Karizma, sa e rëndësishme është për të bërë karrierë?

loading...

opportunityboulevard

loading...
Cili është sekreti për të qenë i suksesshëm? Vështirë t’i gjesh përgjigje kësaj pyetjeje, megjithatë cilësia që vlerësohet në çdo fushë të jetës është karizma. Ja si mund ta kuptoni që edhe ju e zotëroni

Karizma është një cilësi shumë e rëndësishme në qoftë se doni të bëni karrierë. Por si mund ta kuptoni që e keni ose jo? Të gjitha gratë e rëndësishme dhe më me ndikim në botë, nga Michelle Obama, te Hillary Clinton dhe Lady Gaga, e zotërojnë këtë cilësi, që është e domosdoshme në çdo lloj karriere profesionale. Në fakt është e vështirë ta përkufizosh saktë karizmin, por është një përzierje e hijeshisë, aftësisë për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve, për t’i magjepsur të gjithë me praninë tënde, të kesh një fuqi magnetike ndaj atyre që të rrethojnë, jo vetëm në nivelin fizik, por edhe nga ana e karakterit dhe vendosmërisë.

Personi që u përpoq t’i jepte një përkufizim personal është Joyce Newman, president i grupit “Newman”, një kompani që ndihmon konsumatorët të gjejnë një stil personal dhe të nxjerrin në pah karizmën e tyre. Sipas Newman, çdo njeri mund të jetë karizmatik. Askush nuk lind i tillë, por është diçka që mund të rritet në shumë mënyra. Një mënyrë është të parit dhe të mësuarit nga njerëzit që i konsideroni karizmatikë. Nuk keni nevojë që t’i kopjoni, por të mësoni sekretet e tyre, të përpiqeni të arrini deri aty ku nuk keni mundur më parë. Ky është një proces për tentativa dhe gabime. Problemi është se pasi të keni arritur statusin e një personi karizmatik, edhe mund ta humbni atë. Shikoni Mel Gibson dhe Lindsay Lohan. Megjithatë e rëndësishme është që nëse e humbisni atë me ndërgjegje, mund ta rifitoni duke u përpjekur.

Por le të përpiqemi të kuptojmë se cilat janë karakteristikat që i dallojnë gratë më me shumë karizëm. Së pari duhet të jeni shumë të sigurta në vetvete. Nëse e doni dhe e respektoni veten, atëherë mund t’u pëlqeni edhe të tjerëve. Një mënyrë e mirë për të fituar besimin është që të jeni optimist, të mendoni në mënyrë pozitive dhe të përpiqeni t’ua tregoni të tjerëve anët pozitive dhe defektet që kanë. Një faktor tjetër i rëndësishëm është që të dini të flisni mirë në publik dhe të dini të tregoni histori që tërheqin vëmendjen e njerëzve. Kur flisni duhet të tregoni siguri dhe mos harroni të bëni pak shaka, ose të tregoni ndonjë anekdotë ironike dhe që të bën për të qeshur. Duhet të bëni kujdes që çdo histori e treguar të ketë një domethënie, në mënyrë që njerëzit të cilët dëgjojnë, të gjejnë vetveten aty. Të rëndësishme nuk janë vetëm fjalët, por edhe gjuha e trupit. Të qenët spontan dhe natyral ju ndihmon që të shmangni qëndrimet artificiale. Kur flisni, shikojeni bashkëbiseduesin në sy, madje përpiquni të krijoni edhe kontakte fizike, siç është shtrëngimi i duarve. Së fundi, duhet t’i dëgjoni mirë dhe me vëmendje gjërat që thonë të tjerët. Vetëm nëse krijoni një kontakt të drejtpërdrejtë dhe personal me të tjerët do të konsideroheni me të vërtetë gra karizmatike.

Bukuria

Për të bërë karrierë duhet të jeni të pashëm, ose të paktën pamja fizike e lehtëson shumë punën. Sipas disa studimeve, pamja fizike të ndihmon të gjesh më shpejt një punë dhe të promovohesh më shumë se kolegët e tjerë më pak të pashëm.

Kjo mund të duket e padrejtë, por studimet kanë treguar se një punonjës simpatik mund të shihet nga punëdhënësi si një person me shumë potencial, i cili është i aftë t’i sjellë sasi të mëdha të hollash kompanisë dhe për këtë arsye meriton që të bëjë karrierë.

Punët që kërkojnë një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me publikun, siç është ajo e shitëseve, kanë si kusht edhe bukurinë fizike, sepse kjo e fundit luan një rol të rëndësishëm karshi klientëve, të cilët tërhiqen më shumë për të blerë produkte.

loading...