar para inspektorëve të policisë së Shijakut, 19-vjeçarja.

loading...