Kërcënimi që vjen nga moti, si po rritet numri i ditëve me mbi 35°C dhe me -5°C në Shqipëri?

loading...

loading...

Numri i ditëve me temperatura më të larta se 35°C ka të ngjarë të rritet me 3-4 ditë deri në vitin 2020 krahasuar me mesataren e viteve 1961-1990, ndërsa numri i ditëve me ngrica (me temperatura më të ulëta se -5°C) në lartësi të mëdha pritet të ulet me 4-5 ditë deri në vitin 2025, dhe me 9 ditë deri në vitin 2050.

Parashikimet u dhanë në projekt-strategjinë e Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe u hartuan nga ekspertë të Këshillit Kombëtar të Ujit.

Ata thonë se, temperaturat në rritje priten të kontribuojnë në një numër më të madh ditësh me stuhi breshëri në verë dhe gjithashtu do të ndikojnë në shpeshtësinë dhe intensitetin e ditëve të nxehta dhe valëve të të nxehtit. Numri i ditëve me reshje të rrëmbyeshme (maksimumi 24 orë) krahasuar me mesataren e viteve 1961-1990 ka gjasa të rritet me 1-2 ditë deri në vitin 2025, me 2-3 ditë deri në vitin 2050.

Mirëpo këto zhvillime në kushtet klimatike do të ndikojnë negativisht edhe në zhvillimin ekonomik të vendit, sidomos bujqësinë dhe prodhimin e energjisë.

Përveç ndryshimeve nga njëri vit në tjetrin, si dhe ndryshimeve sezonale, në vend ka edhe ndryshime gjeografike shumë të dukshme. Shirat vijnë kryesisht nëpërmjet erërave jugperëndimore dhe ndikohen edhe nga relievi. Kjo ofron një larmi veçorish klimatike dhe të ecurisë së reshjeve në rajonet e vendit, shpjegojnë ekspertët e ujërave. Edhe pse reshjet e shumta shoqërohen përgjithësisht me rritje të nivelit të ujit, kjo nuk ndodh njëlloj në të gjithë territorin, si në pjesën e sipërme të Basenit të Drinit,e cila mbetet një zonë ë thatë.

Reshjet më të pakta vjetore në Shqipëri bien në zonat bregdetare në jug me vlera nën 1,000 mm/vit. Megjithatë, ka pjesë të basenit ujor të Drinit në Kosovë dhe Maqedoni ku reshjet vjetore janë më të pakta dhe nuk i kalojnë 800 mm/vit.

Reshjet më të shumta bien në rajonin e Liqenit të Shkodrës, ku reshjet mesatare vjetore i tejkalojnë 3,000 mm/vit. Temperaturat mesatare vjetore më të larta vihen re në pjesën perëndimore të vendit me 15°C më të larta në bregdet.

Temperaturat vjetore më të ulëta shënohen në veri afër kufirit me Kosovën dhe në lindje afër Liqenit të Ohrit. Efekti i kombinuar i reshjeve dhe temperaturës (dhe ndryshime të tjera meteorologjike) çojnë në përfundimin se prurjet janë më të larta në veri dhe jug të vendit, ku sasia e reshjeve tejkalon sasinë e ujit që avullon më shumë se 500 mm në vit. Në pjesën qendrore të vendit reshjet arrijnë më pak se gjysma e kësaj vlere./Monitor

loading...