Këmbëngulës për heqjen sa më të shpejtë të barrikadave

Kështu u bë e ditur përmes një komunikate të lëshuar nga zyra për informim e komunës së Mitrovicës, pas kthimit të kryetarit të kësaj komune, Agim Bahtiri nga Brukseli, i cili kishte marrë pjesë në kuadër të delegacionit të Kosovës në dialog me Serbinë, ku u diskutua për heqjen e të gjitha barrikadave në këtë qytet.

Sipas kësaj komunikate, Bahtiri ka folur për punën e madhe që është bërë për stabilizimin e gjendjes, kthimin e të gjithë të zhvendosurve në pronat e tyre, zbutjen e raporteve ndërmjet shqiptarëve e serbëve etj, punë kjo që ka dhënë rezultate konkrete.

“Barrikadat nuk sjellin asgjë të mirë për qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike. Ato vetëm i kontribuojnë përkeqësimit të raporteve ndërnjerzore e ndëretnike, pengojnë lëvizjen dhe qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave, pengojnë bashkëpunimin ndërmjet qytetarëve dhe bizneseve, të cilat nuk njohin kufij, pengojnë zhvillimin ekonomik, nxisin urrejtje, ngritin tensione dhe destabilizojnë edhe më tutje situatën edhe ashtu të brishtë. Këto qëndrime, si dhe qëndrimet e kryenegociatores Edita Tahiri, kanë gjetur mbështetje tek përfaqësuesit e BE-së”, thuhet në këtë komunikatë, të ketë thënë Bahtiri.