Kinezët shpikin pistën e atletikës pa kthesa

27086Kinezët janë të famshëm për shpikjet dhe gjetjet e tyre origjinale.

Kinezët janë të famshëm për shpikjet dhe gjetjet e tyre origjinale. Për shembull krejt ndryshe nga bota në vendin aziatik shalqinjtë i preferojnë katrorë, ndoshta thjesht për çështje transporti. Shpesh gjëra të tilla i quajmë kinezërira, por gjetja më e fundit e tyre dhe që ka lidhje pikërisht me sportin është një pistë atletike krejtësisht e ndryshme, me kthesa drejtkëndore. Ngjan si shaka por gjithçka është e vërtetë dhe është bërë realitet në stadiumin e Tonghe-s, në provincën e Heilongjiang, stadium ku fusha është me bar artificial, e madje ky impiant konsiderohet si tepër i rehatshëm dhe plotëson në mënyrën më të mirë të gjitha standartet, me të vetmin ndryshim se pista e atletikës nuk është ovale, por përbëhet nga kthesa 90 gradë.

Ndoshta ka të bëjë pikërisht me mënyrën e tyre të jetesës, për të ecur drejt e sipas stilit me të cilin janë mësuar, sidoqoftë në verilindje të Kinës vendasit sapo ja kanë dalë mbanë për të ndërtuar një pistë atletike krejtësisht origjinale. Gjithkujt i vjen për të qeshur fillimisht, duke menduar se bëhet fjalë thjesht për një shaka, por “The Telegraph” vendosi të publikojë fotot duke lënë të gjithë me gojë hapur. Pista me kthesa drejtkëndore ekziston dhe është ndërtuar madje në një kohë rekord, për të qenë gati për vizitën e udhëheqësit më të lartë të Partisë Komuniste. Një gjë mund të thuhet me siguri, stafi që është marrë me këtë punë meriton medaljen e artë për paaftësi.

Pyetja që lind natyrshëm është: Kush e autorizoi diçka të tillë? Kush i autorizoi punimet dhe më pas kush ishte personi që i kontrolloi ato? Ngjan vërtet me një çmenduri, pasi duket e paimagjinueshme që një gjë e tillë kaq absurde të çohet deri në fund. Stadiumi në pamje të parë duket perfekt, dhe plotëson të gjitha kushtet, me përjashtim të pistës së atletikës që në fakt nuk përputhet, ose për të nxjerrë më qartë idenë, nuk ka aspak lidhje me standartet e atletikës. Një gafë e tillë u ka bërë përshtypje edhe vetë banorëve vendas, që nuk dinë ta shpjegojnë atë që ka ndodhur në të vërtetë. Me shumë gjasa e gjitha kjo do të korrigjohet, ose ku i dihet ideja mund t’i duket tepër origjinale edhe vetë udhëheqësit më të lartë të Partisë Komuniste Kineze, deri në atë pikë sa për t’i lënë gjërat kështu siç janë e të eksperimentojë bie fjala, me gara në 400, 800, të distancave të mesme apo pse jo edhe të thellësisë siç quhen ndryshe garat e distancave të gjata. A do të mbanin vallë kaviljet e atletëve, nëpër ato kthesa 90 gradë, kjo është pyetja?