Kina dhe strategjia e dyfishtë e “rrugës së mëndafshit”

Gjeopolitikë – Një politikë e re do ta sistematizojë ndikimin kinez në botë, duke e formësuar më fort. Gjithçka në një mënyrë e shpejtësi të paparë deri më tani… Ja përse!

timthumb

Një politikë e re pritet ta sistematizojë ndikimin kinez nëpër botë e ta bëjë atë më të fortë. Lajtmotivi në këtë rast, ashtu sikurse e pati parashikuar edhe shefi i shtetit Xi Jinping në vitin 2013, për mbarë kombin mund të përkthehet me nocionin e “strategjisë së dyfishtë të rrugës së mëndafshit”. Xi dëshiron t’i rizbulojë të dyja rrugët tregtare tradicionale “të mëndafshit”. Traseja e saj pritet të shndërrohet në “rrugën e mëndafshtë të korridorit ekonomik”, dhe të shtrojë kësisoj edhe rrugën detare për në “rrugën e mëndafshtë të shekullit të 21″. Dikur, “rruga e mëndafshit” ishte një vijë prej 7000 kilometrash që përdorej për qëllime tregtare, e që kalonte mes përmes Perandorisë së Qendrës, për të mundësuar tregtinë me mbarë botën. Në kohën e saj të lulëzimit, gjatë dinastisë Tang, ajo rrugë kalonte nga qyteti mbretëror Xian, duke prekur mbarë Azinë Qendrore dhe shtetet arabe, e dalë deri në Mesdhe. Rruga “e dytë” e mëndafshit, kalonte ndanë brigjeve të Kinës Jugore, duke dalë në Detin e Kinës Jugore për në Azinë Jugore, Iran e deri në Afrikën Lindore. Tregtarët arabë, ata persë, aziatikë dhe europianë, në këto rrugë transportonin mallrat e tyre për në Kinë. Sot, Kina ia del mbanë vetë dhe mund ta hapë e ta zotërojë plotësisht këtë korridor ekonomik prej “10 000 kilometrash”. Kasat e Pekinit janë të mbushura plot. Kryeministri Li Keqiang premtoi në maj gjatë vizitës së tij në Afrikë, që t’i ngrinte në 30 miliardë dollarë kredidhëniet kineze. Paratë në fjalë janë të lidhura me projektet infrastrukturore, nga të cilat do të duhet të përfitojnë ndërmarrjet kineze. Kështu, konkurrentët perëndimorë do të “dëbohen” nga tregu.

Afrika do të bëhet “më kineze”

2500 ndërmarrje kineze kanë investuar ndërkohë në projekte agrare afrikane; miniera, fusha naftëmbajtëse e deri te përpunimi i uranit në Namibi, 25 miliardë dollarë amerikanë. Kjo u ka sjellë pjesërisht kinezëve një rritje të imazhit, ndërkohë qysh tani disi të merituar, prej një fuqie koloniale. “Strategjia e rrugës së mëndafshit” parashikon që të lidhë në korridor ekonomik 40 shtete aziatike e europiane me tre miliardë njerëz, gjysma e popullsisë së botës. Fuqia më e madhe tregtare dhe kombi i dytë më i fuqishëm ekonomikisht në botë, duket se ka gjetur tashmë një rrugë të re, për ta përdorur fuqinë e vet ekonomike për synimet e veta gjeostrategjike. Strategjia kineze megjithatë, drejtohet edhe kundër interesave amerikane. Pekini reagon kësisoj me themelimin e zonës së lirë ekonomike Azi-Paqësor, të cilën Uashingtoni ia ushqeu i pari Kinës, analizon Huo Jianguo, drejtor i kërkimeve në Ministrinë e Tregtisë. Me këtë synohet të fitohen vende si Indonezia apo Malajzia, si partnerë të rinj në “rrugën e mëndafshit”, për të zbutur ndikimin amerikan që dëshiron të instalohet si një fuqi paqësore në Azi. Hainan do të përfitojë si një “portë jugore” nga strategjia e “rrugës së mëndafshit”. Dhe qyteti i Sanshas do të shndërrohet në një parajsë turistike, nyje e rëndësishme transporti dhe stacion furnizimi. Ishullit në fjalë, Pekini ka menduar t’i japë një pozicion kyç. Më 1974-n, për të madje pati edhe një betejë të shkurtër detare, kur anijet luftarake kineze goditën flotën vietnameze në luftë për këtë arkipelag. Vietnami ia kishte nisur të shtronte pretendime territoriale detare që e kishin burimin qysh nga shekulli i 17, ndërsa ato të Kinës shkonin qysh nga shekulli i 10, shpjegon një nëpunës i Ministrisë së Jashtme kineze. “Ato tonat janë 100-vjeçare”, thonë kinezët.

Përplasja e vogël mund të sjellë pasoja të mëdha

Ndërkohë Sansha posedon një pistë prej 2500 metrash të gjatë për uljen e avionëve ushtarakë e atyre civilë. Dy porte tashmë janë ndërtuar, sikurse edhe pajisje për shkriposjen e ujit të detit, prodhimin e energjisë dhe filtrimin e plehrave. Të gjitha këto pritet ta bëjnë më kompakt e konkurrues këtë qytet. Sansha fjalë për fjalë do të thotë “tri bankat e rërës”. Emri e merr origjinën nga tri grupe ishujsh në Detin e Kinës Jugore, për të cilët Pekini ngre pretendime: grupi i ishujve Xisha, që e kontrollon Kina, ishujt Zhongsha (apo ndryshe edhe “Macclesfield Bank”) dhe Nansha (ose “Spratley”). Agjencia kineze e lajmeve, “Xinhua”, shkruante: “Qyteti i ri e ushtron të drejtën e vet administrative mbi 200 ishuj, banka rëre dhe shkëmbinj detarë me një sipërfaqe prej 13 kilometrash katrorë në Detin e Kinës Jugore dhe me këtë, mbi 2 milionë km katrorë sipërfaqe ujore”. Sansha pra do të jetë njësi e vetme që është gjashtë herë më e madhe se Gjermania për shembull. Këtë interpretim, megjithatë, nuk e njeh asnjë nga shtetet fqinje. Republika Popullore i injoron të gjitha protestat, megjithëse ajo kontrollon vetëm shtatë ishuj shkëmborë nënujorë, nga ishujt e grupit “Spratley”. Vietnami mban aktualisht 29 ishuj nën administrimin e tij ushtarak, Filipinet nëntë, Malajzia pesë dhe Tajvani një. Pas trazirave të fundit me karakter antikinez në Vietnam, që plasën për një ishull 130 milje detare larg bregut vietnamez, ku po kërkohej naftë, Pekini i kërkoi Vietnamit dhe Filipineve, të lironin ishujt e pushtuar “në mënyrë ilegale”. Kina bëri të ditur më pas se do të instalonte edhe tri platforma të tjera shpimi në Detin e Kinës Jugore. Një valë e re përshkallëzimi e situatës pritet në kohët në vijim. Manila zbuloi në meskorrik se si anijet transportuese kineze merrnin rërë në bregun jugor të ishujve shkëmborë “Johnson”, për të ndërtuar atje. Manila e akuzoi me këtë rast Pekinin se po e reklamonte në mënyrë artificiale ishullin, për të krijuar baza të reja ushtarake. Në Detin e Kinës Lindore, Kina dhe Japonia u konfliktuan për ishujt Senkaku-Diaoyu, që administrohen nga Tokio. Përplasja më e vogël që e ka bazën tek anijet e vogla të patrullimit bregdetar çdo ditë, mund të sjellë një efekt domino. Grupi Ndërkombëtar i Krizave e dënoi politikën ekspansioniste kineze. Pekini u gjend fajtor, për shkak të masës dhe paqartësisë së pretendimeve të tij territoriale, si dhe për shkak të përqasjes së tij agresive.

Rreziku i një destabiliteti social

Mijëra vjet më parë, Perandoria e Qendrës, para së gjithash merrej me vetveten. Edhe vetë shtatë ekspeditat detare të detarit eunuk kinez, Cheng He, para 600 vjetëve, për arsye politike të brendshme, u ndaluan shpejt dhe mbetën pa sukses për fatet e vendit. Mirëpo Kina, tashmë gjendet në një marshim të pandalshëm. Ritmi i saj i shpejtë në procesin e transformimeve ekonomike e shoqërore, po vlon për së brendshmi, “por sjell me vete edhe rrezikun e një destabiliteti social”, paralajmëroi specialisti amerikan i çështjeve kineze, Kenneth Lieberthal, në një artikull në “South China Morning Post”. Çdo gjë po ndodh me një shpejtësi, masë dhe hapësirë, që s’është parë askund dhe asnjëherë tjetër. Kjo vlen edhe për ekspansionin e saj. Një komb që edhe para 15 vjetësh akoma mund vetëm të ëndërronte për udhëtime në hapësirë dhe thellësitë e oqeaneve, po gërmon ndërkohë me pajisje shpimi të teknologjisë së fundit në thellësi prej 4000 deri në 7000 metrash nën sipërfaqen e detit për pasuri nënujore. Koncerni kinez i ndërtimit të anijeve e skafeve, CSIC, bëri të ditur para pak kohësh se do të prodhonte në seri batiskafë. Edhe më impresionuese janë rezultatet në hapësirë. Në vitin 2020, kur stacioni ndërkombëtar ISS, siç është planifikuar, do të mbyllet, Kina do të jetë i vetmi vend që do të mbajë gjallë një bazë hapësinore, duke i bërë të varura kombet e tjera që merren me hapësirën, të ndihen të varura.

Shfrytëzim deri në kockën e fundit

Në linjat strategjike të Pekinit, bëjnë pjesë edhe bashkautorësia në shfrytëzimin e zonave të fundit të mbetura të pandara zyrtarisht në rruzull, siç janë Arktiku dhe Antarktiku. Megjithëse Republika Popullore si një vend që nuk ndodhet pranë kufijve të tyre, e që s’mund të shprehë dot asnjë pretendim territorial për Polin e Veriut apo atë të Jugut, ajo ka siguruar megjithatë një vend në Këshillin Mbikëqyrës të Arktikut, duke lënë dhe një përfaqësues për çështjet e Arktikut dhe Antarktikut. Më 11 korrik, nis edhe ekspedita e gjashtë e madhe në Polin e Veriut qysh nga viti 1999, ku brenda tetë javëve kërkime në Arktik, priten të bëhen të qarta rezultatet për rezervat, ndër më të mëdhatë në botë në minerale, naftë dhe gaz. Drejtuesi i ekipit të kërkuesve, Wang Zong, tha për “China Daily” se “ne jemi, sikurse edhe gjithë vendet e tjera, të interesuar në shfrytëzimin e burimeve natyrore që gjenden nën akull dhe në kalimin veriperëndimor”. Nëse kjo linjë, për shkak të ndryshimeve klimaterike, ndonjëherë do të mund të çlirohej nga akulli dhe të bëhej e kalueshme, atëherë kontejnerët kinezë do të kursenin plot 5186 kilometra apo nëntë ditë rrugë për të shkuar në Europë.

Ekspansionin po e ndihmon edhe kultura

Edhe kultura po kontribuon në ofensivën kineze. Në vitin 2005, në Kore u çel instituti i parë “Konfuci”, një projekt pilot për të instaluar monopolin kinez në përçimin dhe reklamimin e gjuhës dhe kulturës kineze në botë. Iniciatorët shtetërorë të projektit disamilionësh, u habitën me suksesin e projektit të tyre. Në fund të qershorit, konstatohen rreth 445 institute “Konfuci” në 122 vende e rajone të botës. Kjo është edhe reklama më e mirë për imazhin e Kinës, e cila vazhdimisht është kritikuar nga ana tjetër për cenim të të drejtave të njeriut, padrejtësi sociale dhe politikë të jashtme agresive. 15 institutet “Konfuci” gjenden edhe në Gjermani, dhe 100 në SHBA. Atje, ndërkohë është ndezur rezistenca e kritika akademike kundër ndikimit të frikshëm në lirinë akademike nëpër universitetet që janë partnerë të instituteve “Konfuci”.

Pasojat e politikës ekspansioniste kineze

Pasojat e politikës ekspansioniste kineze, SHBA dhe Europa i kanë ndier vetëm në mënyrë indirekte, ndryshe nga fqinjët aziatikë të Kinës. Mirëpo, analistët e Institutit për Kërkime mbi Paqen në Stokholm (Sipri) kanë frikë se shumë shpejt situata do të ndryshojë. Në studimin e tyre, tashmë të sapopublikuar, me titull “Mbrojtja e interesave detare të Kinës”, ata konstatojnë se si Pekini po ndahet tashmë plotësisht nga principi i tij i mospërzierjes dhe neutralitetit. Ngritja paqësore e Kinës është kthyer në shtyllë të propagandës. “Sipri” konstaton se shefi i shtetit Xi, i cili tashmë ndodhet në atë post prej dy vjetësh, nuk është shprehur akoma për udhëzimet për negociata, që ia la trashëgimi paraardhësi i tij, arkitekti i reformave, Ten Hsiao Pin, e që si një lajtmotiv përmblidhej kështu: “Mbani gjithmonë një kokë të ftohtë, përmbahuni, shfaqni një profil të ulët në zënkat e debatet ndërkombëtare dhe mos i bëni kurrë gjërat me ngut”. Pekini sot beson se këto këshilla nuk janë më të nevojshme. Gjatë kësaj jave, botuesi hartografik i Hunanit, me bekim zyrtar botoi një hartë vertikale, që bëri “furore”. Sipas saj, Deti i Kinës Jugore, i pretenduar nga Kina, nuk shfaqet më në cepin e poshtëm të hartës në një masë të zvogëluar, siç bëhej më parë në hartat horizontale. Harta e re i paraqet thuajse tre milionë km katrorë det tashmë në të njëjtën masë, sikurse edhe Kina në tokë, d.m.th. ajo kontinentale, pra një Kinë tashmë e zgjeruar me thuajse një të tretën. Në aspektin grafik, kjo është një perandori e re – në tokë e det. Kina po bën gjithçka që kjo ëndërr e moçme të bëhet realitet.